Aktualitet 4 Prill 2019, 20:19

Ekskluzive / Ministrat dhe drejtorët që refuzojnë të tregojnë nëse kanë qenë spiunë të Sigurimit të Shtetit

Shkruar nga Pamfleti

Ekskluzive / Ministrat dhe drejtorët që refuzojnë të tregojnë nëse kanë qenë spiunë të Sigurimit të Shtetit

Organet shtetërore të mbushur me spiunë të Sigurimit, shumica e drejtuesve dhe punonjësve mashtrojnë duke mohuar lidhjet me Sigurimin, një pjesë refuzojnë të përgjigjen  

Krerët më të lartë të institucioneve të sigurisë në Shqipëri kanë refuzuar që të tregojnë nëse kanë qenë ose nuk kanë qenë spiunë të Sigurimit të Shtetit. Lista nis me drejtorin e SHISH, Helidon Bendo, ministrin e Brendshëm Sandër Lleshajn, kreun e Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema kreun e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, kolonel Bardhyl Nuredinaj etj. Kështu thotë Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në një raport për punën për vitin 2018. Në raport thuhet: “Përgjigjet e kthyera nga shumica dërrmuese e titullarëve të institucioneve shprehen se nuk kanë në strukturat e tyre punonjës të tillë, ndërsa një pjesë e institucioneve qendrore, që sipas të dhënave tona janë edhe më problematiket, refuzojnë të japin informacion, ndër të cilët dukshëm e demonstrativisht refuzojnë dhënien e informacionit, pa ndonjë argument ligjor, janë drejtori i SHISH, z. Helidon Bendo; Ministria e Brendshme, z. Sandër Lleshaj; Akademia e Sigurisë, z. Bilbil Mema; Agjensia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, kolonel Bardhyl Nuredinaj etj”.

Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit pohon se institucionet e shtetit shqiptarë janë të mbushur me spiunë të Sigurimit. Sipas Institutit, zyrtarët mashtrojnë kur thonë se nuk kanë qenë spiunë të Sigurimit, pasi ata figurojnë në letra. “Edhe në rastet kur në përgjigjet e tyre konfirmojnë se “nuk ka asnjë punonjës që të ketë qenë pjesë e ish Sigurimit të shtetit”, ne e kuptojmë sipas të dhënave tona, që kjo përgjigje është e gënjeshtërt, pasi informacioni ynë është i kundërt me përgjigjet e tyre. Në këto kushte ne na duhet të konsumojmë procedurën ligjore të parashikuar për mosdhënien e informacionit, duke e llogaritur këtë mos dashje si pengesë në kryerjen e detyrës që na keni ngarkuar me ligj, pa llogaritur këtu mashtrimin e opinionit qytetar. Në mënyrë absurde disa institucione shumë të rëndësishme quajnë “sekret shtetëror” diplomat e arsimimit, pra si të klasifikuara “sekret shtetëror” apo “të dhëna sensitive”. Nga ana tjetër, ka një pjesë të institucioneve të cilët kanë dhënë me saktësi e krejt korrekt informacionin e saktë, sipas kërkesës sonë”.

Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ndër të tjera studion dhe vlerëson ndërtimin, organizimin institucional dhe veprimtarinë antidemokratike e kriminale të strukturave shtetërore, veçanërisht të organeve dhe të strukturave të Sigurimit të Shtetit. Gjithashtu, grumbullon të dhëna, dokumente dhe dëshmi për ndriçimin e veprimtarisë së organeve dhe të strukturave të Sigurimit së Shtetit, të formave të persekutimit dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të të gjitha veprimtarive, që kanë çuar në dhunimin e të drejtave e të lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist. Por, pasi lau duart me ligjin e dosjeve, politika po përpiqet të nxjerrë jashtë loje edhe këtë Institut, i cili me se duket u prish qetësinë sigurimeve në krye të shtetit./Pamfleti


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

codramol
smile

Intervista Ekskluzive Ministrat dhe drejtorët që refuzojnë të tregojnë nëse kanë qenë spiunë të Sigurimit të Shtetit