Anti-Mafia22 Maj 2019, 11:36

Ekskluzive/ Zbardhet sherri i madh mes grave në kupolën e drejtësisë, anëtarja e KLGJ Brunilda Kadi akuza kryetares

Shkruar nga Pamfleti

Ekskluzive   Zbardhet sherri i madh mes grave në kupolën e drejtësisë, anëtarja e KLGJ Brunilda Kadi akuza kryetares

Kupola e drejtësisë së re është përfshirë nga një sherr mes anëtares së Këshillit të Lartë Gjyqësor Brunilda Kadi dhe kryetares Naureda Llagami

 Kupa e drejtësisë së re (Këshilli i Lartë Gjyqësor) është përfshirë nga debate dhe akuza mes anëtares Brunilda Kadi dhe kryetares së këtij institucioni Naureda Llagami. Në shumë prej mbledhjeve, Kadi kritikon Llagamin dhe madje e akuzon edhe për shkelje ligji. Për shkak të qëndrimeve të saj, Brunilda Kadi ka bërë edhe propozime kundër linjës së shumicës së anëtarëve të KLGJ si dhe ka votuar ndryshe nga shumica, veprime këto gjithsesi normale në institucion ku anëtarët kanë mendime të ndryshme. Por, gjatë mbledhjeve të KLGJ vihet re njëfarë protagonizimi të zonjës Kadi, duke kundërshtuar shumë projektvendime për parashtruara nga kryetarja Llagami. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zëvendësuar Këshillin e Lartë Gjyqësor, i cili degradoi drejtësinë shqiptare duke e kthyer në një korporatë, ku gjyqtarët ishin në garë se kush bën më shumë para me çekiçin e drejtësisë.

Debatet mes Brunilda Kadi dhe Naureda Llagamit

 -Naureda Llagami: Po zhvillojmë sot mbledhjen e radhës, siç e kishim parashikuar, të datës 12 mars 2019. Janë prezent të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësor. Sikurse jeni vënë në dijeni, rendi i ditës sot ka 4 çështje. Çështja e parë është: Miratimi i listës emërore të kandidatëve që plotësojnë kriteret për Këshilltarë dhe Ndihmës Ligjorë, për të marrë pjesë në provimin e pranimit në programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2019-2020. Çështja e dytë është: Miratimi i projektvendimit “Për një ndryshim në vendimin nr.12, datë 18.01.2019, “Për miratimin e strukturës organizative të administratës së Këshillit të Lartë Gjyqësor”. Çështja e tretë është: Miratimi i projektvendimit “Për korrigjimin e gabimit në shkrim në vendimin nr. 35, datë 19.02.2019 të Këshillit të Lartë Gjyqësor”. Dhe çështja e katërt është: Miratimi i  projektvendimit “Për deklarimin e përfundimit të periudhës së transferimit të përkohshëm dhe kthimin në pozicionin e mëparshëm” lidhur me gjyqtarin {…}. Atëherë, sipas rendit të ditës, kalojmë me çështjen…

-Brunilda Kadi: Një sekondë, se kam unë një diskutim në lidhje me rendin e ditës. Kam unë një diskutim në lidhje me rendin e ditës. Atëherë, dje jemi njoftuar nga drejtori juridik nëpërmjet e-mail-it për projektvendimin e kandidatëve. Ndërkohë, tek rendi i ditës thuhej edhe në lidhje me

ndryshimin e strukturës organizative të administratës së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe ndërkohë nuk kishim asnjë material të përcjellë me e-mail. Sot, në orën 10:00, na është sjellë në hard kopi (hard copy) projektvendimi, së bashku me nja dy shkresa, që ishte një relacion se si është reflektuar në lidhje me këtë strukturë të re që do duhet të riorganizohet pas vendimit të Kuvendit, një shkresë që i është dërguar DAP-it dhe nuk e di pse është nisur një kopje e procesverbalit të datës kur është miratuar. Atëherë, unë kam një rezervë këtu dhe duhet të tërheq vëmendjen që, një gjë e tillë është haptazi në kundërshtim me ligjin. Jo vetëm që nuk është respektuar asnjëherë dispozita që thuhet ‘7 ditë përpara’ dhe të gjithë kemi rënë dakord për shkak të emergjencës kemi vepruar, por kjo nuk mund të bëhet rregull. Dhe ajo që e bën më të rëndë shkeljen është që çuditërisht, edhe herën e parë kur është miratuar struktura, nuk na ka ardhur, i vetmi material që nuk na ka ardhur asnjëherë më e-mail, ka qenë pikërisht vendimi i miratimit të strukturës dhe e njëjta gjë ndodhi edhe sot. Tani, ka një problem procedural, ka edhe një problem tjetër teknik. Nëse ne na vijnë me hard kopi (hard copy) materialet, nuk ka asnjë mjet certifikimi se çfarë jemi duke vendosur dhe miratuar sepse siç e dini të gjithë, na ndodhi një diskutim, ditën që juve kryetare keni shkuar në Parlament dhe na rezultoi se asnjëri nga anëtarët e Këshillit nuk kishte kopjen e vendimit që ishte miratuar dhe që i kishte vajtur Kuvendit të Shqipërisë, sepse disa kishin një strukturë të miratuar me 145 persona, ndërkohë që ne pamë nga faqja e Kuvendit një strukturë të miratuar me 144 dhe vetëm nga kjo u nis diskutimi ‘hajde të shikojmë çfarë kemi miratuar’ dhe u konkludua dhe rezultoi që nuk ishte dërguar asnjëherë me e-mail ky vendim, ky projektvendim, kjo strukturë.

-Naureda Llagami: Kalojmë tek çështja e dytë e rendit të ditës. Atëherë, më lejoni, edhe për shkak të kërkesës së një nga kolegeve tona, lidhur me transparencën sa i përket procesit të hartimit të strukturës, më lejoni t’ju kujtoj çfarë veprimesh ka bërë Këshilli deri tani. Çfarë ndodhi gjatë procesit të vendimmarrjes në Kuvend? Kemi pasur konsulta me kryetarin e Komisionit të Ligjeve. Na ka thërritur kryetari i Komisionit të Ligjeve për diskutimin se si do të procedonin për miratimin e strukturës dhe në atë moment, sikurse është bërë e ditur edhe gjatë seancës dëgjimore, vetë Komisioni i Ligjeve fillimisht mendonte që do na miratonte një strukturë, më pas, pas shumë debateve u arrit në konkluzionin që do miratohej një numër i përgjithshëm i punonjësve, pavarësisht që ky numër… dhe strukturimi na u la detyrë dhe po t’i referoheni edhe procesverbalit të Kuvendit , të Komisionit të Ligjeve të datës 19.02.2019, relatori i çështjes, bashkë me kryetarin e Komisionit të Ligjeve na e la detyrë që të rakordonim, lidhur me strukturën dhe kategorizimin e pagave, me Departamentin e Administratës Publike. Lidhur me shqetësimin që kishit për sa i përket opinionit të EURALIUS-it, ju sjell në vëmendje që opinioni i EURALIUS-it, sikurse e kam bërë edhe me dije në mbledhjen e mëparshme, ndoshta jo me mikrofon, por pa mikrofon, opinioni i EURALIUS-it është depozituar përmes postës elektronike pranë Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, 20 minuta përpara se të futeshim në mbledhjen e datës 18.01.2019, dhe në versionin anglisht. Për këtë arsye unë nuk mund ta pranoja një opinion të tillë 20 minuta përpara vendimmarrjes tonë. Ky lloj opinioni i është dërguar edhe Kuvendit dhe lidhur me qasjen ndaj këtij opinioni, edhe Kuvendi, relatori i strukturës tonë, ka pasur komentet e veta në mënyrën se si ky relacion është hartuar. Për më shumë detaje mund të klikoni në uebsajtin (website-in) e Kuvendit dhe të merrni procesverbalin lidhur me transparencën.

(Zonja Kadi ndërhyn pa ndezur mikrofonin.)

-Naureda Llagami: Më fal! Mund ta mbaroj unë fjalimin dhe pastaj do flasësh ti.

-Brunilda Kadi: Pse është me urdhërim, që s’mund të marrë fjalën?

-Naureda Llagami: Nuk mund të ndërpresësh fjalën time tani, kur unë s’e kam mbaruar.

-Brunilda Kadi: Kërkova fjalën. Mirë që nuk e hodhët në votim miratimin e rendit të ditës, sepse unë ngrita një shqetësim dhe duhet të kishit pyetur, sepse që aty u shkel procedura e mbledhjes. Duhet ta kishit hedhur në votim miratimin e rendit të ditës. Nuk e bëtë. Tani, folët, sqaruat, dua të sqaroj edhe unë sepse kishte shumë gjëra që për mua nuk janë të vërteta ose korrekte.

-Naureda Llagami: Ke shumë të drejtë edhe unë do ta jap fjalën në momentin që unë mbaroj relatimin e projekt-aktit. Jeni të gjithë të hapur të bëni komentet dhe diskutimet tuaja.

-Brunilda Kadi: Të jetë e hapur, s’ka nevojë të jetë shumë e hapur çështja. E para, përpara se të kaloj tek struktura konkrete, në radhë të parë, ne ligjin e lexojmë të gjithë dhe të gjithë e dimë që Kuvendi i Shqipërisë nuk merret me strukturën e brendshme të një organi të ri kushtetues, miraton vetëm numrin e përgjithshëm në total të punonjësve dhe përfaqësuesit e atij institucioni të ri shkojnë në Kuvend dhe prezantojnë një strukturë për të justifikuar pse e kërkojnë këtë numër, por jo se Kuvendi hyn në meritat e asaj strukture. Ai miraton një numër të përgjithshëm sipas vlerësimit të Kuvendit (se ia ka dhënë Kushtetuta këtë të drejtë). Për sa i përket EURALIUS-it, që ishte në gjuhën angleze, domethënë justifikime pa lidhje, deri sot, besoj se duhej të ishte përkthyer ose të na ishte sjellë ose të gjithë këto komunikime që janë bërë me Kuvendin, unë mendoj që nuk janë personale të Kryetares, por duhet të jenë në dispozicion të gjithë anëtarëve të Këshillit. Kur ju thoni që keni qenë e hapur për të ardhur për të folur me juve personalisht, unë mendoj që kjo është një çështje ligji, nuk është një çështje personale. Ne po flasim për ligjin këtu. Ju keni detyrimin, se siç e cituat edhe vet, jeni përgjegjëse për administratën, jeni përgjegjëse pra, edhe ndaj anëtarëve jeni përgjegjëse, pra keni përgjegjësi, jo të drejta, që t’iu bëni të mundur të gjithë informacionin e mundshëm që anëtarët, bashkë me juve, të marrin një vendim të bazuar në ligj dhe në akte, që duhet t’i kenë paraprakisht, jo që i keni juve dhe menduat që mund të botoheshin në faqen zyrtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

-Naureda Llagami: Thjesht për të sqaruar, zonja Kadi! Për sa i përket propozimit të strukturës, mua më vjen keq se është e disata herë e përsëritur me juve që keni vendimmarrje dhe ndryshoni vendimmarrjen tuaj dhe kjo nuk është fare etike për një natyrë si puna juaj që jeni edhe gjyqtare, që rishikoni gjithmonë vendimet që merrni, nuk jeni dakord me ato që i vendosni dhe i merrni vet. Kjo në fakt nuk është shumë e mirë për punën e Këshillit sepse nuk tregon qëndrueshmëri dhe konsolidim në atë që ne shprehim me vendim. Këtë vërejtje mund ta kishe bërë që në

miratimin e strukturës së parë sepse unë nuk kam bërë ndonjë ndryshim të madh, përveçse kam ulur numrin e këshilltarëve. Lidhur me kabinetin edhe për analogji, po ju marr më lart KLP-në e cila e miratoi kabinetin e saj dhe jo më larg se para tre ditësh kabineti i saj ishte edhe më i madh sesa kam unë, në kuptimin e kompetencave që ka KLP-ja. (Zonja Kadi ndërhyn pa ndezur mikrofonin.) Më fal! Ta mbaroj deri në fund. Mos më ndërpre!

-Brunilda Kadi: Nuk është miratuar KLP-ja. Nuk është miratuar. Korrigjoje!

-Naureda Llagami: Të lutem! Është miratuar sepse kam lëshuar mbledhjen këtu

dhe e kanë kaluar me mbledhje. Të lutem!

(Zonja Kadi flet pa ndezur mikrofonin.)

-Brunilda Kadi: Nuk është miratim zonja Kryetare. Duhet ta certifikojë DAP-i dhe

Ministria e Financës.

-Naureda Llagami: Të lutem, edhe një herë! Mos më ndërpre kur unë flas sepse unë të respektoj kur ti flet. Minimumi kaq etikë ne duhet ta kemi midis njëri-tjetrit, se je edhe gjyqtare.

codramol
smile

Anti-Mafia anëtarja e KLGJ Brunilda Kadi akuza kryetares Ekskluzive   Zbardhet sherri i madh mes grave në kupolën e drejtësisë