Aktualitet12 Prill 2019, 19:16

Ekskluzive: Zbulohen të fortët e Shkodrës, bëjnë ligjin te Vllaznia me bekimin e Voltana Ademit

Shkruar nga Pamfleti

Situata në Shkodër është pak të thuash skandaloze! Kërcënimet drejt trajnerit Agim Canaj dhe ndërhyrjet në formacion para dhe pas ndeshjes me Besëlidhjen sollën probleme të mëdha në kampin kuqeblu. Trajneri u kërcënua hapur, administratori i përgjithshëm, Suad Lici u kërcënua dhe të dy paraqitën dorëheqjen në Bashkinë e Shkodrës. Numri një i stolit përfundoi në Angli, por pas shumë diskutimeve u rikthye sërish së bashku me Licin. Situata? Skandaloze sërish. Administrata e Bashkisë dhe klubit po mundohen të mbajnë mbyllur këtë çështje, por nuk i kanë vendosur kapak.

Pamfleti me burime pranë klubit shkodran ka zbuluar krejtësisht dinamikën e ngjarjes dhe situatat e krijuara në klubin kuqeblu, por dhe personazhet që kanë krijuar tension te shkodranët. Strumbullari i gjithë çështjes është futbollisti Zabit Mehmedaj. Ai ka krijuar një kaos të tillë në klub. 22-vjeçari ka bindjen se meriton fanellën e titullarit. Mehmedaj mundohet që formacionin ta fitojë përmes presioneve ndaj trajnerit Agim Canaj dhe administratorit Suad Lici dhe jo në fushën e lojës.

Trajneri Hasan Lika arriti të gjente gjuhën e përbashkët me të. “Babaxhani” që ishte në krye të Vllaznisë e kënaqte herë pas here. Me largimin e Likës dhe ardhjen e Canajt, futbollisti në fjalë kërkoi të merrte gjithçka në kontroll shumë shpejt dhe skandali i vërtetë ndodhi para ndeshjes me Besëlidhjen. Trajneri shpalli formacionin dhe në 11-shen titullari nuk figuronte emri i Mehmedajt. Ky i fundit u ngrit në mes të dhomave të zhveshjes, fshin emrin e titullarit dhe deklaron hapur se do të luante ai.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Pas 45-minutave të pjesës së parë, Canaj e zëvendëson dhe pas largimit nisi “furtuna” në dhomat e zhveshjes. U thyen karrige dhe stola duke acaruar situatën. Pas luftës së fituar nga Mehmedaj nisin “ofensivën” dhe të fortët e tjerë. I dyti që ndoqi rrugën e tij është Sahmet Lushaj. Ky i fundit kapi trajnerin në seancën e radhës stërvitore dhe e kërcënoi hapur: “Nëse formacioni fitohet me të fortë, unë jam i tillë”. Duke parë situatën e agravuar, Canaj anoloi stërvitjen dhe paraqiti dorëheqjen. Administratori Suad Lici nuk arriti ta binde dhe ndërhyri vetë Kryebashkiakja Voltana Ademi. Kjo e fundit e bindi të kthehet dhe i premtoi se skena të tilla nuk do të ndodhin më. U shpik udhëtimi në Angli dhe Canaj u rikthye në stërvitje.

Klubi mori masa për t’i përjashtuar të dy, por duhej të kthehej drejtori Engin Firat, një turist turk në klubin shkodran që të dorëzonte letrat. Drejtuesit e tjerë kishin frikë të reagonin, ndërsa Firat më shumë është larg klubit se sa në klub. Nga krahu tjetër, vendimet janë të pavlera, pasi Mehmedaj vazhdon të stërvitet me forcë dhe askush nuk ka fuqinë ta largojë nga stërvitja, ndërsa kërcënimet e tij shpërthejnë në mes të grupit.

Lushaj, i nipi i një prej drejtorëve të afërt të Ademit, Arbenit, nuk po stërvitet. Ideja është që të “kuptojë gabimin” dhe të falet nga klubi. Situata vazhdon të jetë e nderë e të gjithë mbyllin një sy e një vesh për të bërë sikur nuk kuptojnë. Ademi mashtron se klubi do të privatizohet, ndërsa të fortët kanë gjetur oazin e tyre për të shpalosur talentin  jashtë fushe, pasi në fushë… Në fushë kuptohet gjithçka! Emrat e Zabit Mehmedajt dhe Samet Lushajt si dy të përjashtuarit nuk janë publikuar as nga klubi Vllaznia që reflekton frikën që ka kapluar drejtuesit, e normalisht nuk mund të publikohen nga mediet lokale. Personat që “bekohen” nga Bashkia për t’u tallur me stemën e rëndë të Vllaznisë, që nuk njohin respekt e as sedër përballë shokëve të ekipit, nuk mund të kuptojnë punën e mediave. /Pamfleti

Kryesore