Aktualitet27 Mars 2019, 16:36

Ekskluzive/ Zef Brozi paralajmëron politikanët: Dosjet janë bërë gati, SPAK do nisë me “Gërdecin” e “21 Janarin”,

Shkruar nga Pamfleti
Ekskluzive/ Zef Brozi paralajmëron politikanët: Dosjet janë

Ekskluzive/ Zef Brozi paralajmëron politikanët: Dosjet janë bërë gati, SPAK do nisë me “Gërdecin” e “21 Janarin”, Ilir Meta President pazaresh!

Tani askush nuk ka asnjë shans ta pengojë Reformën në Drejtësi, sepse SHBA-BE vazhdojnë ta mbështesin e shtyjnë fuqimisht përpara

Ish-kreu i Gjykatës së Kasacionit, sot Gjykata e Lartë, Zef Brozi, ka komentuar zhvillimet politike në Shqipëri, në një intervistë ekskluzive për “Pamfleti.net”.

Ish-kreu i Kasacionit është treguar i ashpër me të gjithë politikën shqiptare, duke paralajmëruar se SPAK dhe BKH do t’i japin fund paprekshmërisë dhe pandëshkueshmërisë së pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve të rangjeve të larta për krimet dhe korrupsionin e tyre, që i ka shkaktuar e shkakton dëme të jashtëzakonshme vendit tonë.

“Unë besoj se disa institucione ndërkombëtare dhe ndonjë institucion në Shqipëri kanë filluar përgatitjen e dosjeve për çështjet e para që do të fillojnë SPAK dhe BKH. Një mal me prova ka dhe duhet vetëm vullneti dhe kurajo e organeve të reja të Reformës në Drejtësi dhe institucioneve të tjera. Të gjitha këto krime, “Gërdeci”, “21 Janari”, “Rruga e Kombit”, duhej të ishin ndëshkuar me kohë. Por meqenëse prokuroria dhe gjyqësori nuk e kanë bërë detyrën e tyre deri tani, këto janë çështjet e para me të cilat duhet ta fillojnë punën SPAK dhe BKH”, ka deklaruar ish-zyrtari i lartë i drejtësisë shqiptare.

Ndërkohë, vendimin e opozitës për djegien e mandateve, Zef Brozi e cilëson si një akt absurd dhe një precedent të rrezikshëm për rrugën evropiane të Shqipërisë, duke shtuar se gjithçka po bëhet për t’i shpëtuar Reformës në Drejtësi, por që diçka e tillë nuk ka për të ndodhur kurrë.

“Tani ata dhe askush tjetër nuk kanë asnjë shans ta pengojnë këtë reformë, sepse Amerika dhe Bashkimi Europian vazhdojnë ta mbështesin e shtyjnë fuqimisht përpara”, ka shtuar Brozi.

Sa i takon dekaratave të fundit të Ilir Metës për dorëheqjen dhe vetëvrasjen, Brozi ka theksuar se ai i ka thënë me shaka, duke shtuar se Presidenti Meta është zgjedhur nga pazaret politike, ndërsa vendit i duhet një President i zgjedhur nga populli.

“Mendoj se një President i zgjedhur direkt nga populli dhe jo me pazare partish do të jetë Presidenti që i duhet Shqipërisë, prandaj duhen bërë ndryshimet dhe shtesat e nevojshme në Kushtetutë, që Presidenti i ardhshëm të mos emërohet nga kryetarë partish, por ta zgjedhë vetë populli”, ka theksuar ai nga SHBA.

INTERVISTA E PLOTË

Në Shqipëri ka një situatë të pazakontë, opozita është në rrugë pasi ka djegur mandatet e deputetit, duke protestuar dhe kërkuar largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Ndërkohë që vendi është në prag të vendimit për hapjen e negociatave, cili është opinioni juaj për këtë situatë?

Zef Brozi: Mendoj se ish-deputetët e opozitës kryen nje akt absurd me largimin nga Parlamenti, duke hequr dorë nga mandati i deputetit. Motivi i vërtetë i këtij veprimi është frika që kanë disa drejtues e ish-drejtues e politikanë të opozitës se koha që ata të përgjigjen për krimet dhe korrupsionin e tyre në Shqipëri e jashtë saj po afron, sa me shpejt që Reforma në Drejtësi të përfundojë dhe Prokuroria Speciale e Byroja Kombëtare e Hetimit të fillojnë punë. Tani ata dhe askush tjetër nuk kanë asnjë shans ta pengojnë këtë reformë, sepse Amerika dhe Bashkimi Europian vazhdojnë ta mbështesin e shtyjnë fuqimisht përpara.

Mendoj se do të ishte një precedent i rrezikshëm për rajonin dhe Europën, nëse  Bashkimi Europian nuk do të fillojë negociatat për pranimin e Shqiperisë në BE, vetëm sepse ish-deputetët e opozitës hoqën dorë nga  mandati i deputetit dhe sepse opozita ka dalë rrugëve me protesta edhe të dhunshme. Duket se Perëndimi këtë radhë nuk po bie në grackën djallëzore të opozitës.

Ndërsa në Parlament po hyjnë disa nga kandidatët e listës së PD dhe të PS, duke krijuar një opozitë tjetër parlamentare, kryeministri Rama deklaron se nuk largohet nga posti, duke paralajmëruar se do të miratojë reformën zgjedhore dhe disa ligje në funksion të reformës në drejtësi. Mendoni se e ka legjitimitetin ky parlament dhe kjo mazhorancë për të vijuar më tej?

Zef Brozi: Së pari, unë përshëndes dhe ju uroj suksese të gjithë deputetëve të opozitës, që nuk pranuan të lënë mandatet, si edhe deputetët e rinj të opozitës që pranuan dhe po pranojnë të marrin mandatin e deputetit. Legjitimiteti i qeverisë dhe Parlamentit bazohet në votat dhe rezultatin e zgjedhjeve të Qershorit 2017, nga ku doli qeveria dhe mazhoranca dhe jo në tekat djallëzore të disa politikanëve dhe drejtuesve partiakë. Parimi i demokracisë është i qartë: Për sa kohë ato zgjedhje u njohën si të rregullta nga KQZ, partitë dhe institucionet ndërkombëtare, atëherë Parlamenti, Qeveria dhe mazhoranca janë legjitime dhe duhet të vazhdojnë me vendosmëri reformat që do i hapin rrugën pranimit të Shqipërisë në familjen europiane dhe në Bashkimin Europian.

Presidenti Ilir Meta deklaroi disa ditë më parë se është gati të japë dorëheqjen dhe për më tepër të sakrifikojë dhe jetën për të zgjidhur krizën politike. Sa seriozisht i ka Meta këto deklarata dhe mendoni se kjo është arsyeja e vërtetë që e ka artikuluar këtë lëvizje?

Zef Brozi: Presidenti është krejt i lirë të vendosë për dorëheqjen e tij, pjesa e dytë e deklaratës, ajo e gatishmërisë për vetësakrifikimin e jetës së tij, lë një shije të hidhur, edhe kur e thotë një njeri i zakonshëm, aq më tepër kur këtë e ka thënë Presidenti. Besoj se Presidenti nuk e ka seriozisht, por e ka thënë thjesht sa për shaka e publicitet, sepse me sa di ai vazhdon të jetë shëndosh e mirë dhe President.

Mendoj se një President i zgjedhur direkt nga populli dhe jo me pazare partish do të jetë Presidenti që i duhet Shqipërisë, prandaj duhen bërë ndryshimet dhe shtesat e nevojshme në Kushtetutë, që Presidenti i ardhshëm të mos emërohet nga kryetarë partish, por ta zgjedhë vetë populli. Parlamenti i sotëm mund dhe duhet ta bëjë edhe këtë reformë jetike.

Ngritja e institucioneve të drejtësisë së re, SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, do t’i japë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe i mendoni “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit, krimit dhe trafiqeve, përfshirë dhe politikanët e lartë prapa hekurave të burgut, me mbështetjen dhe të SHBA e BE kuptohet?

Zef Brozi: Misioni i SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit është pikërisht dhënia fund e paprekshmërisë dhe pandëshkueshmërisë së pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve të rangjeve të larta për krimet dhe korrupsionin e tyre, që i ka shkaktuar e shkakton dëme të jashtëzakonshme vendit tonë të dashur. Nëse nuk realizohet ky mision, atëherë vetë Reforma në Drejtësi do shkonte drejt dështimit. Unë besoj se disa institucione ndërkombëtare dhe ndonjë institucion në Shqipëri kanë filluar përgatitjen e dosjeve për çështjet e para që do të fillojnë SPAK dhe BKH. Një mal me prova ka dhe duhet vetëm vullneti dhe kurajo e organeve të reja të Reformës në Drejtësi dhe institucioneve të tjera.

Ka ardhur koha që disa nga dosjet e rënda të krimit, përfshirë “Gërdecin”, “Rrugën e Kombit”, “21 janarin”, aferën e CEZ dhe shumë krime dhe abuzime të tjera me pushtetin të rihapen dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë?

Zef Brozi: Të gjitha këto krime duhej të ishin ndëshkuar me kohë. Por meqenëse prokuroria dhe gjyqësori nuk e kanë bërë detyrën e tyre deri tani, këto janë çështjet e para me të cilat duhet ta fillojnë punën SPAK dhe BKH. Nëse edhe këto organe nuk i vënë para drejtësisë autorët apo organizatorët e këtyre krimeve, ish-pushtetarë a pushtetarë të lartë, atëhere do të jetë e nevojshme që vetë këta prokurorë e hetues të vihen para drejtësisë pa asnjë tolerim për abuzimin e tyre me pushtetin.

Si e konsideroni qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, tashmë që po mbyll vitin e dytë të mandatit të dytë dhe sa e shikoni të gatshme opozitën për të ardhur në pushtet?

Zef Brozi: Qeveria dhe mazhoranca kanë kryer disa reforma rrënjësore, që po e afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Europian dhe Perëndimin. Natyrisht që pritshmëritë e qytetarëve me të drejtë janë shumë më tepër. Unë mendoj se Qeveria, Parlamenti dhe institucionet e tjera shtetërore nuk kanë bërë sa duhet për ndëshkimin e korrupsionit të qeverive të mëparshme dhe të korrupsionit të sotëm.

Mazhoranca dhe Partia Demokratike nuk patën vullnetin të bëjnë një reformë reale zgjedhore, sidomos për të ndryshuar sistemin aktual zgjedhor, i cili është një sistem jodemokratik dhe i pandershëm, dhe për depolitizimin e KQZ dhe të komisioneve të zgjedhjeve dhe komisioneve të numërimit.

Faktet po tregojnë se opozita e sotme akoma ka në gjirin e saj ish-drejtues, drejtues e politikanë, që duhet të vihen sa më shpejt para përgjegjesisë ligjore për krimet dhe korrupsionin e tyre, brenda e jashtë Shqipërisë. Pra, opozita duhet të pastrohet nga klanet e saj kriminale dhe të riorganizohet rrënjësisht. Fatkeqësisht, opozita e sotme po ëndërron të marrë pushtetin me dhunë ose në tavolinë me pazare të turpshme, por me votë asaj do t’i duhen disa vite dhe lidership krejt i ri që të shpresojë se mund të fitojë.

INTERVISTOI – DORINA ÇOKU

Intervista Kriza politike Reforma në Drejtësi Zef Brozi