Ekonomi19 Nëntor 2018, 13:24

Eksportet rriten 16% për 10 mujorin, kryesojnë nafta e metalet; rënia e Euros çon në pikiatë këtë material

Shkruar nga Pamfleti
Eksportet rriten 16% për 10 mujorin, kryesojnë nafta e metalet;

Eksportet rriten 16% për 10 mujorin, kryesojnë nafta e metalet; rënia e Euros çon në pikiatë këtë material

Eksportet arritën në 262 miliardë lekë gjatë 10 muajve të parë të këtij viti, duke u rritur me 16%, krahasuar me një vit më parë sipas statistikave të INSTAT.

Gjatë muajit tetor eksportet shënuan vlerën 30 miliardë lekë, me një rritje prej 21.2% në krahasim me një vit më parë dhe 14.8% në krahasim me muajit shtator.

Edhe përgjatë tetorit rritja e eksporteve është mbështetur nga grupi minerale dhe lëndë djegëse.

Në rritjen vjetore prej 21.2%, ndikimi ka ardhur nga grupi  “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, i cili ka kontribuar me 8.8%, pasuar nga “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 4 pikë përqindje“, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 3.1 pikë përqindje.

Grupi “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, ka udhëhequr rritjen e eksporteve këtë vit, pas një periudhe disa vjeçare kur ky grup u ngadalësua për shkak të çmimeve të ulëta të naftës në bursat ndërkombëtare dhe uljes së prodhimit nga Bankers Petroleum, që është eksportuesi më i madh në vend dhe shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës. Eksportet e këtj grupi arritën në 49.5miliardë lekë për 10 mujorin, me një zgjerim prej gati 37%.

Grupi i “tekstile dhe këpucë”, që është grupi kryesor i eksportuar në vend ka pasur një ecuri të dobët këtë vit, i ndikuar nga zhvlerësimi i euros, që po ul të ardhurat në lekë të eksportuesve. Sipas të dhënave për 10 muajt e parë të vitit, eksportët arritën 103 miliardë lekë, me rritje me bazë vjetore prej 6%.

Në rritje vijuan dhe eksportet e “materiale ndërtimi dhe metale”, që arritën në 45 miliardë lekë, me një zgjerim prej 25% për 10 mujorin, të ndikuara kryesisht nga kompania Kurum, e cila pasi ka funksionuar ristrukturimi për efekt falimenti i shpallur në mars 2017 është vënë në eficiencë të plotë dhe ka zgjeruar eksportet e metaleve kryesisht në tregjet e rajonit, ku mbizotëron Kosova, ndonëse po preken dhe ata nga zhvlerësimi i euros. Pesha e këtij grup në totalin e eksporteve është rreth 17%.

Eksportet e “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” ishin të dytët për sa i përket kontributit gjatë tetorit me 4%.  Eksportet për 10 muajt e parë të vitit ishin 15 miliardë lekë, me një rritje 22.5% me bazë vjetore. Rritja e eksporteve të këtij grupi ka ardhur si rrjedhojë e aktivitetit të kompanive gjermane që prodhojnë me fason kabllo elektrike, si Forschner që ka filluar aktivitetin në 2015 me një fabrikë në Vaqarr dhe tani po kërkon të zgjerohet.

Eksportet e “ushqimeve pijeve dhe duhanit“, kanë pasur një ecuri më të ngadaltë këtë vit. Eksportet për 10-mujorin ishin 26 miliardë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 9.3%.

Ulet sërish deficiti

Gjatë tetorit importet e mallrave arritën vlerën 58 mld lekë, duke u rritur me 1,0 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 14,0 %, në krahasim me Shtator 2018. Deficiti tregtar i këtij muaji është 28 mld lekë, duke u ulur me 14,2 %, krahasuar me Tetor 2017 dhe rritur me 13,1 %, në krahasim me Shtator 2018

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Në muajin Tetor 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Tetor 2017 janë: Italia (3,5 %), Spanja (91,7 %) dhe Kosova (46,8 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina (-4,6 %), dhe Ukraina (-36,0 %). Gjatë këtij dhjetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (3,9 %), Kosova (27,5 %) dhe Spanja (66,7 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kina (-35,6 %), Ukraina (-51,6 %) dhe Rusia (-57,6 %). Në muajin Tetor 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Tetor 2017 janë: Turqia (1,7 %), Kina (17,9 %) dhe Gjermania (3,4 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-4,3 %), Rusia (-28,1 %) dhe Zvicra (-53,0 %). Gjatë këtij dhjetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Turqia (4,7 %), Greqia (3,2 %) dhe Kina (9,7 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-0,5 %), Gjermania (-3,7 %) dhe Zvicra (-27,7 %)./Monitor

Ekonomi eksportet INSTAT