Rreth 50 kamera sigurie të sekuestruara nga Policia e Tiranës pritet të hedhin dritë mbi identifikimin e autorëve që morën pjesë në vrasjen e 66-vjeçarit Behar Sofia, mëngjesin e 25 shkurtit, në qendër të kryeqytetit.
Sekuestrimi i tyre është bërë përgjatë disa zonave të ndryshme nga mendohet të jenë larguar atentatorët, si përgjatë bulevardit, në zonën e liqenit drejt Komunës së Parisit, në rrugën e Elbasanit, e deri në zonën e Brrylit.
Disa kamera sigurie kanë fiksuar momentin kur përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe nëpër disa rrugica te rruga e Elbasanit e më tej në zonën e Liqenit, atentatori largohet me një biçikletë. Më pas, për të humbur gjurmët, mendohet të jetë ndihmuar nga të tjerë persona me një automjet.
Behar Sofia u qëllua me 2 plumba pranë piramidës dhe ndërroi jetë rrugës për në Spitalin e Traumës. Sipas familjarëve, 66 vjeçari kishte dalë për të blerë disa ilaçe, për shkak se kishte pak ditë që kishte kaluar Covid-in.