Kosova21 Shtator 2022, 14:36

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar Ardita Sinanin, këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Por, vendimi i Qeverisë së Kosovës po shihet si përçarje midis shqiptarëve nga pasardhësi i Sinanit në postin e kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi.

Në një prononcim për Pamfletin, Arifi ka thënë se me këtë vendim, Qeveria e Kosovës po mundohet ta ndikojë fatin e Preshevës.

“Në vend se të krijojë unitet në Luginë të Preshevës krijon përçarje në vazhdimësi, vendos marrëdhënie me një parti, për shkak se Sinani është kryetare e partisë së saj në Preshevë, e cila është humbëse e të gjitha zgjedhjeve, nuk e përfaqëson shumicën në vendin tonë dhe një parti që Sinani e përfaqëson duke qenë e akuzuar për korrupsion. Krejt kjo që po ndodh me këtë vendim është dëshmi e asaj që unë e them vazhdimisht, që Liburn Aliu është personi që mundohet fatin e Preshevës ta ndikojë me këso lloj vendimesh subjektive, përçarëse për Luginën e Preshevës pasi që e ka Sinanin komshi”, ka thënë Arifi.

Sipas tij, dy milionë eurot e planifikuara nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës, e të cilat nuk janë ndarë ende, janë shkas i këtij vendimi, në mënyrë që këto mjete “t’i kthehen sërish Qeverisë nëpërmjet Liburn Aliut”.

“Krejt këto bëhen për shkak të këtyre 2 milionë eurove që janë planifikuar në formë shumë korruptive, të shpërndahen në kanale e të kthehen sërish te Liburn Aliu dhe te Vetëvendosja”, ka thënë më tej ai.

Emërimin e Sinanit këshilltare politike të kryeministrit Kurti, e bëri të ditur të hënën Zyra e Kryeministrit nëpërmejt një komunikate për media.

Aty thuhet se ky është hapi i parë drejt themelimit të Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, që do të drejtohet nga Sinani.

“Kjo zyrë do të jetë në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna, ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe shtimin e bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre, si nevojë dhe domosdoshmëri e kohës”, thuhet në njoftim.

Ky vendim nuk është mirëpritur nga partia më e madhe opozitare në Kosovë.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se emërimi i Ardita Sinanit si këshilltare e kryeministrit Albin Kurti për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është hap i gabuar dhe i dëmshëm.

Çitaku shkroi në Facebook të martën, se sikur Kurti të ishte i sinqertë, nuk do ta emëronte Sinanin për shkak se ajo është kryetare e një subjekti politik në Preshevë.

“Sikur Kurti të ishte i sinqertë në qëllimin do të emëronte dikë a partiak. Së paku formalisht, zonja Sinani, para se ta publikonte vendimin për emërim si këshilltare politike në Qeverinë Kurti, do të duhej ta kishte publikuar dorëheqjen si Kryetare e PVD-së në Preshevë”, shkroi ajo.

Prishtine #liburn aliu Albin Kurti Ardita Sinani Lugina e Presheves Shqiprim Arifi

Kosova