Aktualitet21 Maj 2019, 15:56

Esat Pasha dorëzon Shkodrën, tronditen Fuqitë e Mëdha

Shkruar nga Pamfleti
Esat Pasha dorëzon Shkodrën, tronditen Fuqitë e Mëdha

Esat Pasha dorëzon Shkodrën, tronditen Fuqitë e Mëdha

Nga Nuri Dragoj

Qyteti u nënshtrohet plaçkitjeve ushtarake

Ushtria malazeze me masakrat që po bënte, i kalonte të gjitha parashikimet. Ata vrisnin, grabisnin dhe pastaj digjnin çdo gjë pa mëshirë. Në atë kohë malazezët kishin djegur 250 dyqane në Shkodër. Plaçkat më cilësore ishin grabitur. Trembëdhjetë lundra të mbushura me to ishin nisur për në Malin e Zi. Duke parë se çështja e Shkodrës për tryezën e Londrës ishte në axhendën kryesore të atyre ditëve, shtypi europian i kushtonte vëmendje të veçantë. Në atmosferën e përgjithshme ndihej se për shkak të Shkodrës nuk përjashtohej rreziku i një lufte botërore. Në fakt, ajo kishte kohë që po trokiste nëpër kancelaritë europiane.
Gazeta, “Times” shkruante: “Austro – Hungaria nuk duhet të dyshojë aspak në besnikërinë e Fuqive të Mëdha. Dyshimi duhet të jetë te Anglia, e cila po bën çfarë dëshiron Edward Grey. Ne bashkohemi me mendimin e Fuqive të Mëdha, se Shkodra duhet të mbetet në kufijtë e Shqipërisë autonome”. Ndërsa gazeta tjetër, “L’Humanité” nënvizonte: “Detyra e njerëzdashësve të Europës e do që kjo të mos heq dorë nga Shqipëria. Austro – Hungaria kurrë nuk do ta lejojë këtë”. Ndërsa Fremdenbla* theksonte: “Shkodra ra në duart e malazezëve, jo se Fuqive të Mëdha u mungonte bashkimi, por se u mungonte energjia. Durimi i Austro – Hungarisë ka qenë i madh. Ne presim që Europa të marrë masa për mosbindjen e Malit të Zi”.
“Neus Wiener Tageblat” kujtonte se Austria ishte e sigurt që vendimet e Fuqive të Mëdha nuk do të shkojnë dëm. Lënia e Shkodrës as që mund të mendohej, sepse do të ishte një dëm i madh për Shqipërinë. “La Petite Republique” vinte në dukje, se Mali i Zi duhej të dëgjonte Europën. Të mos mendonte se ai kishte gjithmonë të drejtë. “Le Figaro” evidentonte faktin, që Karl Nikolla i Malit të Zi kishte treguar mungesë respekti për Europën. Sipas saj, Austro – Hungaria nuk duhej të hiqte dorë ndaj masave të forta kundër Malit të Zi.
Ndërkaq, gazeta gjermane “Vossische Zeitung” theksonte: “Mali i Zi nuk do të luajë nga Shkodra, por Austro – Hungaria nuk duhet të heshtë. Ajo nuk duhet të lejoj që iniciativa e saj për autonominë e Shqipërisë të përqeshet”. Sipas Ëestemister gazet, Austro – Hungaria kishte bërë mirë që duroi për çështjen e Shkodrës. Vendimi i Fuqive të Mëdha nuk do të shkonte kot. Ndërsa Agjensia Telegrafike Raiter pohonte se Austro-Hungaria u kishte kërkuar Fuqive të Mëdha të vepronin, në të kundërt, ajo do ta detyronte me forcë Malin e Zi të lëshonte Shkodrën.
Deputetë të parlamentit gjerman publikuan një deklaratë në të cilën kërkonin shpjegime për çështjen e Shkodrës nga ministri i jashtëm Fon Jakov. Ministri u kishte deklaruar se ajo i takonte Shqipërisë dhe se Gjermania nuk lëshonte aspak në këtë pikë. Në këtë mënyrë, debatet për Shkodrën sensibilizuan gjithë Europën brenda një periudhe kohore të shkurtër.

Si u dorëzua Shkodra nga Esat Pashë Toptani
Në fillim të muajit prill Syrja bej Vlora ndodhej në Shkodër. E kishte të vështirë të largohej, për shkak të luftimeve të ashpra në rrethinat e maleve të Kuklit dhe Barbullushit. Ai mendonte se disfata turke do të ishte e shpejtë, gjë të cilën ia kishte thënë edhe konsullit austriak në Shkodër, Adolf Ritter von Zambauer. Shkodra po rezistonte. Ndonëse qyteti ishte i kërcënuar nga uria dhe bllokada, përsëri ajo mbeti deri në fund një qytet i papushtueshëm. Më 24 tetor ishte marrë mali i Shirokës. Por përsëri kjo nuk tregonte asgjë vendimtare për luftën e serbo-malazezëve. Tri ditë më vonë do të bombardohej Shkodra nga Mali i Zi, nga veriperëndimi dhe jugu, në një kohë që mbreti Nikolla vëzhgonte veprimet nga ishulli i Vraninës së Liqenit të Shkodrës. Për t’u prerë furnizmet forcave ushtarake të kështjellës, ata pushtuan Shëngjinin më 29 tetor. Armët e rënda ishin vendosur në pozicion të avancuar në Oblikë. Ndërsa, midis Muriqanit dhe Oblikës ishin vendosur 24 batalione, pa llogaritur trupa të tjerë, që ndodheshin në Zogaj dhe malin e Shirokës. Gjithmonë thuhej se sulmi mbi Shkodër do të rifillonte më 31 mars.
Bombardimet shpesh herë zgjatnin gjithë ditën. Pazari i Shkodrës e kishte humbur gjallërinë. Ndonëse dyqanet ishin hapur, nuk kishte blerës. Kostoja e bukës rritej përditë dhe mungonte vajguri për gatim. Temperaturat ishin shumë të ulëta dhe njerëzit nuk guxonin të dilnin jashtë për të marrë dru zjarri pasi mund të vriteshin. Megjithatë fortesa e Shkodrës mbahej. Ishin vrarë mbi 7000 ushtarë malazezë dhe në radhët e tyre dominonte frika. Por, për të hyrë në Shkodër, batalionet malazeze u ndihmuan nga tradhtia e Esat Pashë Toptanit.

Studiuesi Xheladin Shala na sjell një fakt që flet për një mundësi kompromisi. Më 2 mars të vitit 1913, Esat Pasha i kërkonte me shkrim mbretit Nikolla, që të dërgonte në Shkodër Petar Plamenacin për të biseduar. Me të njihej mirë qysh në Stamboll.
Mbreti Nikolla ia dërgoi Plamenacin më 4 mars. Ai u takua me Esat Pashë Toptanin dhe biseduan për 4 orë. Fillimisht biseda ishte zyrtare, pasi u zhvillua në prani të kryeshefit të shtabit, majorit Keram Edin Begu dhe ndihmësit të tij, kapitenit Nasuf Begu. Pastaj takimi i Esat Pashës me Petar Plamenacin vazhdoi kokë më kokë. Aty mund të jetë hartuar dhe plani i tradhtisë për dorëzimin e Shkodrës.

Të nesërmen, Esat Pasha i shkruante gjeneralit malazez Martinoviç, që t’i dërgonte material për të plagosurit e shumtë në Shkodër. Pa kaluar dy ditë, mbretëresha Milena ia dërgoi porosinë me anije, ku gjendej një sasi të madhe e materialit sanitar. Ndërsa më 7 mars, qeveria ruse përpiqej të bindëte Serbinë, se Shkodra nuk mund të shpëtohej për shkak të rrugës që kishin marrë bisedimet në Konferencën e Londrës. Sazanov i tha ministrit të Jashtëm serb, se edhe po të pushtohej Shkodra, kjo nuk do të ndryshonte gjë. Kështu forcat ushtarake serbe u tërhoqën. Këtë deklaratë Sazanov e përsëriti edhe një muaj më vonë, pikërisht më 22 mars. Pas tërheqjes së serbëve, Mbreti Nikolla i Malit të Zi i shtoi përpjekjet për të bindur Esat Pashën të hiqte dorë nga qëndresa. Pashai toptanas u tregua i gatshëm të merrej vesh me Cetinën dhe vendosi të realizonte projektet e tij. Më 29 mars ai do t’u dërgonte malazezëve një toger turk, që e kishte si adjutant të parë. Ai do t’u tregonte atyre se eprori i tij ishte në shërbim të komandës së sllavëve”. Natën midis 9 dhe 10 prillit ishte nënshkruar dhe tradhtia.
Dukej se gjithçka ishte mbajtur sekret. Më 22 prill konti Mensdorff i lexoi Nicholsonit disa telegrame të dërguara nga Konti Berchtold me anë të të cilëve kërkonte të shtohej presioni mbi Malin e Zi.
– Ne propozojmë që repartet tona të Fuqive të Mëdha të pushtojnë menjëherë Ulqinin dhe Tivarin, – tha ambasadori austriak i Londrës.
– Unë mendoj se Fuqitë e Mëdha duhet të veprojnë për të respektuar vendimet e veta dhe të mos lejojnë që t’u kundërvihet Mali i Zi. Në rast se Shkodra do të bjerë para syve të flotës ndërkombëtare, Europa do ta bëjë veten qesharake, – vijoi ai, kur e pa që Grey ishte në rolin e dëgjuesit.
– Dakord, – i tha Nicholsoni, – por ju e dëgjuat vetë në mbledhjen e djeshme të konferencës. Nuk jemi të përgatitur për të zbarkuar reparte. Personalisht kam dyshime, se opinioni ynë publik nuk do të pranojë që jeta e ushtarëve britanikë të vihej në rrezik. Madje, një pjesë e opinionit ishte i mendimit se qeveria jonë kishte shkuar tepër larg, duke marrë pjesë në bllokadën ndaj Malit të Zi.
Më 23 prill, trupat ushtarake malazeze hynë në Shkodër dhe qyteti ra në duart e tyre. Me rënien e Shkodrës, ra edhe kështjella e fundit e rezistencës ballkanike. Po atë ditë ishte njoftuar dhe Konferenca e Londrës. Gazeta “Liri e Shqipërisë” e përshkruante ngjarjen si më poshtë: Zëvendësi i valiut dhe sundimtar i ushtrisë së Shkodrës, Esat Pashë Toptani, pasi u mor vesh me Preng Danilin, kryesundimtarin e ushtrisë malazeze dhe ranë në ujdi midis tyre për një marrëveshje lidhur me dorëzimin e Shokdrës, njoftoi dhe Fuqitë e Mëdha. Ja çfarë u shkruante ai: “Tash shtatë muaj, kështjella e Shkodrës, pa patur ndihma nga asnjë anë u qëndroi fuqive të armikut. Sot, meqënëse ushqimi që gjindej në kështjellë nuk mjaftonte për të mbajtur asnjë ditë ushtrinë, po ju bëj të njohur, se po i lëshoj kështjellën ushtrisë malazeze dhe po kthehem në Tiranë”.
Esati u kishte kërkuar malazezëve që ta lejonin të nxirrte nga qyteti gjithë trupat shqiptare dhe osmane bashkë me materialin luftarak që dispononin. Me pranimin e kushteve, më 22 prill 1913, ai e la Shkodrën në duart e tyre. Ndërsa sipas shënimeve të Kristo Dakos, Shkodra ishte tradhtuar prej Esat Pashës. Gjenerali do t’i dërgonte një mesazh oficerit malazez që komandonte operacionin e rrethimit. Ai e vinte në dijeni për dorëzimin e Shkodrës. Kushti i vetëm ishte që t’i krijonin mundësinë për t’u tërhequr drejt Shqipërisë së Mesme me 40 mijë luftëtarë dhe të shpallej mbret i Shqipërisë. Ky lajm e gëzoi mbretin Nikolla, i cili nisi menjëherë drejt tij gjeneralët Vukotiç dhe Plamenac. Marrëveshja e dorëzimit u nënshkrua në mesnatë dhe Esati u largua me nderime, sipas kushteve për të cilat kishin rënë dakord.

Konferenca në alarm, çfarë do të bëhet me Shkodrën?

Në mbledhjen e datës 25 prill do të diskutohej vetëm për Shkodrën dhe për masat që duheshin marrë ndaj Malit të Zi. U ra dakord që të bëhej një demarsh kolektiv. Malit të Zi do t’i caktohej një afat i shkurtër kohor për tërheqje, ndryshe do të niste bllokada.
Në atë mbledhje ambasadori austriak do të shprehej se vendimet lidhur me masat shtrënguese duhej të merreshin menjëherë. Duhej të parashikohej edhe mundësia e një zbarkimi në portet e Malit të Zi. Këtë deklaratë e mbështetën edhe ambasadorët e Italisë e Gjermanisë. Ndërsa ambasadori i Rusisë kërkoi diçka shtesë. Sipas tij, për të lehtësuar pranimin e notës së Fuqive të Mëdha nga ana e mbretit Nikollë, duhej bërë një lëshim. Mbreti të bëhej me dije, që në rast se do të plotësonte dëshirat e Fuqive të Mëdha, ato do të shqyrtonin kërkesën e tij për disa lëshime territoresh të tjera.
Lajmi i pushtimit të Shkodrës në Serbi ishte pritur me hare dhe ekstazë. Gjatë mbrëmjes ishte festuar me verë, shlivë e lotë gëzimi. Shtypi hungarez dhe austriak kërkonin luftë të hapur kundër Malit të Zi. Ndërsa Mbreti Nikolla, megjithë paralajmërimet e shumta të Fuqive të Mëdha, nuk kishte aspak frikë nga veprimet luftarake. Ai e dinte që ato nuk do ta sulmonin kurrë. Ishte i bindur që Rusia do ta mbështeste kurdoherë pas kuintave. Nga ana tjetër, mbreti i Italisë nuk mund ta hidhte poshtë. Këto ishin dy nga shkaqet që mbreti Nikollë nuk u trembej ultimatumeve të Fuqive të Mëdha, të cilat në çdo kohë flisnin për ta ndihmuar mbretin Nikollë me financime apo me territore kompensuese.

Më 26 prill pazari i Shkodrës u përfshi nga një zjarr i madh. Flakët e tij dukeshin deri në Cetinë. Ujë nuk kishte dhe flakët u përhapën me shpejtësi. Në shkrimin me titull, “Fuqitë e Mëdha dhe çështja shqiptare”, gazeta zagrebase “Obzor” shkruante më 8 maj për zjarrin në Shkodër dhe panikun që kishte përfshirë popullsinë. Dëmi ishte i madh dhe llogaritej në mijëra kruna. Ky ishte një nga krimet e fundit të ushtrisë malazeze. Ata kishin marrë urdhër të tërhiqeshin. Ndaj, disa ditë para largimit vendosën të digjnin tregun e qytetit.

Berchtold një ditë më vonë

Më 27 prill Berchtold takoi ambasadorin britanik.
– Jam shumë i zhgënjyer nga rezulati i mbledhjes së ambasadorëve më 25 prill, – nisi bisedën Berchtold. – Propozimi për një bllokadë më të efektshme, – është lojë fjalësh tha ai. Pastaj shtoi dhe diçka tjetër në lidhje me premtimin ndaj Malit të Zi, të cilin e quajti të paefektshëm. Duke trokitur gishtat në tryezë, vështroi në sy ambsadorin Cartwright dhe vijoi:
– Austria ka arritur në kufirin e fundit të durimit. Mund të presë dhe pak ditë, pastaj do të veprojë.
Pasi u mendua pak, Berchtold vazhdoi.
– Më 29 prill, mbreti Nikoll i Malit të Zi ka propozuar të hyjë zyrtarisht në Shkodër dhe të shpallë aneksimin e qytetit. Kjo është e patolerueshme dhe e rrezikshme.
– Ju jeni kundër kompensimeve për Malin e Zi, – e pyeti Cartwright, i cili u mëshonte më shumë koncesioneve, se sa presioneve për Malin e Zi.
– Ky do të ishte një shpërblim për kundërshtimin e suksesshëm të vullnetit të Europës, – tha Berchtold dhe shtoi, se një veprim i tillë do t’i jepte zemër Greqisë. Ajo do të qëndronte e patundur në pretendimet e veta për Shqipërinë e Jugut.

Cartwright po e vëzhgonte me vëmendje. Priste që tjetri të thoshte diçka në lidhje me audiencën që kishte patur një ditë më parë me shefin e shtabit te perandori.
Berchtold u shpreh se edhe po të ndodhte që Austria të detyrohej për të vepruar e vetme, do të kishte kurdoherë mbështetjen morale të Italisë.
Kjo shprehje i solli në mend Cartwright, se ndoshta princi apo vetë mbreti i Italisë, kishte ushtruar ndikimin e tij për të refuzuar çdo aksion të armatosur kundër malazezëve. Italia mund të kishte premtuar formalisht mbështetje morale ndaj Austrisë.
– Sido që të jetë, – tha Berchtold, – Austria mund të ndërmarrë ndonjë veprim ushtarak kundër Malit të Zi. Por shpresoj që edhe pas kësaj, bllokada e bregdetit nga Fuqitë e Mëdha të mos ndërpritej. Në të kundërt, tërheqja e flotës ndërkombëtare mund t’u jepte atyre më shumë zemër për të kundërshtuar me çdo kusht.

Rusia dhe Franca

Rusia dhe Franca ishin shprehur kundër bombardimit të Malit të Zi. Anglia abstenonte. Italia ndodhej në dilemë. Megjithatë, më 28 prill ajo do të pranonte të mbështeste Austrinë. Po atë ditë ministri i Jashtëm rus i shprehu pakënaqësi ambasadorit britanik lidhur me nismat e Austrisë. Kur ambasadori anglez e pyeti se çfarë do të bënte Rusia nëse austro-hungarezët sulmonin Malin e Zi, ai iu përgjigj: Nuk mund të shprehem pa u konsultuar me perandorin. Por, si fillim, do të bëjmë publike një deklaratë ku do të sqarojmë se veprimi i Austrisë është një gabim politik. Ndaj ne nuk marrim asnjë përgjegjësi morale.
Më 29 prill, ministri i Jashtëm austriak paralajmëroi për herë të fundit, se do të priste vetëm rezultatet e mbledhjes së të enjtes. Ndërkohë, ambasadori italian në Shën Petërburg deklaronte, që Italia nuk do të merrte pjesë në asnjë lloj veprimi ushtarak. Ndërsa në lidhje me qëndrimin e Austrisë, ai i pohoi Buchananit:
– Nëse Austria do të ndërmarrë një iniciativë të veçuar, duhet të kufizohet vetëm brenda territorit shqiptar, për të detyruar mbretin Nikollë të tërhiqet nga Shkodra. Në asnjë mënyrë nuk duhej bërë pushtimi i Cetinës apo pikat strategjike në kufirin e Malit të Zi.
Debatet vazhdonin dhe lajmet nga Shkodra trokisnin në kancelaritë europiane orë pas ore. Papritmas, në ato qarqe nisi të flitej për shkaqet e rrëzimit të Shkodrës. Sidomos për tradhtinë e Esat Pashë Toptanit. Thuhej se ai e kishte dorëzuar Shkodrën kundrejt marrëveshjes me Mbretin Nikollë, për t’u bërë princ i shqiptarëve. Thuhej gjithashtu se kishte marr 16.000 L nga serbët. Pranohej se kjo tradhti nuk ishte e para, as për Toptanin dhe as për disa pseudopatriotë të tjerë shqiptarë.
Pasditen e 1 majit, Berchtold ishte takuar përsëri me ambasadorin Cartwright, të cilit i kishte thënë se bisedimet e Austrisë me Italinë po ecnin mirë. Jo thjesht për një veprim paralel, por për interesa, pasi Italia do të kishte Shqipërinë e Jugut dhe Austria Shqipërinë e Veriut.
– A do t’i dërgoni një ultimatum Malit të Zi, para se sa të veproni?- e pyeti ambasadori.
– Rruga e fillimit operacional nuk është përcaktuar ende. Na duhet të bashkërendojmë punët me Italinë për shumë pika ushtarake.

Tjetri nuk mbeti i qartë, ndaj vijoi:

– A do t’u jepni kohë Fuqive të Mëdha për të bërë përpjekjen e fundit ndaj mbretit Nikollë, që të tërhiqej? – ripyeti Cartwright, më shumë për të marrë vesh nese plani i Austrisë ishte i afërt, apo ende një plan në diskutim e sipër.
– Ende ka kohë për ta bërë këtë. Unë nuk do të përshpejtoj asgjë dhe ju them se Austria nuk do të ndërrmarë asnjë veprim ushtarak, derisa të përfundojnë bisedimet me Italinë.
– Kam informacion se kini porositur ambasadorin austriak në Londër, që të largohet nga mbledhja e ambasadorëve.
– Jo, – tha Berthold. Tani për tani nuk kam ndërmend të jap udhëzime të tilla.

Më 1 maj, pikërisht kur Austro – Hungaria po detajonte planet ushtarake kundër Malit të Zi, një delegat malazez takoi E. Greyn dhe i dorëzoi atij një promemorie. Pastaj i shtroi pyetjen:
– Në rast se Mbreti Nikolla e pranon zgjidhjen që Shkodra të përfshihet në Shqipëri, a do t’i japin Fuqitë e Mëdha ndonjë kompensim territorial Malit të Zi?
Grey u drejtua nga ambasadori i Cetinës dhe tha:
– Në rast se Mali i Zi do të zbrazë Shkodrën, ju do të merrni një ndihmë financiare, e cila ka qenë në shqyrtim nga Fuqitë e Mëdha. Por, nëse nuk e zbrazni Shkodrën, me siguri do të dëboheni prej andej, duke braktisur çdo shpresë për ndihmë. Në këtë rast pasojat do të jenë shkatërrimtare.
Më 3 maj, mësohej nga gazetat se Austro – Hungaria do të priste deri ditën e hënë, për të dëgjuar rezultatet e fundit të mbledhjes së Londrës. Ditën e martë në mëngjes, sipas gazetave, do të niste sulmi. Por ministri i Jashtëm austriak, gjatë takimit me ambasadorin britanik mohoi vërtetësinë e këtyre lajmeve. Në të njëjtën ditë ishte publikuar lajmi, se në qytetin e Specias kishte urdhër për mobilizimin e flotës italiane. Gjithashtu, pas dy anijeve të ardhura nga Brindizi, pritej edhe dislokimi i të tjerave.
Era e luftës ndihej ngado. Në një përkujtesë të qeverisë ruse të datës 2 maj thuhej midis të tjerave, se Rusia nuk do të pranonte të mbante përgjegjësi morale për çfarë do të ndodhte. Në rast të veprimeve të veçuara, barra do të binte mbi Austro – Hungarinë.
Ishte momenti kur tërheqja e Malit të Zi nga Shkodra nuk diskutohej më. Mbetej çështja e kompensimit territorial. Përë këtë arsye, ambasadori rus në Paris, Izvolski takoi drejtorin politik të Ministrisë së Jashtme dhe i transmetoi një komunikim të Sazanovit. Në të kërkohej, që të realizohej kompensimi për Malin e Zi me territore shqiptare. Nuk bëhej fjalë për territore që i ishin dhënë apo që do t’i jepeshin Serbisë.
– Franca duhej të ndikonte pranë qeverisë austriake, – tha Izvolski.
Drejtori Politik francez tundi kokën. Sipas tij, do të ishte e vështirë për qeverinë franceze të vepronte sipas dëshirës së Sazanovit. Më parë duhej konsultuar me qeverinë britanike. Por lajmet që vinin nga Parisi ishin tronditëse. Ato dukeshin herë si veprime objektive dhe herë të tjera mbartnin elemente servilizmi ndaj Rusisë. Por më 4 maj, qeveria franceze do t’i dërgonte ambasadorit të vetë në Konferencën e Londrës disa udhëzime të rëndësishme. Në to flitej për marrëveshjen italo – austriake ndaj Shqipërisë. Thuhej ndër të tjera se çështja shqiptare ishte çështje europiane. Në rast se Italia dhe Austria kishin një motiv tjetër për të ndarë Shqipërinë midis tyre, Adriatiku do të pushonte së qeni asnjanës. Shqipëria midis Austrisë e Italisë do të ishte një pengesë për Antantën e trefishtë. Madje kjo mund të rrezikonte paqen e përgjithshme.
Në realitetin e ri gjendja filloi të komplikohej. Nisi të diskutohej edhe roli trubullues i Esat Pashës. Por gjatë takimit të ambasadorëve të Britanisë dhe Francës me ministrin e Jashtëm rus për çështjen e Shkodrës, Sazanov, u tha:
– Pavarësisht se si do të zgjidhet problemi i Shkodrës, kam informata të besueshme, që Austria dhe Italia kanë bërë plane për pushtimin e Shqipërisë. Në realitetin e ri, Franca dhe Anglia do të duhet të deklarojnë qëllimin e tyre për të zbarkuar në disa pika të Shqipërisë. Rusia do t’i japë mandatin e saj Francës për të vepruar po ashtu.
Më tej ai vazhdoi:
– Tani Shkodra është vetëm një pjesë e çështjes së madhe të Shqipërisë. Unë mendoj, se pushtimi i gjithë Shqipërisë nga trupat ndërkombëtare do t’i shërbente edhe zgjidhjes së Shkodrës. Propozoj, që secila pikë e shtetit të ri duhet të mbahet e pushtuar nga dy trupa, që u përkasin të paktën dy kombësive të ndryshme. Kështu mund që të parandalohet krijimi i sferave të influencës. Dhe në rast se qeveria austriake do të shpallë një veprim të menjëhershëm, ne duhet të protestojmë.
Ndërkaq, ambasadori francez e pyeti:
– Si do të mund të bashkohet Rusia me një pushtim ndërkombëtar të Shqipërisë?
– Nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, pa marrë udhëzime nga perandori, – tha ministri i Jashtëm rus, duke fshehur në këtë mënyrë pjesëmarrjen e rusëve nëpërmjet ushtrive serbe.
Më në fund Sazanov shtoi:
– Ju lutem, mos bëni asnjë deklarim të Fuqive lidhur me mosinteresimin për pjesë të veçanta të Shqipërisë pa konfirmimin e ambasadorit rus.
Mbreti Nikolla e kuptoi që çështja e Shqipërisë ishte më e thellë se sa mendohej më parë pej tij. Më 4 maj ai do t’i trasmetonte Greyt një mesazh, ku midis të tjerave thuhej: “Dinjiteti im dhe i popullit tim nuk më lejojnë që t’u nënështrohem veprimeve të veçuara. Ndërsa fatin e qytetit të Shkodrës e vë në duart e fuqive”. Me këtë rast, Mbreti Nikolla synonte të tregonte deri në fund krenarinë e tij për të mos iu nënshtruar Austrisë. Nga ana tjetër interesohej për pajtimin me Fuqitë e Mëdha, për të përfituar kompensimet e premtuara territoriale edhe financiare në këmbim të lëshimit të Shkodrës.

Pas mesazhit të mbretit Nikolla, që e linte fatin e Shkodrës në duart e Fuqive të Mëdha, mbledhja e ambasadorëve shpërndau një rezolutë. Në të thuhej se do të merreshin masa që të sigurohej dorëzimi i qytetit te komandantët e skuadriljes ndërkombëtare. Ndërsa ambasadori italian njoftonte se projekti austro – italian për Shqipërinë ishte i gatshëm, në bazë të vendimeve të mbledhjes së ambasadorëve, mbajtur disa muaj më parë. Por edhe Grey ishte shprehur që, nëse do të duhej të merreshin veprime ushtarake në Shqipëri për ruajtjen e rendit, ato duhej të ishin ndërkombëtare.
Ngjarjet për Shqipërinë zhvilloheshin me shpejtësi dhe ndryshonin ditë pas dite. Të gjitha vendet që përfaqësonin Fuqitë e Mëdha, kishin plane të fshehta për copëtimin e kombit shqiptar dhe përfitimin në mënyra të ndryshme. Por, sapo u zgjidh çështja e Shkodrës, në Romë u parashtrua problemi i kufirit shqiptar me Greqinë. Italia kishte pretendime për disa territore të pushtuara paraprakisht prej grekëve. Pra, interesimi i tyre bëhej për përfitime në favor të Italisë dhe jo të Shqipërisë. Dukej se Italia dhe Austria po e trajtonin Shqipërinë si një “qingj”, duke u kujdesur që ai të mos binte në gojën e “ujqëve” të tjerë, në mënyrë që në momentin e përshtatshëm, të dy bashkë, ta shqyenin qetësisht. Ndërsa në mbledhjen e datës 8 maj, ambasadori austriak dhe ai italian kërkuan që nga projekti i organizimit të Shqipërisë të hiqeshin dispozitat që e vendosnin atë nën një suzerenitet të Sulltanit. Me këtë qasje, ata hoqën pengesën “ligjore” për pushtimin dhe copëtimin e ardhshëm të Shqipërisë prej tyre.

Malazezët gjunjëzohen, Shkodra nën kontrollin ndërkombëtar

Më 14 maj qyteti i Shkodrës ishte dorëzuar prej forcave ushtarake malazeze. Dokumenti i dorëzimit u firmos nga qeveritari civil Petar Plamenac, nënadmirali Sir Cecil Burney dhe oficerë e komandantë të Flotës Ndërkombëtare. Ndërsa një ditë më vonë, ministri italian i Punëve të Jashtme thirri të ngarkuarin me punë të Greqisë dhe në mënyrë brutale i tha:
– Unë nuk mund të lejoj që Greqia të mbajë të dy brigjet e Kanalit të Korfuzit, prandaj tërhiquni ose do të filloj luftën për ta penguar këtë.
I ngarkuari grek e dëgjoi me qetësi dhe nuk foli. Ai i raportoi menjëherë ministrit të jashtëm grek, i cili e trajtoi këtë paralajmërim si një sinjal të Italisë kundër Fuqive të Mëdha.
Më 15 maj, shumica e ambasadorëve të Fuqive të Mëdha nuk ndodheshin në Londër. Kishin ikur në vendet e tyre për të zhvilluar takime me ministrat e jashtëm. Por ambasadori italian u gjend qysh në mëngjes në zyrën e Edward Greyt, i cili e priti menjëherë.

– Në bazë të udhëzimeve të ministrit të Jashtëm italian, ju bëj thirrje që të pranoni faktin, se sa shumë ka bërë Italia për të zbutur çështjen e kufijve verilindorë të Shqipërisë, – tha diplomati italian.
Grey mbeti disi i habitur nga hyrja që bëri ambasadori italian. Ai donte të thoshte diçka, por diplomati i Romës nuk e la.
– Mjafton të përmend këtu ndikimin tonë në Vjenë në të mirë të koncensioneve për Serbinë dhe Malin e Zi. Prandaj kërkoj të më dëgjoni për këtë që do t’ju them, –vazhdoi ai.
– Çfarë? – pyeti Grey, megjithëse në vetevete e dinte mjaft mirë, që pas zgjidhjes së Shkodrës, kishte plasur sheshit çështja për kufijtë e Greqisë me Shqipërinë.
– Unë kërkoj, që të na ndihmoni për të gjetur një rregullim të kufirit jugor të Shqipërisë, ku kanalit të Korfuzit duhet t’i kushtohet vemëndje më e madhe. Italia dhe Austria e ndjejnë se do të jetë i patolerueshëm zotërimi i gjithë kanalit të Korfuzit nga ana e Greqisë. Mendoni për një moment se çfarë do të bënte Franca, sikur të kishte qenë në vendin e Italisë?
Grey nuk foli.
– Ta them unë, – vazhdoi diplomati italian, – ajo kurrë nuk do të lëshonte në këtë pikë. Ndërsa Sazanov, duket sikur ka harruar gjithçka që ka bërë Italia dhe tani thotë se duhet të pajtohemi me pushtimin e Shqipërisë nga Greqia. Me fjalë të tjera, ai thotë që grekët nuk duhet të dëbohen nga zonat që kanë pushtuar.
Greyt i dhimbte koka. Një dhimbje e tillë, gati po i bëhej kronike. Ambasadori italian, duket e kuptoi këtë dhe u ngrit, duke i thënë me shpejtësi fjalët e fundit.
– Lidhur me koncesionet ndaj Greqisë në jug të Shqipërisë, unë do t’i mbështesë. Por me kusht që bregdeti të garantohet për Shqipërinë. Për të nuk mund të bëhen lëshime, – theksoi Imperiali Ky paralajmërim ishte si tingulli i parë i sahatit të madh, në orën 12.00 të natës, pas së cilës askush nuk mund t’i garantonte vetes gjumë të qetë, pasi priteshin edhe 11 tinguj të tjerë.
Ambasadori doli. Megjithatë, katër ditë më vonë, dhe pikërisht më 19 maj, ai hyri përsëri në zyrën e Greyt.
– Pika për ishujt e Egjeut është zgjidhur, – tha ai.
– Si?- e pyeti Grey.
– Italia do t’ia dorëzojë Greqisë ishujt që kishte pushtuar, për të rregulluar kufirin jugor të Shqipërisë, por tre kushtet tona janë: Kufiri i Greqisë nuk duhet të shkojë më në veri të pikës që kemi përcaktuar; i gjithë kanali i Korfuzit të bëhet asnjëanës dhe ishulli i Sazanit t’i mbetet Shqipërisë. Ju si mendoni?
– Do të bisedoj me ambasadorin rus dhe francez dhe do të ulemi prapë, – i tha Grey.
Kryebashkiak i Shkodrës emërohet komandanti gjerman
Pas dorëzimit të Shkodrës nga malazezët, për administrimin e qytetit ndërkombëtarët caktuan komandantin e forcave gjermane, V. Klitzing. Ai do të luante rolin e kryetarit të Bashkisë. Për shkak të padrejtësive që po ndodhnin në Konferencën e Londrës, më 18 maj, krerët e Malësisë së Madhe do t’u shkruanin Fuqive të Mëdha. Sipas tyre, Malësia e Mbishkodrës, Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati e Shkreli, për nga gjaku, gjuha, kanuni e zakonet, janë njëlloj me gjithë kombin shqiptar. Të tilla janë gjithë trevat nga Dukagjini deri në malësi të Lezhës. Populli shqiptar ka tre vjet që lufton për liri kundër robërisë osmane bashkë me malazezët, duke derdhur sasi të madhe gjaku. Nëse ato territore nuk do t’i lihen Shqipërisë, ka për të vazhduar të derdhet gjak deri në lirimin e plotë të tyre.
Tetë ditë pas këtij memorandumi, pikërisht më 26 maj 1913, krerët e Malësisë së Madhe u thirrën në një takim nga ndërkombëtarët. Aty u parashtruan kërkesat e parësisë shqiptare. Për nder të tyre u organizua dhe një drekë. Ajo u shtrua pranë sarajeve ku rrinin ushtarakët e Francës dhe Anglisë. Në të morën pjesë 150 malësorë nga Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati e Shkreli. Midis ndërkombëtarëve ndodheshin konsujt e Anglisë, Francës, Miss Durham, përfaqësues të flotës ndërkombëtare, etj. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast përshëndetën Ded Gjon Luli për Malësinë dhe zëvendësadmirali anglez, Cecil Burney.
Sipas Kristo Dakos, më 26 maj 1913, kishin shkuar te admirali Burney 130 krerë të fiseve të malësisë. Ata e quajtën atë ditë si më të madhen pas lindjes së Krishtit. Zëvendëskonsulli i Britanisë së Madhe do të deklaronte në shqip para tyre dhe admiralit Burney: “Krenë të fiseve malësore! Në emër të Komisionit Ndërkombëtar, jam tepër i lumtur t’ju uroj mirëseardhjen. E di, që prania juaj sot këtu është një shenjë besnikërie dhe vullneti të mirë. Ne jemi dërguar nga Fuqitë e Mëdha për të përuruar hapat e parë të një Shqipërie autonome. Shpresojmë sinqerisht se ju do të ruani rregullin absolut dhe qetësinë midis fiseve tuaja. Për të arritur këtë, do të na ndihmoni materialisht në detyrën tonë”. Pasatj ata shkuan te kazermat, ku u ulën si marinarë të hanin drekë në mencë.
Krerët shqiptarë kërkuan të drejtën e tyre për kufijtë e Shqipërisë. Përfaqësuesit e të mëdhenjëve mbajtën shënime. Ata informuan kancelaritë e tyre për gjendjen e kufirit në Veri dhe Veriperëndim. Dedë Gjon Luli me shokë ngritën edhe çështjen e flamurit shqiptar. Me një urdhër absurd ishte vendosur heqja e flamurit kuqezi. Në kështjellë dhe godinat zyrtare shiheshin vetëm flamujt e Fuqive të Mëdha. Pasi shqiptarët u ankuan, përfaqësuesi anglez u kishte thënë gjatë asaj dreke se po të dojë populli secili mund të vërë flamurin e tij në shtëpi.
Të nesërmen në çdo shtëpi shkodrane valëvitej flamuri shqiptar. Edhe prifti në kishën e Fretneve, ditën e Shën Anojt, kishte ngritur flamurin që mbante shqiponjën me dy krerë. Anglezët e patën urdhëruar ta zbriste, por nuk e kishte lënë populli.
Më 24 maj, populli i Elbasanit gjatë një mitingu për çështjen e kufijve të Toskërisë, do të dërgonte një telegram në adresë të konferencës dhe ministrave të jashtëm të Anglisë, Austrisë dhe Italisë. Mitingjet, protestat dhe telegramet e shqiptarëve në adresë të Konferencës së Ambasadorëve do të vazhdonin gjatë gjithë punimeve të saj. Pesë ditë pas Elbasanit, intelektualët Kristo Luarasi, Thoma Sotiri e Veli Kolonja, në emër të kolonive shqiptare në Bullgari, do t’i shkruanin konferences, se aq sa peshon Shkodra për Gegërinë, po aq peshon dhe Korça për Toskërinë. “Pa Korçën, s’ka përlindje për shpirtin e popullit shqiptar. Ajo është Athina jonë. Pa Korçën, toskët humbasin ndjenjat e shenjta mendore dhe e ardhmja vihet në rrezik. Në emër të popullit shqiptar, ju lutemi nxehtësisht shkëlqesisë suaj, të kini mirësinë dhe të vendosni që Korça me rrethet e saj të mbesin në Shqipëri”. Ndërsa pak ditë më vonë, patriotët Idhomen Kosturi dhe Mihal Gramen do të dërgonin në emër të shqiptarëve nga Roma telegrame të njëpasnjëshme për konferencën, në mbrojtje të territorit shqiptar.

Histori Esat Pasha dorëzon Shkodrën tronditen Fuqitë e Mëdha