Eskobarët shqiptarë: Kur shoferi i Monikës kapej me 20 kile heroinë dhe Ilir Meta bashkohet me Berishën e shkarkojnë Kryeprokurorin

Eskobarët shqiptarë: Kur shoferi i Monikës kapej me 20 kile heroinë dhe Ilir Meta bashkohet me Berishën e shkarkojnë Kryeprokurorin

Narkotrafiku dhe narkomafia shqiptare tashmë është e qartë se ka pasur duart, këmbët por edhe mendjen e politikës shqiptare, krerëve të saj që në fillimin e këtij fenomeni e deri më sot.



Në thuajse të gjithë dossierin “Eskobarët shqiptarë”, “Pamfleti” ka publikuar fakte të plota mbi këtë fenomen.

Por njërin prej tyre, po e risjellim sot për të plotësuar sa më mirë kuadrin e narkomafies dhe për të treguar se sa brenda politikës ishte dhe është ajo.

E mbani mend Adi Shamkun? Sot atë e kujtojnë shumë pak vetë.

Ai ishte një “çerr” i Ilir Metës në FRESH, të cilin e emëroi në poste shumë të larta shtetërore: Drejtor të Shërbimeve Qeveritare dhe Drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve, përkatësisht posti më me shumë lekë në Shqipëri.

Adi Shamku u largua me turp nga administrata në vitin 2002, pas një skandali të madh, madje me vendim gjykate u dënua me punë publike për të pastruar Lanën.

Por që prej asaj dite nuk ka prekur punë me dorë. E megjithatë jeton si lord.

Nejse kjo është tjetër histori, Shamku thjesht përfitoi nga “Omerta”-ja për shefat e tij: Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, që gjasme u prish dhe nuk flet me ta.

Po cili ishte ky skandal?

Shkëlqim Konçi, që në bordero ishte shofer i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, por që realisht ishte njeri i afërt, shofer dhe sekser i Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, kapet me 20 kilogram heroinë nga policia e Shtetit në Kukës, duke tentuar ta kalojë në Kosovë.

Ngjarja ndodhi më 7 shkurt të vitit 2002, Ilir Meta sapo ishte dhënë dorëheqjen si Kryeministër dhe në postin e kreut të qeverisë përkohësisht u vu Pandeli Majko.

Prokurori i Përgjithshëm i Republikës ishte Arben Rakipi, i cili vetëm pak muaj më parë zbuloi një skandal droge afër zyrave të tij që e publikuam në numrat e kaluar të “Pamfleti”t.

Por ç’ndodhi? Ilir Meta, lëvizi menjëherë nga frika se Rakipi do të hetonte skandalin e shoferit të Monikës, dhe vetëm një muaj më pas, me anë të një aleance fluide me Sali Berishën dhe Rexhep Meidanin, shkarkuan nga detyra Kryeprokurorin Arben Rakipi dhe e zëvendësuan me Theodhori Sollakun, ish-këshilltarin juridik të Sali Berishës si President dhe më pas edhe konsulent i Rexhep Meidanit.

Ja kronika e plotë e kësaj ngjarje që është vetëm një ilustrim i lidhjes organike të politikës me narkotrafikun.

Policia shqiptare ka zbuluar mbrëmjen e 7 shkurtit 2002 një lidhje të re mes trafikut të drogës e njerëzve me pushtet.

Dy personat e arrestuar nga forcat e Kukësit nuk janë gjë tjetër veçse korrierët që transportonin mallin nga Shqipëria në Kosovë.

Sipër tyre sigurisht që qëndrojnë njerëz shumë të rëndësishëm, të cilët deri tani u kanë siguruar edhe mbrojtjen nga Drejtësia.

Rezultatet e para të marra nga hetuesit duket se janë shumë premtuese. Njëri prej të ndaluarve Shkëlqim Konçi, 26 vjeç shoferi, personal i Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, Adi Shamku, fakt i përgënjeshtruar më pas nga ky i fundit.

Por në memorjen e celularit të “Çimit” – kështu e njihnin të gjithë – ekspertët kanë zbuluar mes të tjerëve dy numra që i përkasin Kryeministrisë dhe një funksionari të Policisë së Tiranës.

Hetuesit e dinë emrin e këtij të fundit, ndërsa për numrin e celularit të emërtuar Kryeministria, ende vazhdojnë hetimet për të gjetur se kujt i përket.

“Numrat që kemi në duar janë të shumtë dhe ne po kërkojmë se kujt i korrespondojnë. Emërtimi i tyre të bën të besosh se lidhjet me persona të pushtetshëm janë evidente” – tha njëri nga zyrtarët e policisë që merrej direkt me këtë operacion.

Ngjarja

Fuoristrada Nissan me fenelinë dhe targa policie 0667 nuk kishte ndonjë arsye pse të ndalohej. Sigurisht që duhet të ketë qenë ndonjë sinjalizim i cili ka udhëzuar forcat e komisariatit të Kukësit për ta ndaluar e më pas kontrolluar automjetin e “kolegëve”.

Sipas burimeve të policisë lokale të konfirmuara më pas edhe nga autoritetet e Tiranës, sapo kanë dëgjuar sirenat nga pas, dy personat e ndodhur në automjet kanë hedhur diçka nga dritarja.

“Malli” nuk ka qenë gjë tjetër veçse 20 kilogram heroinë e presuar në ndarje njëkilogramëshe dhe dy pistolera tip Zastave e Bereta.

Dy personat e ndaluar quhen Ylli Ibrahimi, 25vjeç nga Miloti dhe Shkëlqim Konçi, 26 vjeç nga Tirana, i cili sipas komunikatës së policisë kishte punuar më parë në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve.

Deri vonë asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të ketë lidhje me mallin, megjithëse sipas të dërguarit të Prokurorisë së Përgjithshme, ekzistojnë të gjitha provat për arrestimin e tyre.

Lajmi i arrestimit të “Çimit” ka mbërritur menjëherë në Tiranë e të njohurit e tij janë vënë në lëvizje. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe Ministria e Rendit dhe Prokuroria e Përgjithshme. Shefi i antidrogës dhe shefi i sektorit kundër krimit të organizuar bashkë me specialistë të tjerë kanë udhëtuar me helikopter drejt veriut. Jo vetëm për sasinë e mallit të kapur, por sigurisht edhe për emrin e personit të arrestuar.

Në celularin personal të tij ekspertët kanë gjetur numra “të çuditshëm”. Pa llogaritur njerëz të administratës e persona të tjerë të njohur, dy numra kanë bërë më tepër përshtypje. Njëri i emëruar Kryeministria dhe tjetrin nën emrin e një funksionari të Policisë së kryeqytetit.

Menjëherë kanë nisur hetimet për lidhjet e mundshme, por informacioni i marrë nga njerëzit që merren me këto veprime ka qenë tepër i rezervuar.

Implikimi i personave të njohur duket se u ka hapur tepër punë hetuesve, të cilët kanë nguruar të japin të dhëna të tjera.

Dyshohet se sasia e heroinës së zbuluar, e një cilësie tepër të lartë nuk kalonte për herë të parë në rrugën Kukës-Morinë. Hetime të bëra më parë duket se kishin arritur të siguronin një vizion të qartë për kanalin e hapur nga Shqipëria drejt Kosovës.

Pjesë e kësaj ndjekjeje ka qenë edhe fuoristrada që mbante targën e policisë e që brenda kishte edhe një të dytë TR 1385H.

Nuk dihet ende sesi targa e policisë ka përfunduar në duart e dy trafikantëve. Dje janë dhënë disa variante pronësie të saj, nga kamionë të Ministrisë e deri në komisariatin e Pogradecit, pa nguruar të shtohet se është një targë e vjedhur, por ende nuk është dhënë autorësia e vërtetë./Pamfleti

error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.