Anti-Mafia14 Shtator 2018, 17:39

Eskobarët shqiptarë: Lulëzimi i trafikut të heroinës dhe lidhja e fortë e trafikantëve me krerët e shtetit dhe SHIK

Shkruar nga Pamfleti
Eskobarët shqiptarë: Lulëzimi i trafikut të heroinës

Eskobarët shqiptarë: Lulëzimi i trafikut të heroinës dhe lidhja e fortë e trafikantëve me krerët e shtetit dhe SHIK

Vitet 1994-95 ishin edhe më të lulëzuarit në aktivitetin e trafikut të heroinës në Shqipëri.

Siç e ka bërë të ditur edhe ish-truproja e Presidentit të atëhershëm Sali Berisha, ishin profilizuar baronët e parë të drogës në të gjithë vendin dhe që në fillim ata kishin lidhje të forta politike.

Shqipëria e vitit 1994 pati si shenjë të rëndësishme kjoskëzimin e Tiranës por edhe të gjithë vendit.

Parku Rinia u kthye në zonën ku gëlonin aktivitetet dhe bëheshin pazaret e trafikut të drogës.

Siç e përmend edhe Izet Haxhia, në intervistat e tij, nisin të profilohen edhe lidhjet e forta politike të trafikantëve më politikën.

Ata ishin lidhje të afërta, të ngushta, madje “vëllazërore”.

Haxhia ka deklaruar se djali i Sali Berishës ka marrë 30 milionë lireta nga Miri i Xhikes, alias Fatmir Rama, një nga njerëzit e njohur në ambjentin e trafiqeve, i cili vazhdoi lidhjen edhe me krerët e PS-së pas vitit 1997.

Po kjo lidhje nuk ishte e vetme. Pasi grupet e Shijakut që ndër të parët zunë Zvicrën si postacion të tyre për trafikun e heroinës, kishin si protektor politik deputetin e ndjerë Azem Hajdari.

Ndërkohë grupi i Beratit mbrohej as më pak e as më shumë por nga Ministri i Brendshëm i asaj kohe Agron Musaraj.

Madje tregoheshin edhe anekdota epike me djem berates që nga poshtë ministrisë së Brendshme thërrisnin me qesëndi: “O Goneee!”.

Trafiku i heroinës bëhej kryesisht nga Porti i Durrësit, me anë të ngarkesave të rregullta, por kjo solli një konflikt të madh me trafikantët e Vlorës dhe Sarandës, të cilët nisën aktivitetin e tyre me skafe dhe gomone.

Ky konflikt do të zgjerohej aq shumë sa do të bëhej një terren i luftës ndërmjet klaneve më të ashpra të mafias italiane.

Në Shqipëri zbarkojnë Gaspare Mutulo dhe Albino Prudentino, dy nga krerët e Sacra Corona Unita, një prej mafjeve më të egra në Itali dhe lidere e krimit të organizuar në Puglia.

Të dy kapot ishin në konflikt me njëri tjetrin. Flitet se Mutulo lidhi marrëveshje të forta me Mirin e Xhikes, i cili u konfliktua më pas me një prej grupeve të reja të drogës që ishin djem të lidhur me politikën e lartë të PD-së.

Pjesë e kësaj lufte ishte vrasja e Artur Grorit dhe më pas e legjendës së krimit të Tiranës Naim Zyberi, i cili u kthye në një prej killerave të parë me pagesë në kryeqytet.

Nuk kishte asnjë segment të tregtisë së heroinës që të mos ishte i lidhur me politikën, madje me politikën e të dy krahëve.

Në Parkun Rinia ishin të ndara lokalet e klaneve të ndryshme, ku palët bënin pazaret. Në një qoshe ishte edhe një lokal i SHIK-ut të Bashkim Gazidedes, i cili nëpërmjet doganës së Bllatës në Dibër të cilën e kishte monopol arriti të krijojë një kanal shumë të madh e të fortë të tregtisë së drogës.

Sasia e madhe e parave që u qarkulluan nisi të lëvizë nëpërmjet fondacioneve të ndryshme që themeluan gazeta e media që fshiheshin ndër emra të njohur Rilindasish si Faik Konica përshembull.

Këto para krijuan edhe një media ku do të shënjestroheshin armiqtë e regjimit dhe në krye të saj do të vendoset një figurë e rëndësishme që edhe sot mbush ekranet si analist i njohur.

Kështu nisën të krijohen edhe piramidat e para, por për këtë do të flasim në shkrimin e radhës…/Pamfleti

Eskobarët e Shqipërisë Eskobarët shqiptarë Lulëzimi i trafikut të heroinës dhe lidhja e fortë e trafikantëve me krerët e shtetit dhe SHIK