Pasi Xhelal Mziu i dha tenderin e pastrimit të Kamzës për 12 vjet me vlerë 13 milionë euro, Sadri Abazi merr nën kontroll Bashkinë e Shkodrës, tashmë i cakton vetë tenderat, Berisha dhe Basha nuk ia përmendin më emrin
Bashkia e Shkodrës ishte pushteti i fundit dhe i vetmi që i shpëtoi dorës së Rilindjes në vitin 2019, pas marrëzisë së Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët dorëzuan vendet që kishin në Parlament dhe të gjitha njësitë vendore në Shqipëri, duke bojkotuar zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Askush nuk do ta kishte imagjinuar që bashkinë e vetme që shpëtoi nga zgjedhjet e 30 qershorit, Sali Berisha dhe Lulzim Basha do ta dorëzonin në duart e Sadri Abazit, një prej grabitqarëve ikonë të pushtetit të Edi Ramës.
Bashkia e Shkdorës prej disa muajsh drejtohet vetëm formalisht nga Volata Ademi e PD-së, pasi paratë e kësaj bashkie kontrollohen nga Sadri Abazi, përmes një kompania që ka në emrin e nipit të tij, Arbër Abazi.
Dhe dorëzimi i Bashkisë së Shkodrës në duart e deputetit mediokër Sadri Abazi, i cili ka në patronazh edhe Ervin Salianjin dhe Xhelal Mziun, është bërë me lejen e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Nuk është rastësi. Nuk është rastësi që Sali Berisha, më parë një nga denoncuesit më të mëdhenj të vjedhjeve nga Sadri Abazi, nuk e përmend më emrin e tij. Nuk është aspak rastësi që Sadri Abazi, llokmën më të madhe të parave publike e ka marrë pikërisht nga Xhelal Mziu, i cili i ka dhënë nipit të Sadriut tenderin 13 milionë euro, për pastrimin e Kamzës, për 12 vjet.
Dorën e fundit nga Bashkia e Shkodrës, Sadri Abazi e ka marrë në datën 5 janar. Dhe jo pak por plot 600 milionë lekë. Bëhet fjalë për tenderin e pastrimit të zonës qendrore të Bashkisë së Shkodrës. Fondi limit ishte 59,302,241.00 lekë, ndërsa oferta fituese e kompanisë “ALKO-IMPEX General Construcion”sh.p.k, të Sadriut, është 57,892,553.84 lekë, pra me një diferencë qesharake.
Gjithçka ka qenë e paracaktuar, ndërsa në procedurë kanë marrë pjesë disa kompani, sa për të krijuar të krijuar idenë e garës.
Në 15 dhjetor të 2020, Voltana Ademi i ka dhënë një tjetër tender kompanisë Alko-Impex, të Arbër Abazit, nipit të Sadriut, me vlerë 150 milionë lekë, aq sa edhe fondi limit. Bëhet fjalë për tenderin e rikonstruksionit të rrugës “Mehmet Shpendi” në Shkodër. Jo vetëm kaq, por kohët e fundit, Sadri Abazi ka marrë në Bashkinë e Shkodrës edhe dy tendera të tjerë për pastrimin e zonave A dhe B, me vlerë 100 mijë euro dhe 80 mijë euro. Një tjetër tendër për pastrimin, Voltana Ademi ia ka dhënë me dorën e saj nipit të Sadri Abazit, me vlerë 480 milionë lekë, duke nxjerrë jashtë loje kompanitë e tjera.
Voltana Ademi ka firmosur dhënien e 7 tenderave të tjerë Sadri Abazit, duke përjashtuar kompanitë me oferta më të ulëta. Në të gjitha procedurat kompania e Sadri Abazit është paracaktuar fituese. Tashmë Sadri Abazi cakton edhe se kush i merr tenderat e tjerë në Bashkinë e Shkodrës.
Me afrimin e zgjedhjeve, Sadri Abazi po nxiton të marrë llokma të mëdha pothuajse në bashkitë kryesore të vendit. Një rotacion pushteti nuk sjell asnjë ndryshim sa i takon veprimtarisë grabitqare të Sadri Abazit, pasi lidhjet e tij tashmë janë po aq të forta edhe më Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.
E vetmja shpresë që shqiptarët të shpëtojnë nga ky grabitqar i parave publike është ‘zgjimi’ i SPAK-ut./Pamfleti