Faktet/ “Brrylat” dhe “kurbanët” në pankinat e Superiores, trajnerët gati t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit

Faktet/ “Brrylat” dhe “kurbanët” në pankinat e Superiores, trajnerët gati t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit

Shkarkimi i Bledar Devollit nga drejtimi i Kamzës pak ditë më parë dhe emërimi në krye të kësaj skuadre i Klodian Duros, konfirmoi edhe një herë se futbolli ynë është peng i drejtuesve të papërgjegjshëm, sidomos presidentëve të klubeve, njerëz që s’kanë kurrfarë haberi nga ky sport dhe mbajnë kontrollin e klubeve për interesat e ngushta të ditës dhe mbulimit të pisllëqeve të tyre.

Nuk është hera e parë që ndodh, madje “brrylat” dhe “kurbanët” në futbollin tonë janë një “sëmundje” e vjetër. Këtu për cdo dështim të skuadrës fajtor bëhet trajneri i cili përdoret si leckë nga presidentët e klubeve dhe pasi shtrydhet si limon flaket tutje. Rrallë gjen nëpër botë ndonjë vend ku trajneri i futbollit të jetë pa dinjitet si këtu.

Kjo sepse presidentët matrapazë të klubeve e kanë zhveshur trajnerin nga cdo personalitet dhe i kanë marrë dinjitetin, duke i cuar listën e gatshme të lojtarëve, apo dhe duke i bërë formacionin që trajneri vetëm sa për sy e faqe është i detyruar të shfletojë.

Devolli ishte “kurbani” i parë në listën e gjatë të trajnerëve që do të vijojnë të shkarkohen në javët e muajt e ardhshëm. Koha ka treguar se klubet tona ndryshojnë nga 2 deri në 5 trajnerë në një sezon. Edicionin e kaluar vetëm Skënderbeu nuk ndryshoi trajner, pra skuadra kampione, por nga ana tjtër menjëherë pas mbylljes së sezonit Ilir Daja u largua, për shkak se nuk i pëlqente “projekti” i klubit për vazhdimësinë. Imagjinoni! Këtu punohet sot për sot e jo sot për të ardhmen.

Si të mos mjaftojnë këto paradokse e poshtërsi nga presidentët e klubeve, duhet pranuar dhe një fenomen tjetër shqetësues: trajnerët në Shqipëri i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Rrallë gjen dy trajnerë në një mendje, apo që një teknik të përgëzojë një koleg për suksesin. Një hamsëri tipike jo profesioniste, a thua se janë Murinjo e Guardiola që kanë një famë kaq të madhe.

Sapo kuptojnë që një trajner është në pozitë të vështirë, në vend që t’i dalin në mbrojtje, shkojnë e i fusin shkopinj nën rrota. Kështu bien në sytë e presidentëve dhe marrin poste, pa e menduar se do t’u vijë edhe atyre radha të jenë viktimat e presidentëve në të njëjtën formë.

A është dhe lëvizja e Kamzës një e tillë? Këtë do ta vërtetojë koha. Kujtojmë këtu se kohë më parë ishte Sulejman Starova një nga trajnerët më të përfolur për t’ua “futur” shokëve. E akuzuan për këtë në raport me Cungun kur ky drejtonte vite më parë Kukësin, pastaj me Shpëtim Duron te Partizani që për pak nuk kapën thikat, e më vonë dhe me italianin Juliano, që bëri c’bëri e përzuri nga të kuqtë. Deri në Kosovë i shkoi namin “Sulës” për këto punë, megjithëse duhet pranuar se është një nga teknikët më të mirë në Shqipëri, për shkak të njohjes së tij të mentalitetit të futbollit shqiptar. /Pamfleti Sport

 

 

 

Loading...
error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.
WhatsApp Denonco tek Pamfleti