Ne shqiptarët këtë të diel kaluam një mbrëmje spektakolare me stadiumin e ri kombëtar “Air Albania” dhe provuam ndjesi të rralla, por në aspektin sportiv mbetemi të njëjtët, me plot probleme. Franca kampione bote na mposhti 2-0 në ditën e inaugurimit të impiantit tonë gjigant në zemër të Tiranës, aty ku pati këngë, koreografi, spektakël dhe fishekzjarre.
Didier Deschamps i kishte bërë llogaritë mirë ndaj nesh dhe me sistemin e përshtatur nga 4-2-3-1 në 3-4-1-2 arriti të përgatiste “Gjelat” e tij për të mposhtur tanët. Golin e parë e shënoi mesfushori i Bayernit, Tolisso, ndërsa të dytin ylli i Barcelonës, Griezmann.
Ky gol ishte i 30-ti i sulmuesit me fanellën e Francës, duke iu bashkuar disa emrave legjendarë francezë në listën e golashënuesve, si Papin Papin dhe Fontaine. Zinedine Zidane ka vetëm një gol më shumë se ish-lojtari i Atletico Madrid-it.
Me këtë fitore, Franca nuk është se pëson ndonjë ndryshim në renditje për t’u kualifikuar në Europian, sepse e ka arritur tashmë. Kjo vlen edhe për kuqezinjtë, krejtësisht jashtë gare, por me kujtime të paharrueshme nga kjo natë magjike në stadiumin e ri. E gëzofshim këtë mjedis të ri futbolli, por herë të tjera edhe me rezultate!