Fitimi i bankave bie me 12% për 9 mujorin e parë të 2018-s, kreditë me probleme mbeten të pandryshuara

Fitimi i sistemit bankar arriti në 30 miliardë lekë për 9 muajt e parë të vitit, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti , fitimi i sistemit ra me 12%.

Megjithatë, ai vijon të mbetet afër niveleve të larta rekord të arritura vitin e kaluar dhe në një situatë shumë më të mirë financiare sesa vitet e mëparshme, kur fitimet ishin minimale për shkak të rritjes së shpenzimeve për provigjionime (paratë e vëna mënjanë për kreditë me probleme).

Në 9 muajt e parë të vitit, të ardhurat nga interesat u rritën lehtë, por negativisht ndikoi humbja nga instrumentet financiare, çka bëri që të ardhurat bruo të binin me 5%.

Edhe shpenzimet për provigjione iu rikthyen rritjes, me rreth 50%.

Kthimi nga kapitali ra nga 15.7 për 9 mujorin 2017, në 11.8 për 9 muajt e këtij viti.

Ndërsa kthyeshmëria nga aktvitev ishte rreth 1.3% për 9 mujorin.

Niveli i kredive me probleme mbeti i pandryshuar në fund të muajit shtator, në 12.89%, në raport me muajin e mëparshëm.

Ky është niveli më i ulët që nga tremujori i dytë i vitit 2010, kur huatë me probleme ishin 12%. Më pas, bizneset dhe individët filluan të vononin më shumë se tre muaj kthimin e kësteve, teksa ky tregues u rrit vazhdimisht për të arritur rekord në 25% në shtator 2014. Më pas, Banka e Shqipërisë filloi një strategji për uljen e huave të pakthyera në afat, që përfshinte ristrukturimin e huave (zgjatjen e afatit dhe uljen e këseve), fshirjen e një pjese kur paguhej kredia, apo dhe fshirjen nga bilanci të huave që kishin më shumë se 10 vjet që nuk ktheheshin në banka.

Në krahasim me dhjetorin 2017, treguesi i huasë me probleme ka rënë me 0.34 pikë përqindje./Monitor

 

 

 

Loading...
error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.
WhatsApp Denonco tek Pamfleti