Bota18 Gusht 2019, 22:16

Flakë të tmerrshme në Spanjë, evakuohen rreth 1900 banorë, rrezik për viktima

Shkruar nga Pamfleti
Flakë të tmerrshme në Spanjë, evakuohen rreth 1900

Zjarret nuk kanë të sosur në ishujt Kanarie të Spanjës. Autoritetet thanë se evakuuan 1,900 banorë të një fshati, si masë parandaluese, pasi flakët e zjarrit u përhapën të ndihmuar nga era. Emergjencat nga fatkeqësitë natyrore janë bërë të papërballueshme nga një vend i vetëm dhe tani disa vende europiane po kërkojnë ngritjen e një strukture ndër europiane.

Një zjarr i madh nxiti të dielën evakuimin e një fshati të vogël në Gran Canarie të Spanjës dhe zyrtarët thonë se flakët kanë mundësi të madhe që të përhapen edhe në pjesë të tjera të ishullit. Zjarri i madh filloi pranë fshatit Valleseco, ndërsa gjendja e emergjencës është shpallur edhe në qytezat Moya dhe Tejeda.

Në Tejeda, autoritetet thanë se evakuuan 1,900 banorë, si masë parandaluese, pasi flakët e zjarrit po ndihmohen edhe nga era. Në të njëjtën kohë me evakuimin, zjarrfikësit kanë punuar për të penguar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Nga zjarri janë shkatërruar në më pak se 24 orë mbi 500 hektarë pyje. Në operacionet në terren, autoritetet kanë angazhuar qindra zjarrfikës, ndërsa nga ajri skuadrat po ndihmohen nga shtatë helikopterë.

Tejeda preket për herë të dytë nga zjarret shkatërruese. Javën e kaluar banorët e saj u evakuuan pasi flakët dolën jashtë kontrollit. Pothuajse gjysma e provincave të Spanjës janë në rrezik të lartë nga zjarret. Për shkak të ndryshimit të klimës, por edhe ndërhyrjes së njeriut, zjarret janë kthyer në shqetësim për disa vende Europiane. Prej ditësh edhe Greqia është në gatishmëri të lartë si pasojë zjarreve shkatërruese.

Ndërkohë kryeministri helen, Kyriakos Mitsotakis, ka bërë thirrje ngritjen e një strukture ndër europiane emergjence, pasi fatkeqësitë natyrore po bëhen të papërballueshme vetëm nga një vend i vetëm.

Bota