Sport25 Mars 2019, 16:43

Flamurtari nuk paguan, lojtarët marrin vendim

Shkruar nga Pamfleti
Flamurtari nuk paguan, lojtarët marrin vendim

Nuk ka asnjë lëvizje te Flamurtari për pagesat e lojtarëve, Agustin Torassa mbetet në Argjentinë dhe nuk kthehet pa u paguar, ndërsa trajneri Ilir Daja është “kapiteni” i një anije që po mbytet dita-ditës. Numri një i stolit së bashku me lojtarët kanë fituar respektin e të gjithë tifozëve të bregdetarëve, pasi po luajnë pa u paguar dhe po mundohen të bëjnë mirë në kampionat.

Administratori Sinan Idrizi u kishte premtuar se llogarive bankare të lojtarëve do t’u shtoheshin disa zero, por asgjë. Futbollistët i kanë humbur krejtësisht shpresat dhe tani mendojnë për të respektuar kampionatin deri në fund, të gjejnë një avokat për të bërë gati paditë dhe të mendojnë për aventurën e re.

Ekipi vlonjat e nisi me një projekt serioz, ashtu si çdo vit tjetër. Tërhoqi një trajner kampion si Ilir Daja dhe ndërtoi një grup mjaft cilësor dhe të gatshëm për të luftuar per titullin. Ashtu si çdo vit tjetër, ndodhi ajo që futbollistët i druheshin më shumë. Pagesat nuk vinin në kohë, nuk vinin fare dhe lojtarët nisën të largoheshin njëri pas tjetrit. Keqardhje e madhe! Klubi duket krejtësisht i braktisur, pasi dhe në takimin e fundit në Laç, të barazuar 0-0, asnjë nga drejtuesit nuk ishte në stadium.

Sport