Aktualitet24 Maj 2019, 19:27

Flet mjekja onkologe: Kanceri, zbulimi i hershëm vetëm me një analizë

Shkruar nga Pamfleti

Flet mjekja onkologe: Kanceri, zbulimi i hershëm vetëm me një analizë

Mjafton vetëm një test i thjeshtë gjaku për të zbuluar deri në dy vite më herët nëse kanceri ka predispozitë të rikthehet apo jo. Duke iu referuar një studimi të publikuar në “Clinical Research Cancer”, mjekja onkologe Esmeralda Sera thotë se kjo analizë ishte në gjendje për të zbuluar 89% të rifillimit të kancerit të gjirit, 8.9 muaj më shpejt, në krahasim me mamografinë.

“Testi i gjakut quhet Signatera dhe u zhvillua nga kompania e testimit gjenetik të Natera në Londër. Përdor vlerësimin molekular të sëmundjes së mbetur (MRD), duke gjetur akoma dhe sasi të vogla të ADN-së së ndryshuar nga qelizat malinje. Studimi, i publikuar në “Clinical Research Cancer”, ka treguar se testi i gjakut ishte në gjendje për të zbuluar 89% të rifillimit të kancerit, 8.9 muaj me shpejt, në krahasim me mamografinë.

METODA DEPISTUESE

Por kjo metodë depistuese iu vjen në ndihmë vetëm grave, të cilat janë në betejë me kancerin e gjirit. Nëpërmjet kësaj analize të thjeshtë gjaku, ato mund të mësojnë nëse sëmundja ka predispozitë të rikthehet apo jo. Megjithatë, duhet thënë që për aplikimin e kësaj metode të re do të duhet ende të presim, duke shpresuar se studime të tjera të thelluara do të arrijnë në të njëjtin përfundim. “Ky studim është kryer vetëm me gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit dhe jo për determinimin apo parandalimin e sëmundjes te femrat që nuk janë të prekura. Unë besoj dhe shpresoj që kjo metodë të vihet sa më parë në funksion të këtyre pacienteve”, thekson Sera.

TRAJTIMI

Nga të dhënat, rezulton se mbi 80 për qind e rasteve të diagnostikuara me kancer gjiri janë në moshën mbi 50 vjeç. Prekja e një kokrre të fortë, skuqje të lokalizuara apo të përhapura, ndryshim i thumbit të gjirit, sekrecione gjaku apo sierre nga thithi i gjirit janë disa nga shenjat të cilat nuk duhen neglizhuar. Krahas mamografisë, metoda të tjera që ndihmojnë në diagnozën e hershme të kësaj sëmundjeje janë ekografia, rezonanca magnetike dhe biopsia. Sa i takon trajtimit, doktoresha shton se mjekimi është në varësi të llojit të kancerit.

“Aktualisht, në vendin tonë po bëhen përpjekje për të pasur dhe metodat me bashkëkohore të trajtimit të kancerit të gjirit. Mjekimet që përdoren fillojnë që nga kemioterapia, radioterapia, terapia hormonale, terapia biologjike, imunoterapia, të cilat mund të përdoren të kombinuara ose jo në varësi të llojit të kancerit të gjirit, përsa i përket përhapjes apo imunohistokimisë së sëmundjes”.

Shendeti Flet mjekja onkologe: Kanceri zbulimi i hershëm vetëm me një analizë