Bota 2 Shtator 2019, 13:00

Forcohet uragani Dorian, godet ishujt Bahamas

Shkruar nga Pamfleti
Forcohet uragani Dorian, godet ishujt Bahamas

Forcohet uragani Dorian, godet ishujt Bahamas

Uragani “Dorian”, i ndjekur nga erërat që arrijnë afro 320 kilometra në orë, goditi pjesët veriore të Bahamas, duke shkaktuar dëme të mëdha. Mediat amerikane raportojnë se një djalë shtatë vjeç gjeti vdekjen ndërsa motra e tij rezulton e humbur.

Qendra Kombëtare e Uraganeve në SHBA ka paralajmëruar banorët e Bahamas që të mos largohen nga shtëpitë, pasi pritet një goditje që mund të ngrejë nivelin e ujit deri në shtatë metra.

Uragani ka shkulur çatitë dhe ka përmbysur makina, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, mungon uji dhe energjia elektrike, por nuk ka raportime për të lënduar ose viktima të tjera deri më tani, raportoi AP.

“Dorian”, i cili është rritur në kategorinë pesë, që do të thotë se mund të shkaktojë nivele katastrofike të shkatërrimit, është uragani më i fortë që ka goditur Bahamas në historinë e fundit. Qendra Kombëtare e Uraganeve deklaron se ky është uragani më i fuqishëm që ka goditur Bahamas dhe ishujt Abaco, transmeton zeri.info.

Pamjet filmike të regjistruara në Marsh Harbour në Albaco Island tregojnë rrugë dhe pemë të përmbytura që janë shtrembëruar dhe shkulur plotësisht, raporton CNN.

Kryeministri i Bahamas, Hubert Minis ka paralajmëruar se ata që nuk evakuohen, po “e vënë veten në rrezik ekstrem” dhe mund të përballen me “pasoja katastrofike”.

Guvernatorët e Xhorxhisë dhe Karolinës së Jugut urdhërojnë evakuimin

Guvernatorët e shteteve amerikane të Xhorxhisë dhe Karolinës së Jugut kanë urdhëruar evakuimin e banorëve për shkak të uraganit “Dorian” që afrohet në ato shtete.

Guvernatori i Xhorxhisë, Brian Kemp ka urdhëruar një evakuim të detyrueshëm të banorëve të disa qarqeve.

Evakuimi është planifikuar të fillojë të hënën në mesditë me orën lokale, raporton CNN.

Evakuimi i detyrueshëm është urdhëruar gjithashtu nga Guvernatori i Karolinës së Jugut Henry McMaster mbi të gjithë bregdetin, që do të thotë evakuimin e 830,000 banorëve, raporton AP. Dhe ky evakuim është planifikuar të fillojë në mesditën e së hënës.

Autoritetet në Florida kanë urdhëruar gjithashtu evakuime të detyrueshme në disa zona bregdetare të rrezikuara. Ndërkohë, një stuhi e re tropikale është formuar në jug-perëndim të Meksikës dhe pritet të bëhet uragan gjatë ditës së sotme./ZËRI

Bota Brian Kemp guvernatori i Xhorxhisë ishujt Bahamas Qendra Kombëtare e Uraganeve në SHBA uragani Dorian