Forum24 Maj 2024, 10:55

Nëse në SHBA fiton Trump, Ballkani do zhytet në luftë për shkak të ndryshimit të kufijve

Shkruar nga Alexandros P. Mallias

Nëse në SHBA fiton Trump, Ballkani do zhytet në luftë

Libri “Odisea Ballkanike”, është një rrëfim më dëshmi okulare nga ish-Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Owen, i cili së bashku me ish-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Cyrus Vance (një figurë e njohur mes grekëve nga diskutimet mbi mosmarrëveshjen për emrin e Maqedonisë) udhëhoqi përpjekjen e vitit 1992 nën mbikëqyrjen e Sekretarit të Përgjithshëm Kombeve të Bashkuara, për t’i dhënë fund konflikteve në ish-Jugosllavi.

Nëse në SHBA fiton Trump, Ballkani do zhytet në luftë

Tridhjetë vjet më parë, me nxitjen dhe vendimin e presidentit të ndjerë grek Karolos Papulias, pata mundësinë që të shërbej gjatë kohës së luftërave në Kroaci, Bosnje, Bullgari dhe në ish Republikën (atëherë) Jugosllave të Maqedonisë si anëtar i Misionit Monitorues të Bashkimit Evropian (ECMM).

Ne ishim dëshmitarë të masakrave të civilëve, gjenocidit, djegies së kishave, varrezave masive dhe shkatërrimit të qyteteve (si rasti i Vukovarit). Raportet dhe dëshmitë tona u shqyrtuan më vonë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY).

Në atë kohë, për të kaluar nga Osijeku i kontrolluar nga kroatët, në territoret nën kontrollin e ushtrisë federale jugosllave, duhet t’i nënshtroheshe një kontrolli të trefishtë. Së pari, kontrollit nga forcat e armatosura boshnjako-kroate, Këshillit Kroat të Mbrojtjes (HVO), pastaj nga trupat me helmeta blu të Kombeve të Bashkuara (UNPROFOR) nga Peruja dhe Argjentina (nëse nuk më tradhton kujtesa).

Ndërkohë disa kilometra në lindje, kontrolloheshim nga Ushtria Popullore Jugosllave (JNA) dhe forcat paraushtarake të Arkanit. Teksa i kthehem kujtimeve të atyre kohëve, ri-shoh një foto të shatërvanit të shkatërruar të Vukovarit. Kam ruajtur si suvenire dy copa druri të nxira, mbetje nga një kishë katolike romake e djegur, si dhe një kishë ortodokse, të cilat i përdor zakonisht në fjalimet e mia për Ballkanin.

Mos më pyesni se cila u dogj e para. Nuk ka rëndësi sot, ashtu siç nuk kishte rëndësi edhe atëherë. Përveç disa mbishkrimeve dhe memorialeve uniforme në varrezat e luftës, sot udhëtarit të painformuar nuk i kujton asgjë brutaliteti i luftës në Sllavoninë lindore tejet piktoreske.

Ndërsa vazhdon përkujtimi i ngjarjes më të tmerrshme:gjenocidi në Srebrenicë. Por le të mos e kufizojmë kujtimin tonë vetëm në 11 korrik 1995. Përtej vendimit të fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, do të ishte tejet domethënëse që këtë vit Bashkimi Evropian të kërkojë ndjesë për dështimin e tij në parandalimin e këtij gjenocidi në Evropë.

Vetë Greqia ka arsye të mjaftueshme për ta udhëhequr këtë nismë. Në shtëpi mbaj suvenire, fishekë të kalibrave të ndryshëm. Shumica e kujtimeve të mia janë nga Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe natyrisht Shqipëria. Ndërsa plagët e luftës, krimet dhe miliona refugjatë nga 3 dekadat e fundit mbeten ende të pashëruara, shenjat e revanshizmit dhe revizionizmit po rishfaqen me një intensitet shumë të lartë.

Siç e ilustron edhe kërcënimi i shkëputjes së Republika Srpska nga Bosnje Hercegovina, këto revanzhizma shërbejnë për të çuar përpara revizionizmin ekspansionist të Kremlinit, në mos ato nxiten direkt prej tij. Dhe ky kërcënim nuk është i kufizuar në Gjeorgji dhe Ukrainë. Ai është bërë tani kërcënimi më i rëndësishëm i sigurisë në Evropë.

Qeveritë e Evropës Perëndimore janë shumë të shqetësuara. Ata po përgatiten në heshtje, duke ndjekur shembullin e Berlinit, për të krijuar “ekipet e veçanta të menaxhimit të krizës”, në pritje të pasojave të mundshme në Evropë pas tranzicionit politik në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.

Perspektiva e rikthimit të Donald Trump në krye të SHBA-së është shumë shqetësuese . Në rajonin tonë, rikthimi i mundshëm, veçanërisht me një rol të zgjeruar i Richard Grenell, i cili më parë ka shërbyer si ambasador i Trump në Berlin, i dërguar i posaçëm presidencial për negociatat e paqes në Serbi-Kosovë, dhe në të njëjtën kohë si drejtori i përkohshëm i Shërbimit të Inteligjencës Kombëtare, po nxit shumë optimizëm në Beograd.

Në atë kohë ndryshimet kufitare, të kombinuara me një shkëmbim territorial dhe popullsie me Kosovën mbetën një plani i parealizuar, i promovuar me shumë këmbëngulje nga Shtëpia e Bardhë. Do të ishte e gabuar që analiza jonë të ndikohet nga emocionet apo nga “miqësitë” e njëanshme.

Dy luftëra brutale me mijëra viktima në radhët e civilëve, kanë ndodhur pranë rajonit tonë. Nëse një ri-rregullim i ri i kufijve do të niste në veri të Greqisë, askush nuk e di se ku do të ndalej ai, pas sa gjakderdhjesh apo se si do të ndodhte kjo. Padyshim, që do të prekej Bosnje Hercegovina. Po kush do ta kishte radhën pas saj?

Vlen të theksohet se propozimi për ndryshim kufijsh u përkrah hapur - secili për motivet e veta - nga ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, presidenti serb Aleksandar Vucic dhe presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Nuk është e çuditshme, që ato u mbështetën edhe nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Nga ana tjetër, ato u kundërshtuan kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti dhe ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Pas pushtimit rus të Ukrainës, diskutimet rreth rishikimeve të kufijve, si dhe shkelja apo rishikimi i marrëveshjeve dhe i traktateve dypalëshe ose shumëpalëshe në lidhje me kufijtë, i forcojnë në thelb planet përçarëse të presidentit Vladimir Putin në lidhje me status quo-në territoriale evropiane.

Turqia është shfaqur si një pararendëse e revizionizmit në rajon. Në Tiranë, nacionalizmi shqiptar po përdoret hapur nga Edi Rama. Serbia nuk është i vetmi vend në Ballkan që beson se historia dhe marrëveshjet e saj, qofshin të nënshkruara apo të imponuara në të kaluarën, kanë qenë të padrejta.

Sot edhe Republika e Maqedonisë së Veriut duket se po i kthehet rrugës së revizionizmit. Vetëm kështu mund ta interpretoj qëndrimin e fundit të presidentes së sapozgjedhur. A do ta ndjekë shembullin saj qeveria e re e koalicionit midis VMRO-së dhe një partie shqiptare?

Krahas aktivizimit me shkrim të masave të parashikuara në nenin 19 të Marrëveshjes së Prespës, qeveria greke ka të drejtë të sjellë në vëmendjen e partnerëve dhe aleatëve në Uashington dhe Bruksel edhe revizionizmin e rrezikshëm që po vihet re në Ballkan.

Ky revizionizëm është përforcuar, në mos miratuar haptazi (gjithsesi, në përgjithësi fshehurazi), nga diplomacia dhe politika ruse. Në të kaluarën, Greqia u kritikua padrejtësisht se në raport me Shkupin “shihte pemën po jo pyllin”. Këtë herë, po ia fillojmë nga “pylli”./Përshtati Pamfleti nga “Kathimerini”

Shënim: Alexandros P. Mallias, ish-ambasador i Greqisë në Uashington, Shkup dhe Tiranë.

trump shba ballkani lufta ndryshimi i kufijve