Forum25 Qershor 2024, 19:20

Pse Berisha caktoi protestën kombëtare më 11 korrik?

Shkruar nga Ylli Pata

Pse Berisha caktoi protestën kombëtare më 11 korrik?

Përse Sali Berisha zgjodhi ditën e samitit të NATO-s si datë për protestën e tij kombëtare?

Kryesia e partisë së Sali Berishës, tashmë me vulë nga Gjykata e Apelit, kanë caktuar datën e protestës kombëtare më 11 korrik.

Po pse më 11? Çfarë ka njëmbëdhjeta, e pse jo dymbëdhjetë, apo trembëdhjetë, katërmbëdhjetë, pesëmbëdhjetë e me radhë?

Kjo është një pikëpyetje që nuk e ka zgjidhur organizmi që ka caktuar datën përkatëse. Çfarë simbolike përfaqëson 11 korriku? Në historinë e vendit dhe atë të opozitës nuk se ka ndonjë referencë reale.

Por, më 11 korrik të këtij viti, pra pas pak ditësh, zhvillohet një event shumë i rëndësishëm edhe për Shqipërinë, mbi të gjitha për Shqipërinë.

Nga data 9 deri më 11 korrik në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës-Uashington, zhvillohet Samiti i liderëve të vendeve anëtare të NATO-s. Një zhvillim shumë i rëndësishëm si nga ana politike, si nga ana historike. Pasi përkujtohet 75 vjetori i Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Samiti i fundit që është zhvilluar në Washington është 1999-a, nën drejtimin e Bill Clinton, në kulmin e luftës së Kosovës. Në 2012 është samiti i fundit që është zhvilluar në SHBA, përkatësisht në Chicago, nën drejtimin e Presidentit Barack Obama.

Samiti i këtij viti, është i rëndësishëm, jo thjesht për kremtimin e 75 vjetorit të Aleancës më jetëgjatë të botës politike perëndimore, por se pritet të japë një vendimmarrje finale për Ukrainën dhe përplasjen me Rusinë.

Kryeministri Edi Rama, do të përfaqësojë Shqipërinë në samitin e Uashingtonit, e mund të ketë edhe takime të tjera të rëndësishme. Por përveç aspektit qeveritar, 11 korriku është një datë, ku sipas të gjitha gjasave Rusia dhe aleatët e saj do të nisin një ofensivë propagandistike. Siç ndodh edhe në televizionet shqiptare, ku simpatizantë të thekur të Vladimir Putinit, nuk lodhen së përsërituri idhujtarinë e tyre për atë që e quajnë supermaci ruse, që në fakt është krejt e kundërta.

Gjithsesi, pikëpyetja vjen spontanisht: Përse Sali Berisha zgjodhi ditën e samitit të NATO-s si datë për protestën e tij kombëtare? Si kumt politik për të përforcuar thagmën euroatlantike të PD-së? Për këtë mund të zgjidhte datë tjetër, e së bashku me NATO-n, të elaboronte për publikun shqiptar si opozitë, qasjet mbi vendimet e liderëve të aleancës më të fuqishme politike ushtarake në botë.

Ajo që duket ose rreh më natyrshëm është karshillëku, qoftë edhe nga inati që Berisha ka ndaj SHBA si lidere e NATO-s që e ka shpallur Non Grata, e nuk lodhet së përsërituri. Por çfarë opozite do të lindë më 11 korrik? Kjo duhet parë, por nga sot, nuk se ka shumë dilema, një opozitë antagoniste me SHBA!