Forum23 Maj 2024, 19:53

Pse Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk prodhojnë një figurë alternative në opozitë?

Shkruar nga Ylli Pata

Pse Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk prodhojnë një figurë

Foltorja e Sali Berishës është peng i rastit gjyqësor Partizani, ndërkohë Partia e Lirisë është peng i rasteve gjyqësore që janë nën hetim, por që zyrtarisht nuk janë bërë dosje.

Qëndrimi i gjatë në pushtet i mazhorancës socialiste dhe i fuqisë elektorale të Edi Ramës ka sjellë në qendër të diskutimeve fuqinë e një figure opozitare që mund të mundë mazhorancën.

Por deri më sot opozita e kontrolluar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, nuk po synon daljen e një figure të re opozitare, por mbajtjen e një statukuoje të lidhur me ta. Ky është në fakt zhvillimi më i rëndësishëm i opozitës shqiptare, ku janë investuar asete financiare dhe mediatike për të mbajtur një kështjellë të vjetër që kanë emrat e Berishës dhe Metës.

Po ku e çojnë vendin këto dy emra? Ky është një diskutim tashmë i vjetër pasi ka kohë që tezës që klasa politike duhet përmbysur, i përgjigjet një opinion që “atë e dimë ne”.

E në fakt kjo u pa e qartë gjatë seancës së raportimit të kreut të SPAK në komisionin e Ligjeve, ku i vetmi segment politik që kontestoi prokurorinë speciale ishte foltorja.

Megjithatë kjo nuk se përbën zhvillim të ri. Si Sali Berisha e si Ilir Meta, janë dy politikanët që kanë kontestuar që në themel reformën në drejtësi, vettingun e gjyqtarëve e prokurorëve, KLP e KLGJ e natyrisht SPAK.

Një militant i foltores që njihet më shumë si drejtues i stafit të Fredi Belerit, deklaroi sot se ajo që arrin sot SPAK nuk është asnjë më shumë se ajo çka bërë prokurori Hajdarmata apo kolegët e tij të krimeve të rënda.

Kur efekti më i rëndësishëm i Hajdarmatës dhe kolegëve të tij ishte kur, fashikujt e hetimit në vend që t’i fusnin në dosje, i dërgonin në zyrën e Sali Berishës, që është realisht protektori i tij.

Ne sot jemi dëshmitarë të një situate kur SPAK ka hapur një lojë të madhe, ku shumë normalisht një opozitë në vend, mund të elaborojë teza, programe por mbi të gjitha liderë. Për të ardhur në pushtet në zgjedhje të reja.

Mirëpo opozita jonë, nuk është një formacion politik autonom, ku mund të flitet për program, për staf politik apo për një aureolë politike. Foltorja e Sali Berishës është peng i rastit gjyqësor Partizani, ndërkohë Partia e Lirisë është peng i rasteve gjyqësore që janë nën hetim, por që zyrtarisht nuk janë bërë dosje.

Por që normalisht mund të bëhen dosje sa më shpejt. Se në fund të fundit është një zhvillim i pritshëm. Por opozita thekson se nuk e beson SPAK vetëm kur vë nën hetim Edi Ramën. Një retorikë natyrisht propagandistike, pasi kjo opozitë është e lidhur nga rastet e hetimit të Berishës dhe Metës.

Logjikisht këto dy raste do të prodhonin një zhvillim të ri brenda opozitës, nxjerrjen e figurave të reja opozitare të cilët edhe mund të luftonin në publik për të pastruar figurat e krerëvë të tyre që i heton SPAK.

A mund t’i bëjë opozita shqiptare këto? Padyshim! Madje mund të dalë në zgjedhje me tezën se Sali Berisha dhe Ilir Meta janë të pafajshëm dhe ne i kërkojmë shqiptarëve votën politike në lidhje me SPAK. Mundësia është krejt e qartë; që në zgjedhjet e ardhshme Sali Berisha e Ilir Meta të dalin me parullën e zgjedhjeve që SPAK po akuzon opozitën.

Sepse në të vërtetë kjo është ndarja sot. Foltorja dhe Parti e Lirisë janë grupimet që e konsiderojnë SPAK një strukturë kriminale. Por kjo tezë ka kundërshtimin e madh popullor në të gjitha sondazhet. Megjithatë ky lidership që e sheh SPAK si kontest ndaj të ardhmes së tij nuk zgjedh një grup të ri drejtues, që do të përballonte betejën me mazhorancën socialiste.

Një lidership i ri, do të sillte jo vetëm një tërmet politik në vend, por edhe fitoren politike të një opozite që nuk ka brenda Sali Berishën e Ilir Metën. Duke sjellë si efekt domino pjesë të mëdha të shoqërisë që është mbajtur larg prej vitesh. Ndaj nuk e lejojnë.