Forum27 Prill 2023, 15:34

Të pabarabartë edhe në vdekje

Shkruar nga Edmond Arizaj

Të pabarabartë edhe në vdekje

Po je i zakonshëm, mos prit barazi, mos prit interesim, mos prit as hetim e investigim nëse të vrasin...

Mos e dhëntë Zoti të jesh njeri i zakonshëm në Shqipëri. Si i zakonshëm? Ai që kur i shkruan emrin në Google nuk del asnjë rezultat. Po je i zakonshëm, mos prit barazi, mos prit interesim, mos prit as hetim e investigim nëse të vrasin.

Mimoza Paja. Kush?! E sheh. Mos e hap Google. E hapa unë pak më parë. Është gruaja që u vra në punë të saj, rreth një muaj më parë në Don Bosko, Tiranë, kryeqyteti Shqipërisë. U tha që ishin ca çuna, grup kriminal, me motor që qëlluan. Deri tani nuk ka asnjë foto “zbuluar” nga dosja hetimore të këtij motori, megjithëse vrasja ka një muaj e kusur, e ata ishin në kryeqytetin mbërthyer ngado me kamera.

Ndërsa, brenda javës për vrasjen e Shëngjinit kemi foto motori, makine, video, ekspertë që nxjerrin gabimet e vrasësit, një javë emisione e shkrime, madje edhe zbulim të vrasjes me gjithë shkakun brenda. Një javë marramendëse pompimi i materialeve hetimore në mediat shqiptare. Dukej sikur hetuesit kishin secili nga një portal dhe bënin garë me njëri-tjetrin.

Po si dreqin, policia dhe prokuroria jonë zbuloi për një javë grup vrasësish nderkombëtarë, me emër e mbiemër, me vendilindje e pasaportë, me fytyrë e ngjyrë lëkure, me itinerar lëvizje brenda dhe jashtë vendit, me blerje karburanti për mjetin (para, apo pas vrasjes?!), me sebep qëndrimi dashurinë të autorit…dhe nuk zbulon dot as markën e motorit të atyre që vranë Mimoza Pajën në hall të saj?! Apo ajo nuk rezultonte në Google?!

Normalisht, Mimoza e shkret Paja mezi mbante veten e familjen kur ishte gjallë, e jo më të lëvizte qoftë edhe me vrasjen e saj makinerinë zulmëmadhe të policisë e prokurorisë, apo të provokonte më shumë se një shkrim keq ardhës.

Jeta është e pabarabartë. Vdekja po ashtu. Njerëzit në shoqëri janë të pabarabartë. Mediat dhe gazetarët kanë interesa të pabarabarta. Por policia dhe prokuroria nuk mund të sillen të  pabarabarta, edhe në “rrjedhje” informacioni. Minimumi të bëjnë sikur janë të barabartë.

vrasaj lezhë don bosko pabarazi hetimi