Showbiz15 Qershor 2018, 11:07

Foto/ Erion Veliaj dhe këngëtarja Manjola Nallbani shërbejnë iftar për njerëzit në nevojë

Shkruar nga Pamfleti

Në të gjitha mensat e saj sociale, Bashkia e Tiranës zgjodhi që ditët e bekuara të muajit të Ramazanit të shërbejë iftarin për njerëzit në nevojë, të moshuarit, të pamundurit dhe grupet e ndryshme sociale, duke krijuar edhe për ta një mjedis të ngrohtë familjar. Qendra Sociale e Bashkisë së Tiranës në Bulevardin “Zogu I” shërbeu iftarin e radhës për njerëzit e pamundur, së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, këngëtaren e njohur, Manjola Nallbani dhe avokaten Eni Çobani.

Kryetari Veliaj tha se synimi i Bashkisë së Tiranës është që ky lloj solidariteti me njerëzit në nevojë të jetë gjatë gjithë vitit, ndërsa bëri thirrje që kushdo që ka mundësi, të kontribuojë duke ndihmuar të pamundurit. “Motivi dhe motoja e bashkisë është: A mundet që fryma e këtij muaji, ky lloj solidariteti, të na shoqërojë në çdo muaj të vitit? Ndaj thirrja jonë është që për këdo që i ka mundësitë të ndihmojë e shërbejë dikë që është në nevojë”, tha Veliaj, teksa shtoi se kjo nismë nuk mund të jetë monopol vetëm i institucioneve shtetërore.

Ai vlerësoi solidaritetin e treguar nga artisja e njohur e muzikës shqiptare, Manjola Nallbani dhe avokatja Eni Çobani, që lanë impenjimet e tyre për t’iu përkushtuar për disa orë njerëzve në nevojë. Veliaj theksoi që para se dikush të jetë një profesionist i mirë, duhet të jetë edhe qytetar i mirë. “Nuk mjafton të jesh një avokate shumë e njohur, nëse nuk je fillimisht një qytetar i mirë. Nuk mjafton të jesh një këngëtare, një artiste shumë e njohur, nëse nuk je një qytetar i mirë. Ndaj, sot janë këtu se janë fillimisht qytetare të mirë të Tiranës sonë”, u shpreh ai.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Bashkia e Tiranës ka hapur në të gjithë territorin e saj disa qendra sociale, ku krahas një vakti të ngrohtë, njerëzit në nevojë marrin edhe përkujdes mjekësor dhe shërbime të tjera utilitare. Veliaj theksoi se synimi i bashkisë është largimi i fëmijëve nga rruga dhe garantimi i arsimimit të tyre për të qenë qytetarë më të mirë për shoqërinë. “Kur dikush është mbi të gjitha qytetar, dhe ka vlerat dhe normat e qytetarisë, mund të bëhet gjithçka në jetë. Ndaj, qëllimi ynë për fëmijët e Tiranës është fillimisht t’i arsimojmë, t’i rrisim mirë, edhe në këtë qendër sociale ku synojmë të heqim fëmijë nga rruga dhe gjatë paradites janë ata që marrin kurse, janë ata që ushqehen, janë ata që kanë këshillues dhe psikolog, se po t’i bëjmë qytetarë të mirë, nesër mund të bëhen edhe avokatë, edhe artistë të shkëlqyer”, tha Veliaj.

Artistja e njohur e muzikës shqiptare, Manjola Nallbani u shpreh e emocionuar që u bë pjesë e kësaj nisme, teksa përgëzoi Veliajn për punën e bërë. “Si vajzë Tirane, nuk jam e politizuar dhe më vjen shumë keq që çdo gjë që themi, keqinterpretohet dhe merr nuanca që nuk e ka në fakt ajo çfarë do të them. Çdo gjë, çdo pëllëmbë toke që shoh më të bukur sot nga dje, dhe më të vlefshme për fëmijën tim, për mua, nga dje, sot, unë i them: Bravo i qoftë, kushdo që e bën”, tha këngëtarja Nallbani. Avokatja e njohur Eni Çobani, u shpreh e vlerësuar që iu bashkua iftarit dhe vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për ndryshimet që kanë ndodhur në Tiranë.

Showbiz