Kosova13 Dhjetor 2022, 08:41

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Franca është shprehur shumë e shqetësuar për situatën në veri të Kosovës dhe ka dënuar sulmet ndaj misionit të EULEX-it si dhe të gjitha aktet tjera të dhunës të shfaqura.

Në një reagim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës të hënën, ky vend ka kërkuar nga palët të tregojnë përmbajtjen më të madhe dhe të demonstrojnë përgjegjësi në mënyrë që të ulen tensionet.

“Franca përkrah plotësisht ndërmjetësimin evropian, që duhet ta bëjë të mundshëm përparimin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme në mes të Serbisë dhe Kosovës dhe të ecet përpara në drejtim të perspektivës evropiane për të dyja shtetet. U kërkon të dyja palëve të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Jashtme franceze ka thënë se do ta diskutojë çështjen e veriut me shtetet tjera evropiane në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Bashkimin Evropian.

Tensionet në veri të Kosovës nuk janë shuar edhe pas disa ditësh prej kur filluan.

Gjithçka nisi kur zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u përpoqën të hyjnë në objektet e tyre në katër komunat në veri të Kosovës, për t’i organizuar zgjedhjet e parapara për 18 dhjetor, në veri ka pasur sulme ndaj Policisë dhe zyrtarëve të KQZ-së.

Një polic është plagosur si pasojë e të shtënave në Zveçan.

Një ish-polic serb i Kosovës është arrestuar për këto sulme. Serbët lokalë në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët në drejtim të pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak, që janë mbyllur përkohësisht.

Prishtine Barrikadat në veri të Kosovës Franca tensionet ne veri te kosoves veriu i Kosovës