Përfundojnë ndeshjet e javës së 25 në Serinë A. Milani ka surprizuar Udinezen në minutat e fundit të ndeshjes, duke i marrë një pikë të vlefshme duke e mbyllur takimin në “San Siro” në shifrat 1-1.
Bekao realizoi golin për miqtë në minutën e 68 me kokë, por faji mbetet i Donnarumës me një gafë pasi topi ishte i kontrollueshëm dhe i kaloi nën shalë.
Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej me fitoren e Udinezes, Milani barazoi shifrat në minutën e 97 me golin e Frenk Kesi nga pika e bardhë e penalltisë.
Me këtë barazim, Milani renditet në vendin e 2 me 53 pikë, ndërsa Udineze mban vendin e 11 me 29 pikë.
Në ndeshjet e tjera, Atalanta ka shkatërruar Krotonen me rezultatin e thellë 5-1. Bergamaskët shtypën miqtë brenda 9 minutave, ku pas barazimit 1-1 në pjesën e parë, në fraksionin e dytë shënuan 3 herë të tjera.
Fillimisht ishte Palomino në minutën e 48, që shënoi golin e 2-1. Pas mbrojtësit shënoi Luis Muriel, që shfrytëzoi një gabim të njërit prej lojtarëve të Crotones.
Në minutën e 57 erdhi edhe goli i katërt me autor Josip Ilicic, që shënoi me një goditje të bukur me të majtën.
Në minutën e 85, Mirançuk i vuri vulën golit të pestë për Atalantën, ndërsa Roma ka mundur me përmbysje Fiorentinën me rezultatin 1-2.