Humbja 3-1 përballë Milan në “San Paolo” ka lënë gjurmë te Napoli. Zhgënjimi ishte i madh, çka u pa në fjalët e para të Xhenaro Gatuzos pas ndeshjes: “Nuk më pëlqejnë disa sjellje, nëse bëjmë si profesorë nxjerrim në pah të metat tona”. Por sipas medias italiane, këto fjalë nuk janë pritur mirë nga futbollistët, çka ka sjellë edhe një përplasje të tyre dhe trajnerit, një debat me tone të larta në dhomat e zhveshjes, aq sa Gatuzo ka kërcënuar me largim. “Nëse gjërat nuk ndryshojnë, jam i gatshëm të largohem”, mësohet të këtë thënë ai.
Ky lajm i publikuar nga “Corriere dello Sport” është hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga klubi i Napolit. Duke qëndruar në atë që raportojnë mediat italiane, situata është qetësuar të hënën me Gattuso dhe lojtarët që janë sqaruar, këtë herë me tone të buta. Trajneri kërkon nga lojtarët të bashkohen përpara dy sfidave shumë të rëndësishme në këtë pikë të sezonit, kundër Rijeka në Europa League dhe kundër Roma në Serie A.