Kosova30 Dhjetor 2022, 11:45

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, duke folur për tensionet në veri të vendit ka thënë se Serbia shkakton konflikte artificiale, sikurse ishte çështja e targave, dhe i çon më pas në konflikte reale, ashtu sikurse ndodhi me barrikadat në veri të Kosovës.

Gërvalla, në një intervistë për Radio Televizion Shqiptar, duke iu referuar Serbisë, tha se nuk ka forcë që mund ta shantazhojë Kosovën.

“Raportet me Serbinë t’i ndërtojmë mbi baza parimore. Serbia nuk ka konsensus t’i zgjidhë me dialog, përveç njohjes së ndërsjellët që do i hapte rrugë rajonit për një bashkëpunim më të thellë mes shteteve tona”, ka shtuar ajo.

Kryediplomatja kosovare më tej shprehu bindjen se beteja e ardhshme do ketë si rezultat përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit. Për Gërvallën, dialogu Kosovë-Serbi nuk ecën përpara pa njohjen reciproke.

“Serbia shkakton konflikte artificiale, siç ishte konflikti rreth targave, dhe i çon në konflikte reale, sikurse janë barrikadat. Nuk ka forcë që e shantazhon Kosovën. E dimë që s’është e lehtë, por është betejë që do ketë si rezultat që marrëdhëniet mes rajonit të jenë më të mira se në 2021”, tha ajo.

Teksa ka folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Gërvalla ka thënë se ai ka vdekur.

“Ky asociacion i cili ka pasur një marrëveshje ne 2013 që u korrigjua në 2015, ka vdekur kur Gjykata Kushtetuese ka thënë se bie ndesh me 23 nene. Nuk është legjitime për qeverinë tonë që të ofrojnë koncepte që bien ndesh me Kushtetutën e vendit. Kryeministri Kurti ka paraqitur në Bruksel një plan me 6 pika, një prej të cilave ka të bëjë me pakicat kombëtare”.

Gërvalla theksoi se, një prej fokuseve kryesore është njohja e Kosovës nga shtetet që nuk e njohin.

“2022 shënon kthesë në politikën e jashtme dhe të brendshme. Zgjedhjet e 2021, ku doli një strukturë politike e qëndrueshme, me vullnet, ndërsa 2022 shënon kthesën për të dalë nga status quo-ja, Kosova të pranojë që s’është aktor i barabartë në skenën ndërkombëtare, këtë duam ta ndryshojmë”, u shpreh ajo.

Prishtine Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dialogu Kosovë-Serbi Donika Gërvalla veriu i Kosovës

Kosova