Pak pas ekzekutimit të Armando Gjinit mesditën e sotme në qendër të qytetit të Rrëshenit, policia ka gjetur një automjet të djegur në vendin e quajtur Kodër në dalje të Rrëshenit. Dyshohet se automjeti i djegur i përket autorëve të vrasjes së 45-vjeçarit, Armando Gjini.
Në brendësi të automjetit është gjetur edhe një armë zjarri kallashnikov, që dyshohet se i përket autorëve dhe u përdor në atentatin e ish-ushtarit të baronit të drogës, Met Kananit.
Disa muaj më parë atij tentuan t’i bënin një atentat me tritol, nga i cili shpëtoi mrekullisht. 45-vjeçari u arrestua vitin e kaluar në datë 12 maj si pjesë e bandës së Met Kanani, në kuadër të operacionit ‘Precizioni’. Shkak për vrasjen e sotme dyshohet se është bërë e shkuara e tij kriminale.