Greqia ka vendosur që të zgjasë masat kufizuese deri më datë 7 dhjetor. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i qeverisë greke, i cili tha se vendimi u mor duke pasur në konsideratë situatën e krijuar në vend me koronavirusin.
“Lockdown-i total do të shtyhet”,- tha ai duke iu referuar të dhënave epidemiologjike duke mos dhënë garanci edhe për “shpëtimin” e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, të cilat do të festohen nën masa kufizuese.
Rrjedhimisht, periudha e festave do të jetë ndryshe në Greqi pasi qarkullimi do të jetë i kufizuar, ndërsa baret dhe restorantet do të funksionojnë në orare më të reduktuara. Greqia është duke u përballur me raste të shumta të prekurish dhe të vdekurish nga koronavirusi. Spitalet në zona të ndryshme të vendit janë mbushur duke detyruar autoritetet që të bëjnë transportimin e të sëmurëve me avion për në Athinë ku ka ende vende bosh. Qeveria helene i është përgjigjur luftës ndaj pandemisë duke vendosur masa të forta shtrënguese prej më shumë se një muaji.