Aktualitet22 Shtator 2018, 13:20

Gjeografia e re e inovacionit

Shkruar nga Pamfleti

Gjeografia e re e inovacionit

Pse startup-et po largohen nga Silicon Valley. Ajo nuk po konsiderohet më si një ndër qendrat më të rëndësishme të teknologjisë dhe kjo është një arsye e fortë për t’u shqetësuar

“Si në Firence gjatë periudhës së Rilindjes”. Ky është përshkrimi më i zakonshëm i asaj se si është të jetosh në Silicon Valley, shkruan The Economist. Kryeqyteti teknologjik i Amerikës ka ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë botërore, bursat dhe kulturën. Në këtë pjesë të vogël toke që fillon nga San Jose në San Francisko ndodhen tre prej pesë kompanive më të pasura të botës.
Gjigantët si Apple, Facebook, Google dhe Netflix, të gjithë pretendojnë se janë krijuar në Silicon Valley, njësoj si Airbnb, Tesla dhe Uber. Kjo zonë ka edhe ekonominë më të madhe të shekullit XIX, duke tejkaluar Zvicrën dhe Arabinë Saudite. Por Silicon Valley nuk është thjesht një vend. Ajo është edhe një ide.

Që në momentin kur Bill Hewlett dhe David Packard filluan të krijonin kompaninë e tyre (HP) në një garazh makinash gati 80 vjet më parë, ajo është shndërruar në kryefjalën e inovacionit. Ajo ka qenë qendra e disa cikleve të shkatërrimit dhe rigjenerimit Schumpeterian, kompjuterëve personalë, softuerëve dhe shërbimeve të internetit.

Disa nga shpikjet e saj kanë qenë vërtet qesharake, si për shembull, shpikja e një aplikacioni që u shiste njerëzve monedha në lavanderi. Por, pjesa më e madhe e shpikjeve të tyre janë vërtet disa nga më të mirat dhe këtu mund të përmendim çipet e ndryshëm, disa prej databazave më të sofistikuara dhe smartphone, që kanë të gjitha një të përbashkët, Silicon Valley. Kombinimi i ekspertizës inxhinierike, rrjetet e lulëzuara të biznesit, sasi të mëdha kapitali, universitete shumë të forta dhe kultura e marrjes përsipër të rreziqeve të ndryshme e bëjnë Silicon Valley të pamundur për t’u klonuar, edhe pse përpjekjet në këtë drejtim kanë qenë të shumta.

Deri më tani ajo nuk ka pasur asnjë rival të besueshëm që ta konkurrojë atë në përkufizimin si qendra më e famshme në botë e inovacionit. Ka gjithashtu shenja se ndikimi i Silicon Valley është në rritje. Por nëse kjo do të ishte thjesht simptomë e rritjes së inovacionit diku tjetër, atëherë ky do të ishte padyshim një faktor pozitiv. Por e vërteta është krejt tjetër.

Rajoni “Silicon Valley”

Së pari, kemi të bëjmë me dëshmitë se diçka po ndryshon. Vitin e kaluar, numri i amerikanëve që u larguan nga San Francisko ishte më i lartë se numri i atyre që shkuan atje. Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, 46% e të anketuarve thonë se planifikojnë të largohen nga kjo zonë në vitet e ardhshme, shifër e lartë krahasuar me 34% në 2016-n. Shumë startup-e të reja janë duke u hapur në vende të reja, trend që së fundmi është përkufizuar si “Off Silicon Valleying”.

Peter Thiel, një prej sipërmarrësve kapitalistë më të famshëm të Sillicon Valley, bën pjesë në grupin e atyre që duan të largohen nga kjo zonë, duke u zhvendosur në Los Anxhelos. Ndërsa ata që kanë vendosur të qëndrojnë, kanë perspektiva më të mëdha: në 2013-n, investitorët e Silicon Valley investuan gjysmën e parave të tyre në startup-e jashtë kësaj zone. Arsyet për këtë ndryshim janë të shumta, kryesorja ndër to është kostoja e jetesës, një ndër më të lartat në botë.

Sipas një sipërmarrësi të kësaj zone, startup-et këtu paguajnë të paktën katër herë më shumë për të operuar në krahasim me qytete të tjera amerikane. Teknologjitë e reja, nga informatika kuantike në biologjinë sintetike, ofrojnë marzhe më të ulëta sesa shërbimet e internetit, duke e shndërruar atë në një zonë të rëndësishme për startup-et e reja që të investojnë paratë. E gjithë kjo situatë rrëzohet pas përballjes me trafikun e rënduar, me shiringat e përdorura të hedhura thuajse në çdo cep rruge dhe mbi të gjitha, me pabarazitë tronditëse.
Qytete të tjera po rriten si rezultat i një situate të tillë.

Fondacioni Kauffman, një grup jofitimprurës që analizon sipërmarrjet kapitaliste, tani rendit në vend të parë zonën Miami-Fort Lauderdale për zhvillimin e aktiviteteve të startup-eve në Amerikë, bazuar në numrin e lartë të startup-eve dhe sipërmarrësve të rinj aty.
Phoenix dhe Pittsburgh janë shndërruar në qendra të automjeteve më vetëdrejtim; Nju Jork për startup-et e mediave; Londra për teknologjinë financiare; Shenzhen për harduerat. Por edhe pse asnjëra prej tyre nuk mund të krahasohet me Silicon Valley, lindja e ideve të mëdha, edhe në vende të tjera që nuk janë Silicon Valley, duhet mirëpritur. Ekzistojnë disa arsye, sipas të cilave fusha e gjerë e inovacionit mund të zhvillohet dhe të rritet edhe në vende të tjera.

Gjithnjë e më të pakta janë arsyet se përse një rajon i caktuar duhet të shndërrohet në epiqendrën e teknologjisë. Falë pajisjeve dhe aplikacioneve që vetë firmat e Silicon Valley kanë prodhuar, nga smartphone-t tek video call, ekipe të shumta mund të punojnë në mënyrë efektive nga zyrat e tyre në shtete të ndryshme, duke mos qenë domosdoshmërisht në Silicon Valley.
Shpërndarja e pasurisë në mënyrë më të drejtë mund të jetë gjithashtu një nga arsyet. Diversiteti më i madh i mendimit, mund të jetë një tjetër. Përveç shumë gjërave që kryhen në mënyrë thuajse të përsosur në Silicon Valley, ajo është shumë pranë shndërrimit në një monokulturë ku mbizotërojnë vetëm meshkujt. Gjatë vitit të kaluar, kompanitë e themeluara nga gratë kanë marrë vetëm 2% të fondeve të sipërmarrësve kapitalistë.

 

Hijet e kolosit

Një nga problemet në drejtim të zgjerimit të fushës së inovacionit është përballja me vështirësi të shumta, një ndër të cilat është dominimi i gjigantëve të teknologjisë. Startup-et, veçanërisht ato në biznesin e konsumit të internetit, po përpiqen që të tërheqin sa më shumë kapital në hijen e Alphabet, Apple, Facebook, etj.

Në vitin 2017, numri i raundeve të para të financimit në Amerikë ra me rreth 22% në krahasim me vitin 2012. Alphabet dhe Facebook i paguajnë punonjësit e tyre me paga shumë të larta, duke ia vështirësuar punën startup-eve të reja për të tërhequr punonjësit më të talentuar (paga mesatare në Facebook është 240,000 dollarë amerikanë).

Kur probabiliteti i startup-eve të reja për të qenë të suksesshme është shumë i ulët dhe pagat që ato ofrojnë për punonjësit e tyre nuk kanë shumë ndryshim nga ato të një pune që nuk është e fushës së inovacionit, atëherë ato janë në rrugën e duhur drejt dështimit.
Është pothuajse e njëjta histori edhe në Kinë, ku Alibaba, Baidu dhe Tencent janë përgjegjës për gati gjysmën e të gjitha investimeve të sipërmarrjeve të kapitalit në vend, duke u dhënë gjigantëve në fjalë, një fuqi të madhe krahas rivalëve potencialë.
Arsyeja e dytë, e cila po ndikon në zvogëlimin dhe përkeqësimin e inovacionit është edhe për shkak të politikave gjithnjë e më armiqësore të përdorura në Perëndim.

Rritja e ndjenjave kundër emigrantëve dhe procedurat e marrjes së vizave që po vështirësohen, të prezantuara nga Donald Trump kanë pasur ndikime të shumta në ekonominë e vendit, ku 25% e kompanive të reja ndërtohen nga sipërmarrësit e huaj. Një ndër arsyet kryesore të lulëzimit që mori Silicon Valley ishte edhe për shkak të largpamësisë së qeverisë.

Por shpenzimet e shtetit në universitetet publike në të gjithë Amerikën dhe Europën kanë shënuar rënie që prej krizës financiare të 2007-‘08. Ndërsa financimi për kërkimet bazë është i pamjaftueshëm. Shpenzimet e qeverisë federale të Amerikës në Kërkim & Zhvillim ishin 0.6% e PBB-së në vitin 2015, sa një e treta e asaj që ishin në vitin 1964.

Nëse rënia relative e Silicon Valley shoqërohet me rritjen e një rrjeti global të qendrave rivale të teknologjisë, kjo do të ishte një arsye e madhe për të festuar. Por, fatkeqësisht rënia e shkëlqimit të Silicon Valley, paralajmëron se inovacioni po përballet kudo me vështirësi të shumta./Monitor

Forum gjografia e inovacionit Silicon Valley