Bota 5 Korrik 2019, 12:01

Gjermanët nuk besojnë tek Ursula von der Leyen, a do të bëhet aleatja e Merkel presidentja e re e Komisionit Europian?

Shkruar nga Pamfleti
Gjermanët nuk besojnë tek Ursula von der Leyen, a do të

Gjermanët nuk besojnë tek Ursula von der Leyen, a do të bëhet aleatja e Merkel presidentja e re e Komisionit Europian?

A do të bëhet Ursula von der Leyen presidentja e re e Komisionit Europian? Për këtë diskuton e gjithë Europa. Por ka shumë gjermanë që nuk e besojnë, se ajo do të bënte një punë të mirë në Bruksel, sipas sondazhit të ARD.

Emri i Ursula von der Leyen doli papritur  e emëruar nga krerët t shteteve dhe qeverive të BE si pasuese e Jean-Claude Junckerit. Por nëse ajo do të bëhet vërtet presidentja e re e Komisionit Europian kjo varet nga Parlamenti Europian. E kështu duhet të jetë, mendojnë shumë gjermanë. 71% e të pyeturve në sondazhin e ARD pohojnë, se Parlamenti Europian duhet të ketë fjalën e fundit dhe jo krerët e qeverive dhe shteteve të BE.

Qytetarët gjermanë u pyetën nga Instituti Demoskopik “infratest” për barometrin e ARD-së, matës i tendencave në Gjermani në çdo muaj, lidhur me kandidaten për postin e kreut të KE, Ursula von der Leyen. A është ajo personi i duhur për postin më të lartë në BE. 56% e të pyeturve thanë “Jo”, vetëm 33% besojnë, se aktualisht ministrja gjermane e Mbrojtjes do të bënte një punë të mirë në Bruksel.

Ministrja von der Leyen aktualisht në Gjermani ndodhet nën presion. Ajo akuzohet, se në shkelje të ligjit ka dhënë kontrata milionëshe për firma të jashtme konsultuese. Një komision hetimor po merret me aferën e konsulentëve. Vetëm përkrahësit e FDP-së, me një shumicë të lehtë janë të mendimit, se megjithatë von der Leyen do të bënte një punë të mirë në Bruksel.

Refuzimi vjen nga përkrahësit e Partisë Socialdemokrate, E Majta dhe AfD. Këtu vetëm çdo i pesti e mbështet Ursula von der Leyen në postin e ri. Më shumë skepticizëm paraqesin qytetarët nën moshën 34 vjeçare.

Debat për shpëtimin në det

Arrestimi i përkohshëm i kapitenes së anijes gjermane “Sea Watch”, Carola Rackete ka ndezur një diskutim të madh në Gjermani për politikën e refugjatëve në BE dhe shpëtimin e atyre në nevojë urgjente në det të hapur. Kapitenja u fut pa leje në portin e ishullit Lampedusa, e më pas autoritetet italiane filluan një procedurë për përkahje të migracionit ilegal. Një procedim që gjermanët e shohin me sy kritik. Tre të katërtat e gjermanëve të pyetur për ARD thonë, se shpëtimi i refugjatëve në nevojë në det të hapur nuk duhet të pasohet nga hapa juridikë. Nga ana tjetër, 70% e të pyeturve nuk e vlerësojnë si të drejtë që Italia nuk ua lejon anijeve të shpëtimit hyrjen në portet e saj.

Edhe iniciativat private që shpëtojnë refugjatët në Mesdhe gjejnë mbështetje tek 72% e të anketuarve.

Një temë tjetër e barometrit të ARD-së është edhe mbrojtja e klimës. Tek popullsia gjermane ka dyshime, se aktorët e rëndësishëm në shoqëri bëjnë sa duhet për të mbrojtur klimën. Dy të tretat e të pyeturve në Gjermani i vlerësojnë si të pamjaftueshme përpjekjet e popullsisë por edhe të BE, qeverisë gjermane dhe sipërmarrjeve në Gjermani për të mbrojtur klimën. 92% e qytetarëve gjermanë mbështesin zgjerimin e kapaciteteve të energjive të rigjenerueshme. Por futjen e tatimit për CO2 e mbështesin vetëm 39%. Edhe më të qartë janë gjermanët për shtrenjtimin përmes tatimeve të automjeteve me motorë me naftë. Vetëm 24% e vlerësojnë këtë si pozitive./DW

Bota aleatja e Merkel pasuesja e Jean-Claude Juncker Ursula von der Leyen