Kosova 7 Nëntor 2022, 20:47

Gjermania 'shumë e shqetësuar' për tensionet Serbi-Kosovë: Duhet zgjidhur urgjentisht konflikti!

Shkruar nga Pamfleti
Gjermania 'shumë e shqetësuar' për tensionet

Gjermania është shfaqur e shqetësuar për mosmarrëveshjen Serbi – Kosovë për targat e automjeteve, çështje kjo e cila ka përshkallëzuar më tepër tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Përmes një deklarate për shtyp këtë të hënë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane, Andrea Sasse iu bëri thirrje palëve të zgjidhin urgjentisht konfliktin.

“Mund t’ju ​​them se jemi shumë të shqetësuar për përshkallëzimin. Apeli ynë urgjent për të dyja palët në konflikt është që të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejshëm dhe ta zgjidhin këtë konflikt në bisedime të drejtpërdrejta. Bëhet fjalë për të bërë kompromise pragmatike tani,” shtoi Sasse.

Serbët e Kosovës janë tërhequr nga të gjitha institucionet qendrore dhe lokale në shenjë proteste ndaj vendimit të Prishtinës për zëvendësimin e targave të lëshuara për serbët nga autoritetet serbe me targa të Republikës së Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi vazhdon ta konsiderojë Kosovën si territorin e saj. Prishtina thotë se do të fillojë të shqiptojë “masat qortuese” këtë muaj për shoferët serbë që përdorin targa të vjetra të para-pavarësisë, do të fus në fuqi gjobat deri më 150 euro pas 21 nëntorit, si dhe do të konfiskojë automjetet me numra të vjetëruar të regjistrimit pas 21 prillit 2023.

Në këtë fushatë tensionesh, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje qeverive Kurti e Vuçiç, të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm. Ndërsa u bëri thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre për dialog dhe të rikthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratën lokale. Po ashtu, Borrell kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të zgjasin procesin e ri-regjistrimit të automjeteve dhe të pezullojnë çdo veprim ndëshkues ndaj mbajtësve të vjetër të targave.

Prishtine Gjermani Kosove Serbi