Aktualitet28 Mars 2018, 19:29

“Gjunjëzimi” i gënjeshtërt i Berishës përballë Bashës

Shkruar nga Pamfleti
“Gjunjëzimi” i gënjeshtërt i Berishës

“Gjunjëzimi” i gënjeshtërt i Berishës përballë Bashës

Sali Berisha konfirmoi publikisht pafuqinë e tij për t’u përballur me kryetarin aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke goditur kundërshtarët e tij dhe duke kërkuar një bashkim rreth tij.

Shkruan: Mero Baze 

Pas publikimit të një shkrimi, ku një gazetar i afërt me PD kishte përshkruar takimin me Berishën dhe rezervat e tij jopublike për Bashën, për mënyrën si ka bërë listat dhe si ka goditur drejtuesit e tjerë të PD-së, dhe sidomos pas thirrjes së lëvizjes “dumbabiste” për rikthimin e tij, Berisha ishte qartazi në një pozicion të vështirë. Ai ose duhet të pranonte betejën me Bashën, ose duhet t’i bashkohej atij.

Edhe pse shumicën e kësaj lëvizje ai e ka nxitur vetë, edhe pse Basha ka vepruar në mënyrë të qartë për t’u shkëputur prej tij dhe PD-së së tij më 18 maj 2017, Berisha provoi se është i pafuqishëm për të goditur Bashën, dhe ka tërhequr gjithë bisedat private që bën jo vetëm me një gazetar që e shkruajti, por me dhjetra të tillë, kur bisedon privatisht.

Në një dalje publike një ditë më parë, Berisha e shikon zgjidhjen tek rikthimi i kundërshtarëve në komandën e Bashës dhe thirrjen e të rinjve brenda PD-së, për të tejkaluar problemet që sjell garda e vjetër. Pra, në një farë mënyre kërkon relativizimin e kritikëve të Bashës, dhe mbushjen e PD-së me emra të rinj që nuk mbartin konflikte nga e shkuara.

Ky qëndrim i tij është kryekëput ajo çfarë Bashës i duhet në këto momente, të cilin për hir të së vërtetës ai nuk ja ka kërkuar Berishës, por Berisha po ja ofron, për të mos u zbuluar që është i pafuqishëm për një betejë me të.

E gjithë filozofia e luftës së ftohtë Berisha-Basha, është që Berisha të mos kuptohet që është i dobët, dhe që Basha të detyrohet përmes presioneve të vogla, të jetë i sinkronizuar me të. Basha, i cili e ka kuptuar këtë mekanizëm, në fakt po vepron në mënyrë krejt të pavarur dhe po e detyron Berishën që t’i shkojë pas fijes, edhe pse nuk po ja bën ato që do. E fundit fare është çështja  e mbledhjes së Kuvendit të Parakohshëm të PD-së, i cili realisht nuk ka asnjë objektiv, përveç faktit që kërkon të rikonsolidojë dhe afirmojë pushtetin e Bashës në PD, para ndonjë veprimi të mundshëm të Prokurorisë apo ardhjes së letërporosisë nga SHBA kundër tij.

I frikësuar nga ndonjë zhvillim i papritur dhe nga paralajmërimet e shumë diplomatëve në Tiranë, të cilët e raportojnë Bashën si një kryetar në ikje, Basha po përpiqet të konfirmojë vetveten në krye të PD dhe strukturave të saj, në kulmin e  një beteje ligjore kundër tij.

Pikërisht në momentin më të dobët të Bashës, kur ai mund të iki nga PD, dhe për arsye jo politike, Berisha nuk guxon të marrë pozicion kundër tij, përveç thashethemeve që përhap nga zyra e tij, për t’i bërë presion.

I pasigurt tek një pasardhës tjetër në PD dhe akoma më i pasigurtë se çfarë mund t’i ndodhë PD-së në një katrahurë të mundshme të shkarkimit të tij për arsye ligjore, Berisha preferon të bëjë sikur është dakord me Bashën, për të mos u dukur pakicë.

Thirrjet e tij për bashkim dhe nënshtrim të kritikëve ndaj Bashës, në një kohë që dikush i ka shfletuar në zyrë dhe dokumentat amerikane që kompromentojnë Bashën për financimet ruse, tregojnë se Berisha ndjehet i frikësuar të heqë Bashën, në një kohë kur mund të jetë objekt i hetimeve nga Prokuroria shqiptare dhe drejtësia në SHBA, nga frika e “martirizmit” të tij. Ai me sa duket po mendon më mirë një PD me Bashën në burg dhe atë kryetar “de facto”, se sa një PD e distancuar nga Basha dhe me një fillim të ri. E ka mahnitur historia e Fatos Nanos në burg dhe me sa duket shpreson ta shijojë në kurriz të Bashës.

Forum “Gjunjëzimi” i gënjeshtërt i Berishës përballë Bashës