Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) e cila i hoqi sekuestron ndaj pasurive. Hetimet për këtë rast u ndoqën nga SPAK dhe vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka vetëm një ditë më parë, por Kim nuk e ka pritur mirë një që të tillë.
Ambasadorja ka publikuar në rrjetet sociale vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e ka vendosur Adriatik Llallën në listën e zezë dhe se i ka hequr të drejtën për të hyrë në SHBA së bashku me familjen. “Thjeshtë një kujtesë se ky emërtim mbetet në fuqi”, shkruan Kim, duke publikuar vendimin e DASH për vendosjen e Llallës në listën e zezë.
Vendimi i DASH, më 14 shkurt 2018
Sekretari i Shtetit Rex Tillerson ka miratuar masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish-zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.
Por, e njëjta masë është marrë edhe ndaj familjarëve të Llallës, teksa ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Po ashtu, ligji parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht.
Përveç Llallës, Sekretari Tillerson ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.