Gjyqtari Admir Thanza, para 5 vitesh është “gjobitur” 8000 USD në telefon, me kërcënim për “nxjerrje aferash e sekretesh”, por ai nuk dha sqarime

 A ka lidhje heshtja e tij pas mesazhit, me “sekretin” e dënimit në Itali?

Gjyqtarin Admir Thanza, i dënuar për vjedhje në grup në Itali, nëse Komisioni Pavarur i Kualifikimit (KPK), nuk do të kishte “nxjerr rrjetën”, pas procesit të verfikimit, mund ta kishim drejtues në organet më të larta, të Reformës në Drejtësi.

Mirëpo rezulton, se 5 vite më parë, Thanza që në KPK foli si “e ëma e Zeqos në majë të thanës” për të justifikuar krimin dhe dënimim në Itali, ka pasur edhe një siklet tjetër, që thuhet se ka lidhje me këtë “plagë të vjetër”, të mbajtur të fshehtë prej afro 20 vitesh.

Kur është kapur duke vjedhur në Itali, Thanza i kupolës së drejtësisë shqiptare është dënuar nga drejtësia italiane, me 40 ditë burg dhe 100 mijë euro gjobë, por “gjobat” e kanë ndjekur Thanzën edhe shumë vite pas daljes nga burgu e kthimit në Shqipëri, duke mos e lënë të qetë, paçka se punonte në kupolën e lartë drejtësisë, deri Anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Anëtar i KLD dhe qysh prej 19 prillit 2013 edhe Anëtar i Gjykatës së Lartë.

Por vetëm 2 muaj pas marrjes së mandatimit në Gjykatën e Lartë, Admir Thanzës i është dërguar një mesazh në celular nga një avokat që e njihte shumë mirë, me tekstin “Dërgo 8 mijë USD, ose do të publikoj gjithë aferat dhe psillëqet që ke bërë”!

Ashtu si dënimin në Itali, Thanza e mbajti shumë kohë “sekret” edhe mesazhin kërcënues me gjobë pirate, me mendimin se do kërcënonte kërcënuesin gjobvenës, por nuk mundi dhe bëri denoncim, por çuditërisht gjatë hetimit, ai nuk dha asnjë shpjegim konkret, se për çfarë “aferash e psillëqesh” bënte fjalë gjoba kërcenësues 8 mijë USD, madje Thanza kërkoi “me shoqëri”, që kërcënuesi të hetohej në gjendje të lirë, ndërkohë që i kishte vendosur gjobë banditeske, një Anëtari të Gjykatës së Lartë dhe ky qëndrim tolerues i tij, fshihte një “siklet sekret”!

Sot, duke analizuar skandalin e dënimit të tij si hajdut në Itali, bëhet një pyetje logjike: Gjoba që iu vendos me telefon 5 vite më pare dhe vetëm 2 muaj pas mandatimit Anëtar i Gjykatës së Lartë, me kërcënim paralajmërues “për nxjerrje aferash e sekretesh të pista”, mos vallë ka lidhje me “sekretin” e dënimit në Itali, që ia zbuloi Komisioni “Vetting”ut?!/Pamfleti