Anti-Mafia18 Nëntor 2018, 16:30

Shkruar nga Pamfleti

“Gruevski” sjell reaksion zinxhir në Ballkan: Meta, Berisha, ish ministra dhe ministra e deri te Rama, “gurët e dominosë” që rrëzohen

Partnerët tanë e kanë bërë të qartë se politikanët e këtij kalibri krimi, trafiku dhe korrupsioni e kanë vendin në burg qoftë dhe sipas precedentit “Al Capone”, i cili nuk kishte lënë krim pa bërë, ndërkohë që u arrestua dhe u dënua për evazion fiskal. Me akuza të tilla për Berishën që bëri “Gërdecin”, “21 janarin”, “Rrugën e Kombit”, aferën e CEZ, Metën për vjedhjen e floririt të Kërrabës, rrëfimin e Almir Rrapit, “bllokun” e “700 mijë eurove”, biznesin e mermerit, vilat në Lalz dhe pallatet në Tiranë, Ramën për koncesionet dhe PPP-të, ministrat dhe ish ministrat e PS, LSI e PD, duhej dhe një burg tjetër si ai i Reçit për t’i “strehuar” të gjithë zullumqarët shqiptarë të pushtetit

Dënimi me burg i Nikola Gruevskit, kryeministrit maqedonas që është arrastisur dhe kërkon azil politik në Hungarinë e Viktor Orban nuk është një akt i thjeshtë dhe rutinë.

Të ishte për dy vite burg nën akuzën se ka blerë një makinë superluksoze në kohën kur ishte kryeministër, paçka se mbeti në “inventarin” e qeverisë pas ikjes së tij, do të kishte qënë shumë shumë e thjeshtë.

Nikola Gruevski do t’i kishte konvertuar ato dy vite burgu me arrest në shtëpi, dëmshpërblim të tërë shumës dhe shërbim ndaj komunitetit, dhe do të kishte qëndruar në vendlindjen e tij, pa u prishur balancat politike në vend.

Pasi janë 10 vite kryeministër të Gruevskit, në një vend të vogël ballkanik ku thuajse njihen të gjithë me njëri tjetrin dhe në një formë apo tjetër nderet me funksionet e shtetit janë prezente, jo vetëm në Maqedoni, do ishte e thjeshtë që të mos bënte burg.

Një miqësi ballkanike i garantoi Nikola Gruevskit të lëvizte si “zotni” nga Maqedonia, kaloi kufirin shqiptar, qëndroi një natë në shtëpinë e Presidentit të Republikës Ilir Meta ku takoi dhe kryetaren e LSI Monika, takoi me sa mësohet dhe liderin e PD Lulzim Basha.

Po si “zotni” la pas miqtë në Tiranë, dhe nën shoqërinë e truprojave presidenciale shqiptare lëvizi drejt Hanit të Hotit, kaloi në Mal të Zi, u përcoll nga miqtë malazes dhe pastaj kërciti e iku ose përmes miqve serbë të nivelit të lartë nëpër Serbi ose me avion, drejt kryemikut hungarez Orban.

Pra po të ishte për ato dy vite burg për blerjen e një makine qeveritare në shuma marramendëse, Nikola Gruevski dhe sot e kësaj dite do ishte në Maqedoni, dhe do ta konvertonte me para ose me miqësi burgun sipas ligjit, ose me shërbim ndaj komunitetit.

Por çështja është më e thellë, pasi në pastrimin e Ballkanit nga politikanët kriminelë, trafikantë dhe abuzues me pushtetin janë involvuar partnerët ndërkombëtarë, dhe veçanërisht SHBA-të.

Partnerët tanë e kanë bërë të qartë se politikanët e këtij kalibri krimi, trafiku dhe korrupsioni e kanë vendin në burg, qoftë dhe sipas precedentit “Al Capone”, i cili nuk kishte lënë krim pa bërë, ndërkohë që u arrestua dhe u dënua me burg për evazion fiskal.

Kështu dhe për Gruevskin, i cili e dinte fundin e vet, vetëm burg dhe më pas ndoshta dhe hapje e dosjeve të tjera që do t’i rezervonin dhe burgim të përjetshëm, pasi në kushtet kur nga qelia e burgut do të humbiste dhe mbështetjen, akuzatorët do të ishin më të lirë të jepnin dëshmi, prova dhe dokumente për zullumet e tij.

Për më tepër që vendosmëria e SHBA që Nikola Gruevski të bëjë me patjetër burg dhe për një shumë të madhe parash që ka paguar përmes fondit të shtetit për makinën kryeministrore, është një sinjal tjetër për liderët e Ballkanit që kanë bërë më shumë se kaq, kanë miliarda euro pasuri, abuzime, krime dhe trafiqe të certifikuara.

Ne flasim për Shqipërinë, për atë na intereson.

Rasti Gruevski dhe vendosmëria amerikane për ta çuar në burg me patjetër, tregon se një reaksion zinxhir do të përfshijë Ballkanin dhe për pasojë dhe Shqipërinë.

Në Shqipëri ka politikanë të lartë, të cilët në 28 vite kanë vrarë, kanë dhunuar, kanë trafikuar dhe kanë abuzuar me pushtetin në mënyrë “ashiqare”, sa duhet vetëm një vullnet minimal për t’i çuar në pranga.

Nuk ke nevojë fare të hysh në detaje të vogla, blerje makinash superluksoze për shtetin, që të evidentosh se Sali Berisha e ka hak burgun.

Dosjet e mëdha të krimit janë gati, vrasja e 26 të pafajshmëve në Gërdec, vjedhja 230 milionë euroshe e “Rrugës së Kombit”, vrasja e katër protestuesve të opozitës para kryeministrisë më 21 janar, afera e CEZ-DIA e zullume të tjera janë tashmë të zbardhura plotësisht dhe vetëm vullnet duhet për të çuar në burg autorët.

Po të marrim Metën, thjeshtë dhe vetëm verifiko pasuritë, vilat dhe pallatet nga Lalzi në Tiranë e Kroaci, kompanitë e interteve dhe mermerit, vjedhjen e floririt të Krrabës, rrëfimin e sekretarit të tij Almir Rrapi për krimet, trafikun e drogës e zullume të tjera dhe burgu është “kapak floriri” për të.

Por dhe koncensionet e kryeministrit Edi Rama, të Ilir Beqajt dhe ministrave e ish ministrave të PS, ashtu dhe të ish ministrave të LSI e të PD dhe lista është e gjatë, sa duhej që BE të financonte një burg tjetër me kushte si ai i Reçit në Shkodër që të “strehoheshin” të gjithë zullumqarët shqiptarë.

Ndaj themi që burgu për Gruevskin sjell një reaksion zinxhir në Ballkan, ku në Shqipëri, Berisha, Meta e deri tek Rama, me ministra dhe ish ministra të PS, PD e LSI janë “gurët e dominosë” që rrëzohen. Dhe me shpresë tek SHBA, do t’i shohim në burg të gjithë./Pamfleti

codramol
smile

Anti-Mafia “Gruevski” sjell reaksion zinxhir në Ballkan: Meta “gurët e dominosë” që rrëzohen Berisha ish ministra dhe ministra e deri te Rama