Politike12 Qershor 2018, 08:33

Hapja e negociatave, thirrja e fortë e BE-së: Presim arrestimin e politikanëve, të nis sa më shpejt ngritja e SPAK dhe BKH

Shkruar nga Pamfleti
Hapja e negociatave, thirrja e fortë e BE-së: Presim arrestimin e

Hapja e negociatave, thirrja e fortë e BE-së: Presim arrestimin e politikanëve, të nis sa më shpejt ngritja e SPAK dhe BKH

Më 28 qershor Shqipëria pret të marrë rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Gazeta ‘’SOT’’ ka siguruar raportin e Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian ku BE-ja ka kërkuar urgjentisht ngritjen e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).  

“Mirëpresim ndryshimet e kohëve të fundit në legjislacionin anti-korrupsion. Theksojmë nevojën për ngritjen sa më të shpejtë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të Gjykatës Speciale dhe të Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Mirëpresim rivlerësimin e personelit të policisë sipas ligjit të vetingut”, thuhet në raport. Nga ana tjetër BE ka deklaruar qartë se lufta ndaj korrupsionit duhet të arrijë në politikë. Brukseli pret goditje në të gjitha nivelet. “Bëjmë thirrje për rritje të vëmendjes ndaj korrupsionit politik dhe publik-privat dhe theksojmë se të dhëna bindëse arrihen vetëm me anë të hetimeve pro-aktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në të gjitha nivelet, duke përfshirë dhe çështjet e nivelit të lartë”, thuhet në raport.

Zbatimi i Vettingut

Një shqetësim i ngritur nga Komiteti i Jashtëm në PE është ecja me ritme të ngadalta e vetingut. Në raport është kërkuar që ky proces të përshpejtohet, por jo të dëmtojë procesin. BE ka kërkuar që të hartohet një listë me të gjithë emrat që nuk i shpëtojnë vetingut. Nga ana tjetër po ashtu shqetësues shihet fakti i mosngritjes së organeve të reja, si KLGJ dhe KLP.

“Theksojmë faktin se reforma në drejtësi është një kërkesë madhore e qytetarëve shqiptarë dhe parakusht i rivendosjes së besimit në rendin ligjor, në institucionet publike dhe te përfaqësuesit politikë. Përsërisim se besueshmëria dhe efektiviteti i reformës, veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, varen nga suksesi i procesit të vetingut dhe zbatimi i vazhduar i reformës në drejtësi. Mirëpresim progresin e bërë në reformën në drejtësi për rritjen e pavarësisë, dhënies së llogarisë dhe profesionalizimit të institucioneve gjyqësore.

Për të ardhur keq që ritmet e krijimit të administratës së drejtësisë janë të ngadalta dhe të paefektshme; i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të përshpejtojnë procesin e vetingut, por pa dëmtuar cilësinë apo pastërtinë e tij; Mbani shënim shkarkimet apo dorëheqjet vullnetare të kandidatëve para dëgjesave të tyre”, thuhet në dokument.

Dialogu politik

Një rëndësi i është kushtuar dhe situatës politike në vend. Fleckenstein në dokument ka kërkuar që palët politike të gjejnë gjuhën e përbashkët mes tyre. “Përsërisim se dialogu konstruktiv politik, vullneti për kompromis dhe ruajtja e përkushtimit në zbatimin dhe konsolidimin e reformave, janë thelbësore për avancimin e procesit të aderimit të BE”, thuhet aty. Po ashtu është vlerësuar konsensusi PD-PS për të rishikuar ligjin lidhur me financat e partive.

Kritikat

Në raport ka dhe kritika. Një ndër to është reforma e pronave. BE kërkon të bëhet kujdes me këtë proces. “Përsërisim thirrjen ndaj autoriteteve për të siguruar të drejtat e pronës dhe në të njëjtën kohë të realizojnë regjistrimin e saktë të pronave, kthimin dhe kompensimin e tyre; nxisim autoritetet të informojnë qytetarët në mënyrë të përshtatshme për të drejtat dhe mundësinë e ankimit të vendimeve dhe pretendimeve, dhe theksojmë rëndësinë e një regjimi efektiv për të drejtat e pronës si garanci për rendin ligjor dhe mjedisin atraktiv për biznesin”, thuhet aty.

Po ashtu kritika ka pasur dhe për ndërtimin e HEC-eve, apo për fluksin e azilkërkuesve. “Shprehim shqetësim për aktivitetin ekonomik që ka çuar në dëme mjedisore në zonat e mbrojtura, si në rastet e hidrocentraleve në lumin Vjosa; nxisim autoritetet të përshkallëzojnë llogaritjet e dëmeve mjedisore dhe të krijojnë konsultime publike për projekte të tilla.

Shprehim shqetësim që Shqipëria është vendi i Ballkanit Perëndimor me numrin më të madh të hyrjeve dhe daljeve ilegale dhe i kërkesave të pabazuara të azilit në shtetet anëtare të BE”, thekson raporti. Megjithatë Fleckenstein ka qenë i prerë në kërkesën e tij duke thënë se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe ka kërkuar nga Këshilli i Ministrave të BE që të vendosë hapje negociatash në fund të këtij muaji.

Politike BKH SPAK Vettingu