Hendeku i gjeneratave

Hendeku i gjeneratave
 
Firmat e suksesshme po përpiqen që të ecin me hapin e gjeneratës së mijëvjeçarëve (millennials). Madje për disa prej tyre, kjo ka qenë çuditërisht e lehtë

Të moshuarit nuk janë të vetmit që përpiqen të ecin me të njëjtin hap me të rinjtë, në mënyrë që t’u përshtaten sa më shumë. Edhe disa prej firmave më të zhvilluara dhe ndër më të suksesshmet në botë, po mundohen që të bëjnë të njëjtën gjë, shkruan The Economist.

Le të marrin fillimisht si shembull, një prej kompanive më të mëdha të konsumit në botë, Procter & Gamble (P&G), e cila këtë vit aplikoi në zyrën shtetërore të patentave të Amerikës, për të regjistruar si marka, shkurtimet e përdorura zakonisht në mesazhet e rrjeteve sociale, si, LOL, NBD, WTF dhe FML.

Nëse kjo firmë ia arrin t’i regjistrojë shkurtime të tilla si marka të saj, firma 181-vjeçare ka në plan t’i përdorë ato tek produkte të ndryshme që prodhon, si sapunë, shampo, pastrues, duke i personalizuar ato vetëm për blerësit e mijëvjeçarit. Pikërisht, ky është edhe shembulli i shqetësimit dhe rrezikut të madh që po ndiejnë kompani të ndryshme ndaj këtyre konsumatorëve të rinj. Për shumë kompani, ata janë një mister i vërtetë. KPMG, një firmë konsulence, mendon se pothuajse gjysma e këtyre kompanive nuk e dinë se ku ndryshon gjenerata e mijëvjeçarëve (ku zakonisht bëjnë pjesë ata që kanë lindur nga vitet 1980 deri në 2000) nga një gjeneratë më e vjetër.

Kjo mund të ndodhë për shkak se ndryshimet janë të shumta. Sipas një sondazhi të kryer nga Ipsos-MORI, gjenerata e mijëvjeçarëve është ndoshta një prej më të shkujdesurave që është parë ndonjëherë. Megjithatë, shumë pohime rreth tyre kanë rezultuar të jenë edhe të gabuara. Shpeshherë është thënë se ata nuk i kushtojnë vëmendje reklamave të ndryshme, por në fakt ata janë shumë të ndikuar nga fushatat e ndryshme të marketingut. Duke u bazuar në fakte të tilla të pavërteta, si ky i mësipërmi, nuk është çudi që edhe firmat të gabohen në pjesën më të madhe të rasteve.

Në shkurt, Miller Coors, një kompani amerikane që merret me prodhimin e birrës, hodhi në treg, Two Hats, një birrë me shije frutash, që sipas kompanisë prodhuese ishte ajo që i përshtatej më së miri shijes së kësaj gjenerate, dhe jo vetëm shijes por edhe buxhetit të tyre, duke qenë se ajo ishte e mirë dhe e lirë. Por për çudi të Miller Coors, produkti i saj i ri nuk pati suksesin e shumëpritur dhe u tërhoq nga të gjitha raftet e supermarketeve pas vetëm 6 muajve. Por disa stereotipa të gjeneratës së mijëvjeçarëve i kanë rrënjët në realitet.

Disa prej kompanive më të suksesshme kanë rënë dakord së fundmi se tre qasje kanë sukses, në drejtim të gjeneratës së mijëvjeçarëve: transparenca, përvoja (mbi gjërat) dhe fleksibiliteti. Ndër të tria këto, transparenca është ajo që ka më shumë ndikim te kjo gjeneratë. Në industrinë e veshjeve, një shembull është Everlane, prodhues i veshjeve me seli në San Francisko, që më pas i shet ato online. Ai ka bërë publike kushtet në të cilat krijohet çdo veshje dhe sa është fitimi që ajo gjeneron si pjesë e filozofisë së saj të “transparencës radikale”. Disa kompani të mëdha kanë bërë ndryshime dramatike. Con Agra, një gjigant ushqimor amerikan, ka thjeshtuar recetat dhe ka eliminuar të gjithë përbërësit artificialë nga pjesa më e madhe e ushqimeve që ofron për konsumatorin. Pas vitesh të tëra rënieje, ajo tani po rritet sërish, dhe në këtë rritje të saj 80% e forcës blerëse janë pikërisht gjenerata e mijëvjeçarëve.

“Tërheqja e kësaj gjenerate drejt kompanisë sonë ka qenë absolutisht kritike për rritjen e brandit tonë”, shprehet Bob Nolan, zëvendëspresident i ConAgras. Në 2016-n, banka JPMorgan Chase, hodhi në treg Sapphire Reserve, një kartë krediti premium që ofron shpërblime bujare për të gjithë ata që shpenzojnë shifra të larta në udhëtime dhe në ushqim. Ky produkt, i cili është cilësuar si një kartë për grumbullim përvojash, ka pasur sukses shumë të madh në mesin e kësaj gjenerate. Gjenerata e mijëvjeçarit ka gjithashtu më shumë borxhe, më pak pasuri dhe më pak siguri për vendet e punës, në krahasim me gjeneratat e mëparshme.

Në këtë drejtim është pikërisht fleksibiliteti ai që merr rëndësi të madhe. Ally Bank, një degë e Ally Financial, financuesi i mëparshëm i General Motors, për shembull, nuk u kërkon klientëve asnjë kosto mirëmbajtjeje. Pikërisht, në sajë të këtyre elementeve, kjo bankë e ka fituar besnikërinë e gjeneratës së mijëvjeçarëve. Modelet e biznesit po riorganizohen për t’i shërbyer pikërisht kësaj gjenerate. Prodhuesit e mëdhenj të makinave, duke përfshirë këtu GM, Volvo dhe BMW, ofrojnë shërbime abonimi për makinat e tyre, duke i mundësuar aksesin kësaj gjenerate në automjete të reja, pa pasur detyrime të gjata financiare. Sipas Laura Beaudin, një bashkëpunëtore në firmën e konsulencës, Bain & Company, nëse kompanitë e suksesshme do të duan të kenë të njëjtën vijë arsyetimi me atë të gjeneratës së mijëvjeçarëve, ato duhet me patjetër që ta vendosin theksin e tyre te shumëllojshmëria.

Disa firma përqafojnë individualitetin e konsumatorëve dhe këtu mund të përmendim, lëvizjen e ndërmarrë nga Gucci, shtëpia italiane e modës, e cila prezantoi modele të personalizuara çantash dhe atletesh, si pjesë e një fushate Gucci DIY. Pjesë e shtëpisë së modës Gucci, thuhet se është gjithashtu një ekip të rinjsh nën moshën 30 vjeç që këshillojnë stafin drejtues. Duke marrë si shembull një kompani të tillë të suksesshme, edhe shumë kompani të tjera pritet që të marrin në stafin e tyre drejtues persona që i takojnë gjeneratës së mijëvjeçarëve./Monitor

Loading...

more recommended stories

error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.
WhatsApp Denonco tek Pamfleti