Kosova31 Dhjetor 2022, 10:23

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Ulja e tensioneve në veri të Kosovës dhe largimi i barrikadave pritet t’i hapë rrugë rikthimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Njohësit e procesit të dialogut konsiderojnë që palët duhet të orientohen në arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve në bazë të planit franko-gjerman deri në fund të marsit të vitit 2023. Megjithatë, hedhin dyshime se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq mund t’i përdorë sërish barrikadat si mjet për të arritur qëllime në dialog.

Analisti politik, Gazmir Raci, ka thënë se pas tejkalimit të tensioneve në veri, Perëndimi duhet t’ia bëjë të qartë Kosovës dhe Serbisë për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet ta bëjë të qartë se palët duhet të rikthehen sa më shpejt në dialog, pasi në dakordimet e fundit në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan të flasin për propozimin e BE-së, apo propozimin franko-gjerman dhe janë orientuar që deri kah fundi i marsit të vitit 2023 të arrihet ndonjë marrëveshje përfundimtare”, ka thënë ai për KSP.

Rikthim të palëve në dialog pret edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, pasi thotë se dialogu deri tani ka qenë i pezulluar.

Mirëpo, ai shpreh shqetësimin se Serbia në dialog do të kërkojë themelimin e Asociacionit dhe jo të fokusohet në planin franko-gjerman.

“Për momentin dialogu është i pezulluar, kështu që Serbia kthehet në tavolinë të dialogut me idenë se do të ketë hapa për formimin e Asociacionit. Mirëpo ajo çka është shpresëdhënëse për Kosovën është se nuk është përmend askund në deklaratën e SHBA-së dhe BE-së për barrikadat. S’ka presion direkt që të ketë formim sa më të shpejtë të Asociacionit, por të fillohet të bisedohet për atë çështje”, ka theksuar Bytyçi.

Barrikadat në veri u larguan 20 ditë pas vendosjes së tyre, pas lehtësimit të masës së sigurisë për ish-policin e arrestuar Dejan Pantiç.

Prishtine Barrikadat në veri të Kosovës dialogu Kosovë-Serbi veriu i Kosovës