Bota24 Prill 2018, 20:52

Hetime për operacionin e arrestimit dhe dëbimit të zyrtarit serb

Shkruar nga Pamfleti
Hetime për operacionin e arrestimit dhe dëbimit të zyrtarit serb

Hetime për operacionin e arrestimit dhe dëbimit të zyrtarit serb

Inspektorati policor i Kosovës tha se ka filluar hetimet për të vërtetuar nëse ishin kryer shkelje gjatë operacionit të arrestimit dhe dëbimit të shefit të zyrës serbe për Kosovën Marko Gjuriç, muajin e kaluar.

Në një njoftim të Inspektoratit policor thuhet se departamenti i hetimeve ka filluar grumbullimin e informacioneve në lidhje me dyshimet për shkelje të mundshme nga ana e zyrtarëve të policisë.

“Lidhur me këtë operacion policor, Inspektorati ka pranuar një ankesë nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Milan Radojeviç, lidhur më disa dyshime për tejkalim të përdorimit të forcës nga ana e zyrtarëve”, thuhet në njoftim.

Njoftim në të cilin nënvizohet se “hetuesit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore varësisht nga të gjeturat e këtij procesi të grumbullimit të informacioneve dhe në këshillim me prokurorin përgjegjës”.

Policia e Kosovës arrestoi më 26 mars dhe më pas e dëboi zyrtarin e qeverisë serbe, Marko Gjuriç, i cili kishte hyrë pa lejë në Kosovë.

Operacioni nxiti reagimin e ashpër të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës dhe të Beogradit, që akuzuan njësitë e policisë së Kosovës për ushtrim dhune.

Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të integrimeve evropiane.

Ballkani Arrestimi Hetime Inspektoriati Zyrtari serb