Aktualitet 1 Prill 2018, 05:28

Histori: Çfarë ka ndodhur më 1 prill?

Shkruar nga Pamfleti

Histori: Çfarë ka ndodhur më 1 prill?

Dita e Gënjeshtrave, dikur dita e vitit të ri. Me ndryshimin e kalendarit nga Julian në Gregorian, disa njerëz ende vazhduan ta festonin 1 prillin si ditën e parë të vitit, duke gënjyer veten, ndërsa të tjerët, që kishin pranuar ndryshimin e kalendarit, filluan të talleshin me ta.

Një tjetër legjendë thotë se kjo praktikë filloi gjatë sundimit të Kostandinit, kur një i hokatar i tha perandorit romak se ai mund të bënte punë më të mirë për drejtimin e perandorisë. Konstantini qeshi dhe e lejoi shakaxhiun e quajtur Kugel të bëhej perandor për një ditë, më 1 prill.

Dhe Kugeli e shpalli atë Ditën kur njerëzit mund të bënin çdo shaka e të thonin çdo gjë të vërtetë ose jo.

Ky shpjegim nga Joseph Boskin, profesor i historisë në Universitetin e Bostonit, u botua nga Associated Press dhe u shtyp nga shumë gazeta më 1 prill të vitin 1983.

Më pas, profesor Boskin telefonoi redaktorin dhe i tha se e kishte sajuar ngjarjen me rastin e Ditës së Gënjeshtrave. U deshën disa javë që agjencia e njohur e lajmeve AP të kuptonte se ajo vetë kishte qenë viktima e një gënjeshtre të 1 Prillit, dhe u kërkoi ndjesë lexuesve.

527 – Perandori Bizantin Justin I emëron si bashkë-perandor dhe pasardhës në fron nipin e tij Justinian, i cili më vonë do të njihej si Justiniani i Madh. Justiniani (ilir) krijoi Kodin Civil dhe urdhëroi ndërtimin e katedrales Hagia Sofia në Kostandinopojë. Më 535, ai dekretoi themelimin e qytetit Justiniana Prima, duke e bërë atë kryeqytetin e prefekturës së Ilirisë në vend të Selanikut. Një epidemi murtaje shënoi fillimin e fundit të epokës së tij. Justiniani konsiderohet shenjt mes të krishterëve ortodoks. Ai përkujtohet edhe nga Kisha Luterane, çdo 14 nëntor.

1724 – Jonathan Swift boton Letrat Drapier. – seri artikujsh të shkruara prej tij për popullin e Irlandës, duke i këshilluar ata të mos përdornin paratë prej bakri të shpikura nga William Wood me patentë të dhënë nga George I i Anglisë. Letrat e Suiftit shkaktuan bojkotimin e kësaj monedhe në Irlandë.

1748 – Inxhinieri spanjoll Rocque Joaquin de Alcubierre rizbulon rrënojat e Pompeit, qytet i shkatërruar nga vullkani në vitin 76. Objektet e mbuluara nga hiri i vullkanit ishin ruajtur për shekuj për shkak të mungesës së ajrit dhe lagështisë, duke krijuar një pasqyrë jashtëzakonisht të hollësishme të jetës në një qytet romak të asaj periudhe. Gjuhëtarë, si Theodor Kraus, mendojnë se rrënja e fjalës Pompei mund të jetë fjala etruske “pompe” “pesë”, çka sugjeron se komuniteti përbëhej nga pesë fshatra ose pesë fise. Pompei ka qenë një destinacion i rëndësishëm turistik në Itali për më shumë se 250 vjet; sot gëzon statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESKO; dhe vizitohet nga përafërsisht 2.5 milion njerëz çdo vit.

1778 – Oliver Pollock, biznesmen nga New Orleans, krijon simbolin $ për dollarin amerikan. Oliver Pollock lindi më 1737, në Koleraine, Irlandë, emigroi në Amerikë kur ishte adoleshent dhe vdiq më 17 dhjetor 1823, Misisipi. Pollok ishte tregtar i suksesshëm dhe financues i Luftës Revolucionare Amerikane.

1891 – Vendoset lidhja telefonike midis Londrës dhe Parisit.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

1889 – Përurohet Kulla Eifel, monumenti më i njohur dhe më i fotografuar në botë. Dhe të mendosh pastaj se shkrimtarët Guy de Maupassant dhe Alexandre Dumas e kritikuan atë duke e cilësuar një “makth të tmerrshëm” në zemër të Parisit. Kulla mori emrin e projektuesit dhe arkitektit të saj, Alexandre Gustave Eiffel, i cili e ndërtoi strukturën për ekspozitën ndërkombëtare të Parisit, 1889.

1939 – SHBA njeh qeverinë e Francisko Frankos në fund të luftës civile spanjolle; Papa Pius XII uron Frankon për fitoren.

1941 – Kafe vetëm për gjermanët – Nazistët u ndalojnë hebrenjve qasje në kafene.

1946 – 400 mijë minatorë amerikanë të qymyrit hidhen në grevë për paga më të larta, përfitime shëndetësore dhe rregulla të sigurisë teknike. Nga mesi i majit, greva kishte paralizuar prodhimin industrial të vendit dhe qeveria federale (presidenti Truman) morri në kontroll minierat dhe urdhëroi grevistët të ktheheshin në punë. Por kompanitë e qymyrit refuzuan të bien dakord me zgjidhjen e arritur nga qeveria me sindikatat e minatorëve; kështu më 21 nëntor, punëtorët e lanë përsëri punën. Greva përfundoi në dhjetor, kur kompanitë e qymyrit ranë dakord për shumicën e kërkesave.

1966 – Kinë: Fillon revolucioni kulturor. Mao Ce Duni mbledh një grup radikalësh duke përfshirë gruan e tij Jiang Qing dhe ministrin e Mbrojtjes Lin Biao, për ta ndihmuar në sulmin kundër udhëheqjes aktuale të partisë dhe për vendosjen e autoritetit të tij. Për të nxitur kultin e personalitetit të Maos, gjatë fazës së parë të Revolucionit Kulturor, ministri i Mbrojtjes, Lin Biao, u kujdes që “Libri i vogël i Kuq” me citatet të Maos të shtypej dhe shpërndahej mes miliona kinezëve (këto libra xhepi arritën të përkthyera edhe në Shqipëri së bashku me stemat me Mao Ce Dun). Rreth 1,5 milionë njerëz u vranë gjatë Revolucionit Kulturor kinez, dhe miliona të tjerëve vuajtën burgim, konfiskim prone, tortura apo poshtërim publik.

1976 – Apple Inc formohet nga Steve Jobs, Steve Wozniak dhe Ronald Wayne.

1) Steve Jobs vdiq më 2011, në moshën 55 vjeçare. Ai la pas një pasuri neto prej 8, 3 miliardë dollarësh.

2) Stephen Gary Wozniak (datëlindja 1950), i njohur si “Woz”, është shpikës, inxhinier elektronik, dhe programues kompjuteri. Ai projektoi kompjuterat Apple I dhe II në fund të viteve 1970.

3) Ronald Gerald Wayne (datëlindja 1934) është punëtor në pension i industrisë elektronike. Ai ishte përgjegjës për mbikëqyrjen administrative të Apple Inc, por shpejt hoqi dorë, duke e shitur pjesën e tij të kompanisë për 2300 dollarë. Sot, kjo 1/3 që Wayne shiti, ka një vlerë prej 20 miliardë dollarësh.

1974 – Ayatollah Khomeini, bën thirrje për revolucion islamik në Iran. Më 1979, Irani shpallet republikë islamike me referendum ku 99% votuan për përmbysjen de-jure të Shahut Mohammad Reza Pahlavi. Në vitin 1979, Ayatollah Khomeinin u emërua Njeriu i Vitit nga revista amerikane TIME për ndikimin e tij ndërkombëtar. Khomeini e quante SHBA-në “Satan i Madh”; dhe BRSS-në “Satan i Vogël”, dhe thoshte se Irani nuk duhej të mbështeste asnjë prej tyre.

1992 – Fillimi i Luftës së Bosnjës, si rezultat i shpërbërjes së Jugosllavisë. Shifrat më të fundit tregojnë se rreth 100.000 njerëz u vranë, 20,000 deri 50,000 gra u përdhunuan, dhe mbi 2,2 milion persona u zhvendosën, duke e bërë atë konfliktin më shkatërrues në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

2001 – Ish-Presidenti i Republikës Federative të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç dorëzohet në policinë e forcave speciale, për t’u gjykuar në Hagë nën akuzat për krime të luftës.

2009 – Kroacia dhe Shqipëria bëhen anëtare të NATO-s. /Pamfleti Lifestyle

codramol
smile

Histori