Aktualitet24 Maj 2019, 18:29

Historia frymëzuese e një matjani që u bë mbret i shqiptarëve. A erdhi vallë nga hiçi ky njeri?

Shkruar nga Pamfleti
Historia frymëzuese e një matjani që u bë mbret i

Historia frymëzuese e një matjani që u bë mbret i shqiptarëve. A erdhi vallë nga hiçi ky njeri?

Josephine Dedet në librin e saj “Geraldina mbretëresha e shqiptarëve” përshkruan çdo detaj me imtësi dhe me romantizëm. Pasi përshkruan me hollësi historinë e lavdishme të Shqipërisë nga koha e ilirëve, tek mbreti Anzhu, Skënderbeu, Pavarësia, mbretëria e Vidit e shumë ngjarje të rëndësishme historike ndalet në figurën e Zogut. Kush ishte vallë ky i ri që kish vënë mbi kokë kurorën e mbretërisë?

“Ahmet bej Zogu ishte ministër i brendshëm në vitin 1920. Ky ministër në moshën 27- vjeçare, bëhet president i Shqipërisë më 1925-ën dhe më 1928 kurorëzohet mbret. Ky ishte personalitet ngashnjyes dhe i ndërlikuar me të cilin bëhet gati të takohet Geraldina, në atë fundvit të 1937-ës”.

Kështu e fillon rrëfimin e saj Dedet. Me arritjet e Zogut. Por si të gjitha biografet e shquara ajo ndërton gjenealogjinë e kësaj figure kaq të rëndësishme. A erdhi vallë nga hiçi kjo figurë që u bë mbreti i shqiptarëve? Absolutisht jo. Zogu do të lindë më 8 tetor 1895 në kullën e Burgajetit. Ai është një i ri që bëhet shef fisi në zonën e Matit. Qysh prej shekullit XV, fisi i tij ka një vijimësi në krye të revoltave kundër pushtuesve turq.

Ngjitja marramendëse në karrierë ka një karakter të theksuar aventuresk. Shqiptarët, sipas Dedet janë mësuar t’i zgjidhin gjërat me pushkë dhe jo me debate parlamentare.

Përpara se të shkëlqente në politikë, Ahmet Zogu kish marrë pjesë si prijës nëpër luftëra dhe kish lënë emër si patriot në zonën e tij.

Në vitin 1912 ai udhëheq krahinën  në mbrojtje ndaj serbëve. I bindur se monarkia është mjeti i vetëm për të bashkuar popullin shqiptar dhe për t’i dhënë vendit institucione të qëndrueshme ai përkrah Vidin. Në vitin 1915 njerëzit e Ahmet Zogut kontrollojnë tërësisht Matin. Austrohungarezët kishin interesa të mëdha ndaj Shqipërisë, ndaj Zogu do shkojë në Vjenë ku do qëndrojë 2 vjet. Aty pati kohë të mësonte gjermanishten dhe të hapej në shoqërinë e lartë. Në kryeqytetin austriak nuk mungonin kënaqësitë për një djalë të ri. Zogu pëlqente shumë muzikën shkonte në opera dhe koncerte sinfonike çdo mbrëmje.

Me paraqitjen e bukur fizike dhe me uniformën e kolonelit të ushtrisë perandorake, një gradë që e kishte marrë në moshën 21 vjeçare, ai korr fitore zemrash. Gjatë atyre dy viteve mërgimi ai vetëdijësohet për ndikimin e madh që ushtron tek të tjerët:autoritet i padiskutueshëm ndaj burrave, magjepsje të parezistueshme ndaj grave.

Me nënshkrimin e armëpushimit, Zogu mund të kthehet në Shqipëri. Në 1918  Qeveria e Përkohshme i beson komandën e ushtrisë. Ministër i Brendshëm i qeverisë Delvina. Ai është gati të shkojë të mbrojë Shkodrën dhe me heroizmin që tegon ky qytet e shpall Guvernator. Oreksi për pushtet dhe shkathtësia si dhe dëshira e madhe që ka për t’i dhënë Shqipërisë një fizionomi evropiane i frikëson gjithë armiqtë e tij.

Ndaj vendin e kryeministrit do t’ia japin Vrionit. Do të largohet për pak kohë nga jeta politike. Në qershor të vitit 1921 ai nuk lejon ndarjen e Mirditës, duke negociuar me rebelët. Duke qenë se ai kish shumë influencë në zonat veriore dhe ka simpatinë e Partisë Popullore  do të kthehet përsëri në politikë. Do të rifitojë vendin e Ministrit të Brendshëm në Qeverinë Ypi. Në dhjetor 1922 do të ngjitet në postin e kryeministrit.

Që nga ajo kohë do përplaset me kundërshtarë të ndryshëm. Biografi i madh i Zogut, Albert Monsett e përshkruan Zogun si autoritar, punëtor, të palodhur dhe tepër ambicioz…njeri që bën çtë jetë e mundur për të mbajtur pushtetin…Me ide patriotike ai urren demagogjinë dhe synon të lujë për vendin e tij rolin historik të Mustafa Kemalit në Turqi.

Ndër idetë dhe ambiciet e tij të mëdha ishte ndryshimi rrënjësor i vendit. Kthimi i shoqërisë nga ajo patriarkale në shoqëri të përhapur ndaj përparimit. Çarmatosja e popullsisë, lufta kundër banditizmit dhe ligjeve të gjakut, përmirësimi i infrastrukturës, ngritja e spitaleve dhe shkollave, pagimi i taksave nga të gjithë qytetarët.

Intrigat e shumta, konfliktet, interesat do e shtynin të jepte dorëheqjen duke i lënë postin kryeministror Vërlacit, vjehrrit të tij, me vajzën e të cilit është fejuar sipas zakoneve të kohës. Do ta lërë të fejuarën një muaj më pas.

Në krye të shtetit do të vinte Noli. Idetë përparimtare dhe demokratike të Nolit nuk do të funksiononin, ndaj në dhjetor të vitit 1924, partizanët e Zogut të mbështetur nga jugosllavët dhe nga rusët do të marshojnë nga Shkodra në Vlorë dhe më pas në Tiranë. Në janar të vitit 1925,  Asambleja Kushtetuese miraton krijimin e regjimit republikan dhe zgjedh Zogun president. Ky president i zgjedhur për shtatë vjet nga Parlamenti është komandant i ushtrisë dhe mban në dorë të gjitha pushtetet.

Më 1928 me zgjedhjen e Asamblesë Kushtetuese miratohet Kushtetuta, duke e rikthyer Shqipërinë në Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe të trashëgueshme.

Zogu e shpall veten mbret me titullin Zogu i Parë .

Histori Historia frymëzuese e një matjani që u bë mbret i shqiptarëve. A erdhi vallë nga hiçi ky njeri?