Nëntë aktivistë pro demokracisë në Hong Kong u shpallën fajtorë për trazira publike, për shkak të rolit të tyre në një lëvizje të mosbindjes civile, e cila bënte thirrje për zgjedhje të lira në këtë qytet.
Në mesin e tyre janë tre aktivistë të njohur, që shihen si themelues të lëvizjes pro demokracisë në Hong Kong.
Ata mund të dënohen deri në shtatë vjet burgim për pjesëmarrjen në protestat e Lëvizjes Ombrella, në vitin 2014.
Mijëra njerëz kanë protestuar atëbotë, duke kërkuar të drejtën e Hong Kongut për të zgjedhur vetë udhëheqësin e tij.
Protestat kanë nisur si reagim ndaj një vendimi të Kinës, i cili do t’i lejonte zgjedhjet e drejtpërdrejta në vitin 2017, por vetëm nga një listë kandidatësh që do të miratohej nga Pekini.
Pekini është shumë i ndjeshëm në lidhje me statusin e Hong Kongut dhe me çdo thirrje për më shumë autonomi nga Kina.
Ish-kolonia britanike është kthyer në vitin 1997 me kusht që të mbajë “një shkallë të lartë të autonomisë” për 50 vjet./REL