Kryeministri i Kosovë, Avdullah Hoti është shprehur se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat për të rrëzuar qeverinë e tij dhe se një qeveri rrëzohet nga brenda strukturës dhe jo nga opozita.
“Qeverinë nuk e ka rrëzuar asnjëherë opozita. Ajo rrëzohet nga brenda. Opozita nuk i ka votat. Kemi nevojë të shqyrtojmë shumë çështje brenda koalicionit. Po punojmë për marrëveshjet e brendshme. Fokuset tona janë luftimi i pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike”, deklaroi ai.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij ai foli edhe për debatin me deputeten e VV-së, Mimoza Kusari, ndërsa tha se i ka respektuar masat për koronavirus.
“Unë i kam respektuar plotësisht protokollet. Nuk kam pasur asnjë shenjë më herët përveç një kollë shumë të lehtë. Më kanë rekomanduar testin, ndërsa menjëherë kam shkuar në shpi dhe jam izoluar”, u shpreh ai.
Kujtojmë se një ditë më parë LVV kërkoi rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit me mocion mosbesimi.