Sulmuesi i Portugalisë dhe Juventusit, Cristiano Ronaldo këmbënguli se nuk është i fiksuar pas thyerjes së rekordeve, pasi ato vijnë natyrshëm për të. Këtë deklaratë e bëri pasi shënoi golin e tij të 700-të në karrierë.
“I vetëm nuk mund ta arrijë askush këtë shifër (700 gola në karrierë), – u tha ylli 34-vjeçar gazetarëve. – Faleminderit shokëve të mi të ekipit, kolegëve dhe trajnerëve që më kanë ndihmuar të bëhem lojtari që jam. Jam i zhgënjyer që nuk fituam, por krenar për ekipin.
“Sa rekorde kam? Nuk e di. Më duhet të shijoj momentin dhe t’i falënderoj ata që më ndihmuan të arrij këtë shifër mbresëlënëse. Herën e fundit kur luajta në këtë stadium fitova Ligën e Kampionëve, një moment i bukur, që i përket të kaluarës. Sonte luajtëm mirë, por nuk mundëm të fitonim. Rekordet vijnë natyrshëm, nuk fiksohem pas tyre. Rekordet po më kërkojnë mua. Pa pasur asnjë fiksim, ato vendosen natyrshëm”.