Një plagosje me armë ka ndodhur këtë paradite të së martës në qytetin e Vlorës, ku mbeti i plagosur shtetasi Marjon Mitro, personazh i njohur i botës së krimit, pjesë e bandës së Julian Sinanajt në Vlorë.
Mësohet se ndaj tij është qëlluar me breshëri armësh, duke vënë në rrezik edhe qytetarët e tjerë që kanë qenë duke kaluar në zonë. Mitron e ka prekur vetëm një plumb në këmbë, ndërkohë që një tjetër plumb ka depërtuar në një dyqan në zonën e ‘Biblotekës’ së Vlorës, që fatmirësisht nuk ka sjellë pasoja në njerëz.
Mjeti me të cilën kanë lëvizur autorët është gjetur duke u djegur në zonën e Selenicës, ndërkohë që nuk ka ende të shoqëruar në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Bëhet me dije se Mitro ka qenë dhe punonjësi i policisë bashkiake, ndërsa është arrestuar disa herë për disa vepra penale, ndërsa akuzohet si porositës i disa shpërthimeve me tritol që kanë ndodhur më herët në Vlorë, mes të cilëve edhe ai ndaj prefektit të Vlorës Besnik Dervishi. Vetë Mitro është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, dhe ku grupi hetimor do ti marrë dëshminë, në rast se i ka njohur apo jo autorët.
Historia e tritolit në Vlorë
Marjo Mitro, Julian Sinanaj dhe Nadon Mëhillaj u përballën me drejtësinë në një proces që zgjati me muaj të tërë. Kundrejt pagesave të majme, Sinanaj kryente shpërthime me eksploziv duke vrarë biznesmenë të ndryshëm, ndërsa në shënjestër kanë qenë edhe ish-Prefekti i Vlorës, Besnik Dervishi dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ardian Kollozi.
Sinanaj u arrestua në Tiranë, në janar të vitit 2014 me një sasi të konsiderueshme armësh dhe eksplozivësh, ndërsa rol në “misionet” e tij luanin edhe dy të tjerët.
Marjon Mitro, nga qyteti i Vlorës u arrestua në 2014, i cili u hetua pas dyshimeve se kishte marrë pjesë në atentatin e dështuar ndaj prefektit të Vlorës Besnik Dervishi dhe kryetarit të Komunës Qendër po në këtë qytet Fredo Berberi.
Mitro u arrestua në aeroportin “Nënë Tereza”, ku kanë marrë pjesë efektivët e antiterrorit, forcat speciale dhe një sërë strukturash të tjera të policisë.
Marjon kishte punuar si inspektor i Inspektoriatit Ndërtimor Vendor në qytetin e Vlorës, ndërsa ka edhe një biznes të tij, bar kafe dhe restorant, në zonën e Ujit të Ftohtë.
Ngjarja e sotme në Vlorë dyshohet të ketë lidhje me të shkuarën e Mitros dhe hakmarrjes për veprat penale që ka kryer. Në atë kohë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Marjon Mitro mohoi të jetë porositësi i atentatit me tritol të mbetur në tentativë ndaj prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi dhe vendosjes së lëndës eksploziv në banesën e kreut të PD-së në Vlorë, Ardian Kollozi.
“Nuk kam pasur pse t’i vë tritolin Besnik Dervishit dhe Ardjan Kollozit pasi i kam miq”pohoi Mitro para Gjykatës.
Njoftimi i Policisë:
Sot, rreth orës 10:00, në spitalin e Vlorës, ka shkuar i plagosur (dyshohet me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta), shtetasi M. M., banues në Vlorë, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë krehjes së zonës, në aksin rrugor Vlorë- Selenicë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur i markës “Land Rover”, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit të ngjarjes.
Vijon krehja e zonës nga shërbimet e DVP Vlorë, për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.