Ish kreu i LSI po kërkon pazar me partnerët tanë ndërkombëtarë që në këmbim të heqjes dorë nga destabilizimi i vendit më 13 tetor, të marrë një “dorë” prej tyre për t’i shpëtuar drejtësisë, ndërsa Ramës i premton gatishmëri negociimi për “datën e zgjedhjeve”. Pavarësisht se numri dy i DASH Reeker shprehet i vendosur se nuk negociiohet reforma në drejtësi, Presidenti aktual këmbëngul për Pazar në kurriz të kësaj reforme
Presidenti i Republikës e ka shumë të qartë se është i padëshiruar jo vetëm nga mazhoranca, por dhe nga ndërkombëtarët, të cilët e kanë lënë nën “mëshirën” e Ramës.
Teksa i ka konsumuar t “piruetat” ndaj partnerëve tanë, duke u lutur dhe duke deklaruar se është gati të sakrifikohet për zgjidhjen e krizës politike në vend, Ilir Meta i injoruar prej tyre ka shpërthyer në akuza ndaj SHBA e BE, madje duke u përmendur dhe Korenë e Veriut.
Njëherësh me dekretet që ka hedhur për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor, por dhe me caktimin e 13 tetorit si datë të re për zgjedhjet vendore, bashkë me to dhe të parakohshmet parlamentare si dhe zgjedhjen e Presidentit nga populli, Meta ka artikuluar kërcënimin për destabilitet të vendit.
Pasi dështoi për të krijuar një problem të tillë më 30 qershor, Basha u tremb dhe u tërhoq nga skenari i përplasjes civile duke parë dhe mungesën e gatishmërisë së militantëve të opozitës për të rrezikuar kaq shumë, por dhe frikën e SHBA-BE, Meta kërcënon se do të destabilizojë më 13 tetor.
Një mesazh i tillë është për partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kërkon t’i paralajmërojë me destabilizim të situatës, nëse ai vijon të injorohet dhe të lihet nën mëshirën e Ramës i cili me shumë gjasa do ta shkarkojë si President, duke i hapur rrugë drejtësisë së re që ta përballë me akuzat për zullumet që ka bërë.
Shkurt Ilir Meta po kërkon pazar me partnerët tanë ndërkombëtarë që në këmbim të heqjes dorë nga destabilizimi i vendit më 13 tetor, të marrë një “dorë” prej tyre për t’i shpëtuar drejtësisë.
Nga ana tjetër i ka kërkuar të njëjtën gjë edhe Ramës, teksa deklaron se është gati të negociojë për ndryshimin e dekretit për datën e zgjedhjeve më 13 tetor, në një datë tjetër më oportune për mazhorancën dhe në tërësi për politikën.
Ilir Meta gjithë problemin e ka me reformën në drejtësi ndaj kërcënon partnerët tanë ndërkombëtarë se nëse nuk i japin pazar sikurse dëshiron ai, atëherë do destabilizojë vendin.
Meta e quan qëndrimin e SHBA e BE një çështje personash dhe jo se vendos qeveria amerikane dhe ajo europiane për gjithçka deklarojnë ambasadorët e tyre në Tiranë.
Pavarësisht se ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philip Reeker përsëriti qëndrimin se opozita shqiptare duhet të rikthehet në sistem e t’i gjejë zgjidhjet që kërkon, vetëm brenda institucioneve të vendit dhe jo në rrugë, ndërkohë që e cilëson reformën në drejtësi si të panegociiueshme, Meta sërish këmbëngul që të të arrijë pazar pikërisht në kurriz të kësaj reforme.
Dhe një gjë të tillë e kërkon hapur ndaj ndërkombëtarëve, duke kërcënuar se në të kundërt do të destabilizojë vendin më 13 tetor, ku më shumë gjasa do të jetë kreu i LSI dhe jo më President i Republikës./Pamfleti