Ilir Meta nis të tregojë bashkëpunëtorët në skandalin e shitjes së nënshtetësive ende pa e marrë në pyetje SPAK, heq dorë nga mashtrimet dhe jep shenja se është gati të bashkëpunojë me drejtësinë
Kudo ku shkon nuk u ndahet pazareve dhe korrupsionit. Presidenca ishte një mundësi që Ilir Meta të distancohej nga bota e krimit dhe korrupsionit, por që ditën e parë që ka hyrë brenda, Meta ka organizuar një aferë të frikshme korrupsioni. Ai është kapur duke shitur nënshtetësinë shqiptare njerëzve të krimit, korrupsionit, trafiqeve dhe tallavasë, duke i paraqitur atë si personalitete kombëtare. Prej 10 ditësh, në media dalin fakte të reja rreth skandalit. Fillimisht Meta u përgjigj me shantazhe dhe kërcënime. Kur pa se pazari nuk po i mbyllej, nisi të gënjente. Kur pa se gënjeshtrat nuk po ngjisnin, dje doli për të treguar bashkëpunëtorët. Edhe pse SPAK nuk e ka thirrur ende për ta marrë në pyetje, Meta tregoi shokët e tij.
Sipas tij, ata janë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Meta tha se ata i kanë kërkuar të firmosë nënshtetësi të paligjshme. Por, mbetet për t’u parë nëse këta persona mund ta shpëtojnë, ose ndaj tij do të nisë një hetim penal. Meta tha: “Sa i takon familjarëve të heronjve UÇK, që për arsye të ndryshme, se dihen kufizimet që ka Kosova, në respekt edhe të propozimeve të ndryshme që kanë ardhur nga Presidenti, Kryeministri dhe ministri i Jashtëm në Kosovë apo dhe ambasada e republikës së Shqipërisë, tani unë e kuptoj që për këlyshët e UDB ata terroristë quhen akoma, por ata janë familjarë të heronjve, patriotëve dhe të atdhetarëve”.
Në vijim të mbrojtjes dhe frikës nga SPAK, Meta paraqiti një dosje bosh gjoja të një futbollisti trafikant, të cilin e ka pajisur me nënshtetësi në emër të interesit kombëtar, duke shkelur ligjin. Kur gazetarët i thanë tregoje dosjen, Meta tha se nuk e tregonte se ishe sekret.
“Së dyti, nuk mund të jap dokumentet, se janë dokumente sekret shtetëror, për 10 vite janë të klasifikuara, dhe nuk duhet të ekspozohet as institucioni përkatës, por gjithçka është bërë në respekt me Kushtetutën dhe ligjin”, tha Meta. Tashmë ka nisur të vihen në lëvizje institucionet shqiptare për skandalin e Ilir Metës në Presidencë dhe shumë shpejt pritet që Metës t’i hapet një llogari e re me drejtësinë./Pamfleti