Aktualitet29 Mars 2018, 11:42

“Iluzionet e humbura” të rinisë shqiptare, përballë të keqes që ka mbirë në të gjithë vendin

Shkruar nga Pamfleti
“Iluzionet e humbura” të rinisë shqiptare,

Përjetësitë  ekzistojnë në iluzionet e njerëzve ëndërrimtarë. Ngahera më ndërmendet titulli balzakian “Iluzionet e humbura”, përgjatë përditshmërive të mia. Gjithaq, shumë pjesë e detaje të kësaj vepre përkojnë mjaft natyrshëm me rrjedhen e shekullit në të cilin jetojmë.

Shkruan Edona Marku

Po e theksoj që në krye: iluzionet e mia ndryshojnë me ato të Lysienit të Balzakut, ama mbeten po iluzione. Si çdo qenie njerëzore edhe unë kam mjaft iluzione për jetën, për drejtimin të cilin kam zgjedhur, për pasionet e mia, e mbi të gjitha për dëshirën për të ndryshuar rrenjësisht vendin të cilit i përkas. Ndoshta “nuk jam e ktuhit”, as ndihem e “ktuhit”, e kësaj gjendjes sime i përgjigjet një poezi e këtyre kohërave me titull “Na nuk jena t’ktuhit”, të poetes M. Brahaj.

T’i rikthehemi realitetit…

Përgjatë korridoreve të fakultetit ku studioj shoh qindra studentë me dëshirën e madhe  për të studiuar e arritur më shumë në fushën që ata kanë zgjedhur, të përkushtuar  e mjaft të zellshëm për t’i çuar para studimet e parardhësve të tyre. Por, a vlerësohet kjo në vendin tonë?

Ne si studentë, që tashmë pedagogët tanë na shohin si kolegët e tyre e për këtë u jemi mirënjohës, kur dëgjojmë mbi vepra të rendësishme të gjuhës sonë shqipe, vepra të cilat nuk përbëjnë kurrfarë rendësie për “mendjet e ndritura” të vendit tonë, vepra që mbeten vetëm brenda kornizës së fakultetit, na shuhen sado pak iluzionet që kemi, për të bërë edhe ne një ditë studime kaq madhore.

Në Shqipërinë tonë të vogël me halle shumë, ka akoma studentë, ndër ta edhe unë, që nuk kemi iluzionet e Lysienit për jetën, që në fillim nisën si ideale poetike për të përfunduar më tej në dëshira të tjera, të cilat e çuan drejt tragjizmit. Tragjike në këtë mes për ne është se këto iluzionet tona, iluzione që të bëjnë njeri më të mirë,  që e bëjnë këtë vend më të mirë, bien ndesh me metamorfozen që ka pësuar vetë fjala ” i/e mirë”.

Jetojmë në një botë absurde, të nonsensit, mospërjetimit, ngërçit. Në një botë ku edhe natyra s’është më e dëlirë, është shpërfytyruar, në një botë ku shpirtrat e bukur kanë ngecur brenda saj, ndoshta për të mos dalë më.

Në gjithë këtë mugëtirë ka akoma shpresë, sepse shpresa si ndjenjë, siç e ka përcaktuar edhe A. Pope “është e amshuar në gjirin njerëzor”. Ndaj lutemi që një forcë më e madhe se vullneti dhe ëndrrat tona, një force trashendentale ndoshta, të rrafshojë të keqen që ka mbirë në vendin tonë.

Ndër sytë tanë ka akoma dritë…

Forum