Aktualitet23 Maj 2019, 08:06

Implementohet audioguida, muzeu “Onufri” i pari me këtë sistem dixhital

Shkruar nga Pamfleti
Implementohet audioguida, muzeu “Onufri” i pari me këtë

Implementohet audioguida, muzeu "Onufri" i pari me këtë sistem dixhital

Në Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri” Berat, prezantohet sot sistemi dixhital i audioguidave. Ministria e Kulturës njofton se sistemi i audioguidave prezanton një model dixhital të ri në Shqipëri me qëllim inkurajimin e iniciativave të ngjashme inovative në muzetë e tjerë, sitet turistike dhe kulturore, duke pasuruar eksperiencën e turistit në Shqipëri.

“Tanimë turistët kanë mundësinë të zbulojnë muzeun dhe kryeveprat e tij në katër gjuhë të ndryshme. Shërbimi është i disponueshëm në gjuhën shqipe, italisht, anglisht dhe gjermanisht. Guida mbulon historitë e 40 veprave me vlera të rralla, rrëfyer brenda një orë e gjysmë. Turistët kanë mundësi të eksplorojnë, të mësojnë dhe të vendosin një raport vetjak me veprat dhe muzeun. “Onufri” bëhet kështu i pari muze në Shqipëri që u ofron një shërbim në katër gjuhë, vizitorëve të vet, sipas standardeve europiane. Pritshmëritë janë rritja e performancës së muzeut, çka do të reflektohet në numrin e vizitorëve, por edhe vlerësimin që ata do të japin për shërbimin e ofruar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

Implementimi i Sistemit Dixhital të Audioguidave në Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”- është ndërhyrje e IntoAlbania (Turizmi Inovativ në Shqipëri), një projekt i financuar nga USAID dhe Sëeden, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”. Për projektin është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në shtator të vitit 2017, me synim promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Partner në rrafshin teknologjik është kompania franceze “Orpheo”, e specializuar në dixhitalizimin dhe shërbimet që ofrohen në muze, në të gjithë botën.

Në ceremoninë sot do të marrin pjesë Enio Jaco, Drejtor Ekzekutiv, Creative Business Solutions, Agron Polovina, Drejtor i Qendrës Kombëtare të Muzeve, Berat; Elva Margariti, Ministre e Kulturës; Mikaela Meredith, Drejtoresha e Misionit të USAID në Shqipëri. Muzeu Ikonografik “Onufri” është i pari në të cilin implementohet audioguida. Të pranishmit do të zhvillojnë një vizitë audio në muze, nën drejtimin e Drejtorit të “Onufrit”, Agron Polovina. Muzeu Kombëtar “Onufri” është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Aktualitet Implementohet audioguida muzeu "Onufri" i pari me këtë sistem dixhital